Pretendimi: Kjo video tregon anakonda gjigande të dukshme përmes kamerave termike në errësirën e Amazonës
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
————————————————————————-
Një video (arkivuar këtu) që po qarkullon në media dhe rrjete sociale shqiptare pretendohet se tregon një pamje të xhunglës së Amazonës ku, me anën e kamerave termike, dallohen dhjetëra anakonda gjigante. Pamjet e kaq shumë gjarpërinjve gjigandë në një zonë të vetme të lumit ngjallin emocion dhe natyrshëm interes nga shikuesit e videos.

Një tregues fillestar që duhet ta bëjë shikuesin të dyshojë është se gjarpërinjtë janë gjallesa me gjak të ftohtë, që do të thotë se temperatura e trupit të tyre është e njejtë me atë të mjedisit përreth. Kështu dallimi i tyre nga kamerat termike, që tregojnë ndryshimet e temperaturës, është i dyshimtë.
Më tej, është e dyshimtë që këto gjallesa gjakftohta janë të vetmet të kapura nga kamera në xhunglën amazoniane, një nga habitatet më të pasura me fauna, ku jetojnë mijëra specie kafshësh.
Postimi i mësipërm nuk referon se kur dhe nga kush janë xhiruar pamjet.
Kjo sepse ato nuk janë xhiruar ndonjëherë. Video e mësipërme është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI).
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, të botuar në TikTok në maj 2026.
Në videon e plotë dallohet në cep logo e VEO, modeli i Google për gjenerimin e videove me AI.

Origjina e gjeneruar e videos konfirmohet nga prania e gjurmës SynthID, detektuar nga Gemini, agjenti AI i Google.

Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.






