“Rama dorëhiqu” Çfarë kërkojnë të rinjtë më pas?!  

Të rinjtë tregojnë për “Faktoje” skenarët dhe alternativat që duhet të pasojnë nëse kryeministri Edi Rama jep dorëheqjen.

22
Doreheqje

Nga Jona Cenameri

“Pa dorëheqje nuk ka dialog”

Kjo ka qenë përgjigjja që protestuesit i kanë dhënë ftesës së kryeministrit Edi Rama për t’u ulur në bisedime.

Dialog

Më 22 tetor, Rama vendosi para Kryeministrisë cilindra betoni me mbishkrimin “DIALOG”, duke ofruar bisedime me protestuesit për të tretën ditë radhazi. Dy ditët paraardhëse ai kishte vendosur karrige me të njëjtën thirrje, të cilat protestuesit i përmbysën ose i thyen.

Përplasja mes dy fjalëve, dialog dhe dorëheqje, është kthyer një nga vijat ndarëse mes qeverisë dhe protestës.

Por pas thirrjes “Rama, jep dorëheqjen” lind pyetja:

Çfarë duan të rinjtë të ndodhë më pas?

Për një pjesë të tyre, dorëheqja nuk është fundi i kërkesës, por hapi i parë.

Qeveri teknike për gjashtë muaj apo një vit. Ndryshim i Kodit Zgjedhor. Kufizim i mandateve të Kryeministrit. Referendum. Kandidatë të pavarur. Parti të reja. Zgjedhje vetëm pasi të ndryshohen “rregullat e lojës”.

Një pjesë e këtyre kërkesave janë artikuluar që pas 31 majit, në protestat e njohura si “Revolucioni Flamingo”. Përfshirja më e gjerë e studentëve dhe gjimnazistëve pas 13 tetorit i ka rikthyer ato në qendër të protestës.

Faktoje bisedoi me të rinj protestues për të kuptuar konkretisht se çfarë duhet të ndodhë, sipas tyre, nëse në një situatë hipotetike Rama jep dorëheqjen.

Përgjigjet nuk japin një formulë të vetme.

“Sa ke studentë, aq ke mendje”, thotë Jesmina Sengla, e diplomuar në Shkenca Politike.

Në një pikë, megjithatë, përgjigjet përputhen: të rinjtë që folën me Faktoje nuk e shohin zëvendësimin e Edi Ramës me një tjetër emër si të mjaftueshëm.

Dorëheqja si fillim, jo si fund

Jesmina Sengla e përshkruan kërkesën për largimin e Kryeministrit si pikën ku qëndrimet e studentëve bashkohen.

Jesmina

“Mes studentëve ka dakordësi të plotë që Rama duhet të dorëhiqet nga pozicioni i Kryeministrit, por dallojnë konsiderueshëm në preferenca”, thotë ajo.

Sipas perceptimit të saj, ekzistojnë disa rryma mendimi, pa qenë domosdoshmërisht grupe të organizuara.

Një pjesë kërkon largimin e plotë të Ramës nga politika dhe kufizimin e mandatit të Kryeministrit në dy mandate. Një pjesë tjetër, sipas saj më e përhapur, mbështet një qeveri teknike që do të qëndronte në detyrë për disa muaj ose një vit që do të përgatiste një reformë konkrete zgjedhore. 

Të tjerë preferojnë zgjedhje të parakohshme.

“Divergjenca nuk duhet lexuar si dobësi e studentëve, por si rini që është në gjendje të bashkëjetojë me të ndryshmen dhe sërish të bashkëpunojë për një pikë kryesore”, argumenton Sengla.

Vetë ajo preferon zgjedhjet e parakohshme, edhe pse e përshkruan veten si “minorancë e minorancës”.

Një dorëheqje e Kryeministrit, megjithatë, nuk sjell automatikisht zgjedhje. Kushtetuta parashikon fillimisht procedurën për emërimin e një Kryeministri të ri nga shumica parlamentare. Zgjedhjet e parakohshme bëhen mundësi vetëm nëse shpërndahet Kuvendi, pas dështimit të afateve dhe raundeve për emërimin e një kryeministri të ri.

Qeveria teknike si periudhë tranzicioni

Ideja që përsëritet më shpesh në përgjigjet e të rinjve është krijimi i një qeverie teknike ose tranzitore përpara zgjedhjeve.

Migena Jaku propozon një periudhë njëvjeçare.

Migena Jaku

Sipas saj, rendi duhet të ishte: dorëheqje e Kryeministrit, qeveri tranzitore, ndryshim i Kodit Zgjedhor dhe më pas zgjedhje.

Ajo përmend ndër çështjet që duhet të diskutohen listat e hapura, kufizimin e mandateve dhe referendumin.

“Dhe le të shkojmë në zgjedhje demokratike”, thotë ajo.

Angjelo Tila, student i departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, propozon po ashtu një qeveri teknike njëvjeçare.

“Për mua, qeveri teknike me mandat njëvjeçar, ku udhëheqin intelektualë, figura të pastra, që është sfida më e madhe, dhe pastaj shkojmë në zgjedhje”, thotë ai.

Edhe Uestli Guci e sheh një periudhë tranzitore si zgjidhjen më të përshtatshme.

Uestli Guci

Për të, zgjedhjet e menjëhershme do të rrezikonin të riprodhonin të njëjtin sistem politik, sepse do të zhvilloheshin me rregullat aktuale dhe pa u dhënë kohë forcave të reja të organizoheshin.

Ai propozon një qeveri “kujdestare” ose teknike me mandat 6-12 muaj.

“Ne nuk po kërkojmë të rrëzojmë një regjim thjesht për të sjellë një tjetër. Ne duam të ‘rregullojmë rregullat e lojës’”, thotë Guci.

Çfarë duhet të bëjë një qeveri e tillë?

Në përgjigjet e të rinjve, qeveria teknike nuk shihet thjesht si një kabinet që administron përkohësisht vendin.

Guci përmend ndryshimin e Kodit Zgjedhor, depolitizimin e administratës dhe një ndarje më të fortë mes shtetit dhe partive politike.

Sengla thotë se studentët që mbështesin këtë skenar fokusohen kryesisht te reforma zgjedhore dhe administrata publike.

Edhe Jaku e lidh qeverinë tranzitore drejtpërdrejt me ndryshimin e rregullave të garës.

“Qeveria teknike” nuk është një kategori e parashikuar me këtë emër në Kushtetutë. Siç ka shpjeguar Faktoje në një analizë të mëparshme mbi skenarët pas një dorëheqjeje të Kryeministrit, një kabinet i tillë mund të krijohet përmes mekanizmave ekzistues parlamentarë, nëse sigurohet marrëveshja dhe mbështetja politike e nevojshme.

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndërkohë, kërkon tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Dy mandate për Kryeministrin

Një tjetër propozim është kufizimi i mandateve të Kryeministrit.

Sengla thotë se një pjesë e studentëve kërkon që Kryeministri të mos mund të qëndrojë më shumë se dy mandate gjatë gjithë karrierës së tij politike.

Edhe Jaku e përfshin kufizimin e mandateve mes reformave që do të mbështeste.

Kushtetuta aktuale nuk parashikon kufizim të numrit të mandateve për Kryeministrin.

Nëse një kufizim i tillë do të vendosej në nivel kushtetues, do të nevojitej ndryshimi i Kushtetutës. Procedura kërkon që nisma të ndërmerret nga të paktën një e pesta e deputetëve dhe ndryshimi të miratohet me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

“Rama” si simbol i një sistemi

Edit Babameto e vendos kërkesën për dorëheqjen në një plan tjetër.

Edit Babameto

Për të, Edi Rama nuk përfaqëson vetëm Kryeministrin aktual.

“Rama është thjesht epiteti i kategorisë që ne duam të ‘shfarosim’, metaforikisht”, thotë ajo.

Babameto sqaron se nuk do që largimi i tij të pasohet thjesht nga një figurë tjetër e së njëjtës klasë politike, qoftë nga qeveria apo opozita.

Skenari që ajo propozon përfshin një qeveri teknike dhe, gjatë periudhës tranzitore, krijimin e partive të reja nga figura që gëzojnë besim publik.

“Jo të iknin këta që janë në PS/PD dhe të rinjtë t’u zinin vendin. Qoftë dhe rrënjët e partive të sotshme duhet të shkulen”, thotë ajo.

Ligji për partitë politike kërkon jo më pak se 3,000 anëtarë themelues për krijimin e një partie të re, ndërsa regjistrimi dhe më pas pjesëmarrja në zgjedhje lidhen me afate të tjera ligjore.

Pas shpërndarjes së Kuvendit, Kushtetuta kërkon që zgjedhjet të zhvillohen jo më vonë se 45 ditë më pas. 

Zgjedhje menjëherë apo kohë për të ndryshuar rregullat?

Për Senglën, zgjedhjet e parakohshme janë skenari i preferuar.

Për disa prej të rinjve të tjerë të intervistuar, zgjedhjet e menjëhershme nuk janë alternativa e parë.

Ata kërkojnë fillimisht një periudhë tranzitore, reformimin e rregullave zgjedhore dhe më pas votimin.

Kështu, edhe mes të rinjve që bashkohen te kërkesa për dorëheqjen e Kryeministrit ka dy rrugë të ndryshme për atë që duhet të pasojë: zgjedhje të parakohshme ose një periudhë kalimtare përpara tyre.

A duhet të dalë një alternativë nga protesta?

Angjelo Tila ngre edhe një tjetër pyetje: nëse një lëvizje ngre një kërkesë politike, a duhet të prodhojë edhe një alternativë politike?

“Përderisa kemi një kërkesë politike, duhet të ofrojmë edhe një zgjidhje politike”, thotë ai.

Por shton: “Duhet të sigurohemi që opsioni që po zgjedhim të mbështesim nuk është ‘dorë e kontrolluar’.”

Tila thotë se e ka të vështirë të përcaktojë nëse nga protesta duhet të lindë apo jo një forcë e re politike.

Pas dorëheqjes, pyetja më e vështirë

Kërkesa “Rama jepe dorëheqjen” formulohet në shesh, por përgjigjja për pyetjen “çfarë ndodh më pas?” përfundon, në pjesën më të madhe të skenarëve, te një institucion që protestuesit nuk e kontrollojnë: Kuvendi sepse ky e fundit e ka mekanizmin për të vendosur edhe për një qeveri teknike.

Artikulli paraprakANTIFA në Shqipëri, mes akuzave dhe fakteve
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.