Duke dënuar dhunën në protestat e fundit në vend, Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pretendoi se pas personave të maskuar që drejtojnë protestën, qëndrojnë individë të rekrutuar për qëllime të caktuara nga organizatorët e vërtetë të saj, brenda dhe jashtë vendit.
“Pas maskave që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studentë, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errëta të organizatorëve të vërtetë të kësaj proteste, brenda e jashtë vendit”, – theksoi kryepolici gjatë një konference për mediat.
Sipas tij, nga personat e ndaluar gjatë natës së dytë të protestave, një numër shumë i vogël ishin studentë.
Hita theksoi se gjatë tri ditëve të protestave janë plagosur 71 punonjës policie, disa prej të cilëve kanë pësuar dëmtime të rënda.
Kreu i policisë theksoi se e drejta për të protestuar nuk justifikon sulmet ndaj institucioneve dhe qytetarëve.
“Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, por askush nuk duhet t’i përdorë për të sulmuar institucionet dhe qytetarët”, deklaroi Hita, duke theksuar se përgjegjësia për aktet e dhunës është individuale.
Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve në protesta që të distancohen nga personat e dhunshëm dhe të mos lejojnë dëmtimin e pronës publike dhe private.
Hita mbrojti gjithashtu veprimet e forcave të rendit, duke deklaruar se reagimi policor ka qenë në përputhje me nivelin e dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të policisë dhe institucioneve publike.
“Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e policisë me dobësinë. Ligji do të zbatohet me vendosmëri, pa përjashtim”, u shpreh ai.






