Tirana në kaos/ Kronika e një dite mes përplasjeve, gazit dhe reagimeve

11
sheshi skenderbej

Nga Jona Cenameri 

Protesta e 24 tetorit ishte paralajmëruar si një ditë mobilizimi kombëtar në Tiranë. 

Që prej orës 10:00, pedagogë, studentë, qytetarë dhe përfaqësues të grupeve të ndryshme nisën të mblidheshin në qendër të kryeqytetit, ndërsa Partia Demokratike kishte thirrur paralelisht mbështetësit e saj në një tubim para Kryeministrisë.

Dialog

Përpara godinës së qeverisë, kryeministri Edi Rama kishte vendosur, për të pestën ditë radhazi, atë që e paraqiste si një ftesë për dialog: një tryezë 8 këndore me fletë ku shkruhej “DIALOG” dhe shilte të vendosura rreth saj.

Fletët u grisën dhe më pas, me mbërritjen e mbështetësve të PD-së, shiltet u dogjën.

Pak më tej, studentët po përgatiteshin për protestën e paralajmëruar në orën 14:00 pranë Ministrisë së Arsimit. Drejt tyre u zhvendosën gradualisht edhe pjesëmarrës nga tubimi i PD-së.

Përplasjet e para 

Në orën 14:00 atmosfera ndryshoi.

Në zonën e ministrisë së Arsimit nisën përplasjet e para mes protestuesve dhe policisë. Nga turma u hodhën gurë, sende të forta dhe fishekzjarre, ndërsa policia ndërhyri me autobotë uji dhe gaz lotsjellës.

Prej atij momenti protesta nuk kishte më një pikë të vetme. 

Turma u shpërnda dhe u rigrupua nga Ministria e Arsimit drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Sheshit “Skënderbej”, Parkut Rinia dhe rrugëve që lidhin institucionet kryesore të qendrës.

Gazi

Për disa orë, pjesë të Tiranës qendrore qëndruan nën një re të dendur gazi. 

Efekti i tij ndihej shumë përtej vijës së parë të përplasjes. Njerëzit kolliteshin, u lotonin sytë dhe kërkonin rrugë për të dalë nga zonat ku ajri ishte bërë i rëndë. 

Policia bllokoi kalimin përgjatë Bulevardit dhe hedhjet e përsëritura të gazit krijuan situata ku qytetarët dhe protestuesit mbeteshin mes kordoneve policore dhe tymit të dendur.

Ndihma

As pika ku ishin vendosur aktivistët që jepnin ndihmën e parë nuk i shpëtoi gazit. 

Në trotuare qarkullonin ujë, maska dhe solucion fiziologjik, ndërsa të rinjtë ndihmonin njëri-tjetrin të shpëlanin sytë dhe të largoheshin nga zonat më të prekura. 

Pati edhe furnizim me ushqime, ujë, etj për protestuesit që qëndronin në terren.

Një tjetër shqetësim lidhej me ujin e autobotëve. Disa protestues të lagur prej tij ankoheshin për djegie të fortë dhe pretendonin se përmbante substanca irrituese.

2 gazetarë në ndihmë mjekësore  

Mes rasteve të raportuara ishte edhe gazetari i News24, Klevin Muka, i cili pasi u godit nga uji me presion shfaqi skuqje dhe acarim të fortë të lëkurës. Ai deklaroi se dyshonte se në ujë kishte “piper dhe kimikate”. 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) kërkoi sqarim për përbërjen e lëndës së përdorur dhe hetim për incidentin, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) kërkoi nga Policia e Shtetit të sqarojë rrethanat dhe të garantojë një hetim të paanshëm. 

AGSH raportoi gjithashtu se gazetari i Euronews Albania, Ardit Hoxha, ishte goditur me plumb gome, ndërsa gazetari i “Piranjave”, Freard Rista, ishte goditur me gur nga një protestues.

Plumba Gome

Gjatë përplasjeve u përdorën edhe plumba gome. Nga terreni u raportuan disa persona të goditur, përfshirë në pjesët e sipërme të trupit. Një nga rastet që tronditi më shumë ishte një protestues i dëmtuar në sy.

Nga ana tjetër, të rinjtë përdorën kazanët e mbeturinave për të ngritur bllokada në rrugë dhe disa prej tyre u dogjën. 

Gurët vazhduan të hidheshin drejt policisë, ndërsa në disa raste u shkëputën edhe pjesë nga trotuaret. 

Me kalimin e pasdites u përdorën bomba Molotov, ndërsa fishekzjarret, të pranishme që në fazën e parë pranë Ministrisë së Arsimit, u bënë edhe më të dukshme kur nisi të errësohej.

Thirrja e Policisë 

Policia e Shtetit deklaroi se efektivët po përballeshin me “akte të vazhdueshme dhune” dhe u kërkoi pjesëmarrësve të distancoheshin nga personat e maskuar dhe të dhunshëm. 

Sipas Policisë, këta persona kishin sulmuar efektivët dhe institucionet dhe kishin dëmtuar pronën publike e private. 

Policia përsëriti se e drejta për protestë paqësore është e garantuar, por se aktet e dhunës do të trajtoheshin sipas ligjit.

Reagimet Rama vs Berisha 

Rama e lidhi përshkallëzimin e protestës me opozitën. Ai e quajti Partinë Demokratike “mëma e dhunës” dhe e akuzoi se, së bashku me persona të maskuar dhe grupe të tjera, kishte marrë “autorësinë e terrorit urban”. 

Në një tjetër postim publikoi pamje nga selia e PD-së me mbishkrimin thumbues “Studentët në Universitetin e Dhunës”, ndërsa këmbënguli se dialogu mbetet rruga për ata që kanë kërkesa dhe argumente.

Sali Berisha ndërtoi gjatë gjithë ditës narrativën e kundërt. 

Ai e paraqiti protestën si “revoltë studentore” dhe qytetare dhe akuzoi qeverinë për dhunë shtetërore. 

Gjatë pasdites, Berisha publikoi vazhdimisht pamje të personave të lënduar, denoncoi përdorimin e gazit dhe plumbave të gomës dhe e cilësoi ndërhyrjen e policisë “krim shtetëror”. 

Që në mëngjes, Kreu i PD-së kishte deklaruar se “e gjithë Shqipëria është në Tiranë” dhe se përballja e qeverisë me studentët do të ishte “fundi i turpshëm” i Ramës.

Të lënduarit

Në orën 19:45, ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale përditësoi bilancin e të lënduarve. 

Në Spitalin Universitar të Traumës ishin paraqitur 9 persona: 7 protestues dhe 2 përfaqësues të medias. Njëri prej protestuesve kishte dëmtim në sy dhe po i nënshtrohej ekzaminimeve, por ishte jashtë rrezikut për jetën. 5 persona kishin lënë spitalin, ndërsa 4 protestues vijonin trajtimin dhe ekzaminimet.

Në QSUT kishin marrë trajtim 1 protestues dhe 1 efektiv policie, të cilët më pas ishin larguar. 2 efektivë të tjerë policie, të lënduar në sy, u trajtuan në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 dhe gjithashtu u larguan pas ndihmës mjekësore.

Fishekzjarret

Ndërsa Tirana hynte në mbrëmje, në qendër vazhdonin të dëgjoheshin shpërthimet e fishekzjarreve dhe njëkohësisht të ndiheshin gjurmët e gazit. 

Protestuesit rigrupoheshin (në akset kryesore që lidhin qendrën) dhe policia ndryshonte pozicionet. Në trotuare vazhdonte një tjetër lloj mobilizimi: ujë, ushqim, maska, solucion fiziologjik dhe njerëz që ndihmonin njëri-tjetrin të dilnin nga reja e gazit. 

Dëmet 

Në mbrëmje gjatë përplasjeve nuk pati vetëm kosha të djegur por edhe xhama të thyer ndaj disa bizneseve. U raportua për dëme edhe ndaj një banke të nivelit të dytë tek zona e “Vasil Shantos”. 

Nuk u kursyen as dyert e jashtme të ministrisë së Mjedisit dhe Bujqësisë. Një breshëri fishekzjarresh u lëshua nga protestuesit në drejtim të selisë së PS-së, ku një nga policët mori flakë, duke sjellë ndërhyrjen e shpejtë ndaj tij.

Në një kohë relativisht jo të vogël pati shkëmbim zjarri dhe përplasje në hapësirën mes selisë së PS-së dhe Bankës së Shqipërisë.   

Ndërkohë, situata në rrugët kryesore të Tiranës u qetësua duke u afruar ora 10.00 e mbrëmjes, ndërsa Policia filloi me shoqërimet e para.           

Artikulli paraprak“Rama dorëhiqu” Çfarë kërkojnë të rinjtë më pas?!  
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.