Pretendimi: Kjo video tregon një ritual hebre në Shqipëri, siç dëshmohet nga flamuri shqiptar dhe një kopje e The Albanian Files që duken në tryezë
Verdikti: Video e manipuluar
—————————————————————————-
Një video (arkivuar këtu) që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse duket se tregon një grup hebrenjsh ortodoksë të mbledhur rreth një tryeze ku duket një flamur shqiptar dhe një kopje e librit The Albanian Files. Ajo shoqërohet me pretendimin se kjo ngjarje ose ritual po zhvillohet në Shqipëri.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk ofrohet ndonjë provë, burim apo referencë.
Në fakt, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është modifikuar, me gjasa me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI), për të shtuar flamurin shqiptar dhe librin The Albanian Files.
Video origjinale është botuar fillimisht në TikTok më 21 shtator nga llogaria @chassidish_social, një llogari që duket se i përkushtohet kulturës ortodokse hasidike, një rrymë ultra-ortodokse e hebraizmit. Në Instagram, i njejti përdorues etiketohet si i bazuar në Izrael.

Në videon origjinale, siç vërehet, mungojnë flamuri shqiptar dhe libri The Albanian Files mbi tryezë.
Në videon e mëposhtme gjeni një krahasim mes videos origjinale dhe asaj të manipuluar.
Video e manipuluar (majtas) dhe video origjinale (djathtas)
Ky postim është pjesë e një narrative të rreme që po qarkullon së fundmi në Shqipëri, e cila pretendon se ekzistojnë plane të fshehta për blerjen masive të tokave, vendosjen e kolonive dhe madje pushtimin gradual të vendit nga izraelitët. Kjo narrativë është pjesë e një cikli më të gjerë dezinformimi antisemit, që shfrytëzon frikën, pasigurinë dhe mungesën e verifikimit të burimeve për të krijuar panik dhe për të ushqyer paragjykime ndaj grupeve të huaja.






