Tregu i ri në Fier nuk u ndërtua, Bashkia planifikon rikonstruksion

Po përgatitet rikonstruksioni i një hapësire ekzistuese

27
Tregu publik Fier

Nga Jona Cenameri

Tre vjet pasi kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, premtoi ndërtimin brenda vitit të parë të mandatit të një tregu bashkëkohor për tregtimin me shumicë të produkteve bujqësore, tregu i ri nuk është ndërtuar.

Në vitin 2025, vetë Subashi deklaroi se projekti ishte lënë pezull, pasi kostoja e ndërtimit nuk justifikohej nga kërkesa.

Në vitin 2026, Bashkia nuk njofton rikthimin e këtij projekti, por thotë se po harton preventivat për rikonstruksionin e një hapësire ekzistuese që më parë ka funksionuar si treg.

Ndërkohë, verifikimi i Faktoje në tregun publik ekzistues evidentoi probleme me pastërtinë, ujin, tualetet, ndriçimin dhe gjendjen e godinës.

Premtimi

Më 12 maj 2023, gjatë fushatës për zgjedhjet vendore, Armando Subashi premtoi ngritjen e një tregu bashkëkohor për produktet bujqësore.

Premtimi 2023

“Synojmë që brenda vitit të parë të bëjmë të mundur ndërtimin e një tregu bashkëkohor për tregtimin me shumicë të produkteve bujqësore”, deklaronte ai.

Kur Faktoje e verifikoi premtimin në dhjetor 2023, punimet nuk kishin nisur. 

Bashkia Fier njoftonte atëherë se ishte ende “në fazë studimi për ngritjen e një tregu bashkëkohor të produkteve bujqësore”.

Një treg publik ekziston që prej vitit 2016

Në Fier ekziston ndërkohë një treg publik për produkte bujqësore dhe blegtorale, i ngritur nga Bashkia në vitin 2016. Për ndërtimin e tij, Këshilli Bashkiak miratoi marrjen me qira për 10 vjet të një sipërfaqeje prej 3,466 m². 

Kontrata për ndërtimin u lidh më 21 tetor 2016 me “ALB-STAR”, me vlerë rreth 54.9 milionë lekë me TVSH dhe afat zbatimi tre muaj. 

Ky është tregu pranë kryqëzimit të rrugëve “Nuredin Aliu” dhe “Aulona”, që vijon të përdoret edhe sot.

Projekti i ri lihet pezull

Në shkurt 2025, gjatë prezantimit të raportit të Faktoje mbi transparencën e bashkive, Armando Subashi pranoi se ndërtimi i tregut të ri ishte lënë pezull.

“Sa i përket tregut të shumicës për produktet bujqësore, vlerësuam se kostoja e ndërtimit të tregut, që mund të shkojë deri në 1 milion euro, nuk justifikohet për shkak të mungesës së kërkesës”, deklaroi ai.

Subashi shtoi se Bashkia synonte të testonte përdorimin e tregut ekzistues edhe si treg shumice.

Në verifikimin e Faktoje gjatë vitit 2025, tregu ekzistues rezultonte me pak aktivitet në momentin e vizitës në terren.

Çfarë thotë Bashkia në 2026

Në përgjigjen e fundit për Faktoje, Bashkia Fier nuk njofton ndërtimin e tregut të ri të premtuar në vitin 2023.

Institucioni thotë se çështja e një tregu bashkëkohor ka hyrë në një “proces mjaft dinamik”, pasi Bashkia është angazhuar për rikonstruksionin e një hapësire që më parë ka funksionuar si treg frutash dhe perimesh dhe së cilës i ka përfunduar afati 20-vjeçar i qiradhënies.

Për këtë ish-markato, sipas Bashkisë, po hartohen preventivat e projektit për një rikonstruksion të përgjithshëm të ambienteve, me synim përmirësimin e kushteve dhe standardeve të tregtimit.

Bashkia argumenton gjithashtu se oferta për tregtimin e produkteve bujqësore është zgjeruar. Ajo përmend tregun publik në kryqëzimin e rrugëve “Nuredin Aliu” dhe “Aulona”, një hapësirë pranë Gold Center, dy tregje të mëdha private, tregun e gjësë së gjallë në Mbrostar Ura dhe tregje lëvizëse në njësitë administrative.

Pra, tre vjet pas premtimit, zgjidhja e re që paraqet Bashkia nuk është ndërtimi i tregut të ri të premtuar, por rikonstruksioni i një hapësire ekzistuese.

Tregu ekzistues, sipas Bashkisë

Për tregun publik pranë rrugëve “Nuredin Aliu” dhe “Aulona”, Bashkia Fier thotë se ai funksionon 24 orë në ditë.

Sipas institucionit, në periudhat me prodhim më të ulët aty tregtojnë jo më pak se 20 fermerë, ndërsa në sezonin e pikut numri kalon 40 fermerë dhe subjekte.

Bashkia raporton se aktiviteti i tregut solli 6,294,524 lekë të ardhura gjatë vitit 2025 dhe 3,985,516 lekë gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026.

Për truallin ku ndodhet tregu, Bashkia paguan rreth 4.15 milionë lekë qira në vit, në kuadër të kontratës 10-vjeçare të nisur në vitin 2016.

Verifikimi në terren, 2026

Faktoje iu rikthye tregut publik për të parë situatën në terren.

Në orët e mesditës, hapësira ishte thuajse bosh. Tregtarët na shpjeguan se aktiviteti kryesor zhvillohet në orët e para të mëngjesit, kryesisht nga ora 03:00 deri rreth orës 07:00, kur mbërrijnë fermerët dhe produktet bujqësore.

Problemi kryesor që ngritën tregtarët ishte gjendja e ambienteve.

Një shitëse produktesh bujqësore e kapi gazetaren e Faktoje prej dore dhe nisi t’i tregonte mbeturinat, pluhurin dhe perimet e kalbura në pjesë të ndryshme të tregut.

“Ja, shikoje vetë”, tha ajo.

Në dysheme kishte ujë, baltë dhe mbetje bujqësore e blegtorale. Në disa pjesë ndihej erë e rëndë, ndërsa stendat dhe ambiente të tjera dukeshin të papastruara.

Një tjetër tregtare ngriti shqetësimin për tualetin, i cili, sipas saj, ishte në gjendje të keqe dhe përdorej nga burra dhe gra.

Tregtarët treguan gjithashtu se uji që rrjedh në disa pjesë të godinës krijon pellgje dhe përzihet me baltën dhe mbetjet.

Probleme u ngritën edhe për mungesën e ndriçimit, ulluqet dhe çatinë.

“Godina duhet rikonstruktuar, se pikon çatia, rrjedh”, tha një shitëse e produkteve blegtorale.

Përfundimi

Tre vjet pas premtimit të Armando Subashit për ndërtimin brenda vitit të parë të një tregu bashkëkohor me shumicë, tregu i ri nuk është ndërtuar.

Në vitin 2026, Bashkia Fier po orienton ndërhyrjen drejt rikonstruksionit të një hapësire ekzistuese. Ndërkohë, tregu publik i ndërtuar në vitin 2016 vijon të funksionojë, por verifikimi në terren evidentoi probleme të dukshme me mirëmbajtjen dhe kushtet e tregtimit.

Nisur nga zotimi fillestar, afati i dhënë dhe fakti se tregu i ri i premtuar nuk është realizuar, Faktoje e kategorizon premtimin si të pambajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Artikulli paraprakImpianti i ujërave të përdorura, investimi për Shkodrën ende në fazën e prokurimit
Artikulli tjetërEnde asnjë provë për kimikatet në vijat e bardha pas avionëve
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.