Pretendimi: Makinat Euro 3 dhe Euro 4 planifikohet të nxirren nga qarkullimi deri në 2030
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————————–
Në fillim të nëntorit 2026, në media dhe rrjetet sociale shqipfolëse qarkulloi lajmi se një sërë modelesh makinash do të hiqen nga qarkullimi në Shqipëri deri në vitin 2030.

Në brendi të artikullit të mësipërm shpjegohet se qeveria shqiptare ka miratuar një plan veprimi për transportin që pritet të zbatohet deri në vitin 2030, ku parashikohet “zbatimi i standardeve evropiane mbi homologimin e mjeteve dhe emetimet e tyre, me heqjen graduale të kategorive të vjetëruara EURO.”
Artikulli më pas vijon të listojë një numër modelesh makinash që bien në kategoritë e standardeve europiane të emetimeve Euro 3 dhe Euro 4, të prodhuara kryesisht gjatë viteve 2000–2010, të cilat “mund të preken nga plani për nxjerrjen graduale të makinave të vjetra nga qarkullimi deri në vitin 2030.”
Megjithatë, siç deklarohet edhe në vetë tekstin e artikullit, Strategjia e Transportit dhe plani i veprimit 2030 nuk specifikojnë nëse kufizimet do të prekin vetëm importin dhe regjistrimin e automjeteve të përdorura apo edhe nxjerrjen nga qarkullimi të makinave të regjistruara tashmë.
Ministri i Infrastrukturës sqaroi më 8 nëntor se strategjia nuk parashikonte heqjen nga qarkullimi të automjeteve Euro 3 dhe Euro 4 që qarkullojnë në vendin tonë, por ndalimin e importit të tyre.
“Ka një keqinterpretim se si është lexuar strategjia. Ajo ç’ka ka interes për qytetarët është fakti se, në vitin që vjen, nuk do të ketë heqje nga tregu të mjeteve euro 3 apo euro 4. Ato do të vijojnë të qarkullojnë njësoj si sot. Ligji parashikon ndalimin e importit të tyre, por jo qarkullimin”, tha ai.
Standardet evropiane të emetimeve janë standarde për emetimet e automjeteve, të cilat rregullojnë ndotjen që vjen nga përdorimi i mjeteve të reja të shitura në Bashkimin Evropian, në shtetet anëtare të Zonës Ekonomike Evropiane dhe në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe ndotjen nga anijet në ujërat territoriale evropiane. Këto standarde synojnë trajtimin e ndotjes së ajrit që shkaktohet nga gazrat e shkarkimit, pluhuri i frenave dhe grimcat e gomave, dhe janë përcaktuar përmes një sërë direktivash të Bashkimit Evropian, të cilat kanë vendosur gradualisht kufizime më të rrepta për të zvogëluar ndikimin në mjedis.
Euro 1 është standardi i parë europian për kufizimin e emetimeve të ndotjes nga automjetet. Ai hyri në fuqi në vitin 1992 për makinat e reja të shitura në Bashkimin Evropian. Sa më i lartë numri, përshembull Euro 6, aq më të ulëta janë emetimet e lejuara dhe aq më pak ndot automjeti.
Disa qytete të Bashkimit Europian kanë në fuqi ndalim qarkullimi për automjete të kategorive të ndryshme. Specifikisht, automjetet Euro 3 janë të ndaluara në Amsterdam, Hagë, Utrecht, Madrid, dhe pjesë të Milanos. Ndërsa automjetet Euro 4 janë të ndaluara në Frankfurt, Munich dhe Stuttgart.






