Nga një imazh i gjeneruar me inteligjencë artificiale te një lajm i rremë që përsëritet nga një portal anonim dhe përfundon në një ekran televiziv kombëtar, mënyra se si prodhohet dhe shpërndahet informacioni ka ndryshuar me shpejtësi.
Në këtë mjedis, sfida nuk është më vetëm të përcaktohet nëse një pretendim është i vërtetë apo i rremë. Pyetja është edhe kush e prodhon një narrativë, si përhapet ajo, kush e amplifikon dhe çfarë mekanizmash ekzistojnë për ta mbrojtur publikun nga manipulimi.
Kjo pyetje ishte në qendër të konferencës “Kush e mbron integritetin e informacionit në epokën e platformave” organizuar nga Faktoje, në partneritet me Hibrid.info dhe Ambasadat e Francës në Shqipëri dhe Kosovë.
Në diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve, medias, shoqërisë civile dhe akademikë, në një kohë kur Shqipëria po punon për përafrimin e kuadrit të saj me standardet europiane për shërbimet digjitale.
“Beteja e narrativave” nuk ndalet në kufij
Për ambasadoren franceze në Shqipëri, Catherine Suard, mbrojtja e hapësirës informative është pjesë e një sfide më të gjerë europiane. Duke iu referuar qasjes së diplomacisë franceze ndaj asaj që e cilësoi si “beteja e narrativave”, Suard theksoi nevojën për të kaluar nga reagimi pasi një narrativë manipuluese është përhapur, te një qasje më proaktive.
“Fati që kemi është se nuk jemi të vetëm në veprimin në një sferë që përbën një sfidë kolektive, përfshirë edhe në një vend që, si Shqipëria, për një kohë të gjatë e besonte veten të mbrojtur nga ky fenomen”, tha diplomatja franceze.

Në një mjedis ku teknologjia dhe platformat digjitale mundësojnë përhapjen e shpejtë të përmbajtjeve, mbrojtja e integritetit të informacionit, sipas këtij këndvështrimi, nuk mund të kufizohet vetëm te lufta ndaj lajmeve të rreme. Ajo kërkon bashkëpunim mes institucioneve, medias, shoqërisë civile dhe aktorëve europianë.
Zbatimi i DSA-së në Shqipëri
Për Vincent Couronne, anëtar i Organit Drejtues të European Fact-Checking Standards Netëork (EFCSN), përgatitja për zbatimin e Aktit Europian për Shërbimet Digjitale nuk duhet të nisë vetëm me anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Kush është përgjegjës për integritetin e informacionit? Jo një aktor i vetëm, por disa, ku secili bën atë pjesë që mund ta bëjë në mënyrë legjitime. Platformat duhet t’u nënshtrohen detyrimeve për transparencë dhe zbutje të rreziqeve, jo të lihen në vetërregullim”,tha ai.
Sipas tij, Shqipëria duhet të ndërtojë që tani kapacitetet dhe mekanizmat që do ta bëjnë kuadrin funksional. Në këtë drejtim, ai identifikoi pesë prioritete. E para është përcaktimi i Koordinatorit të Shërbimeve Digjitale. Shqipëria duhet të përcaktojë autoritetin që do të marrë këtë rol, qoftë përmes një rregullatori ekzistues apo përmes një institucioni të ri. E dyta është pavarësia e këtij autoriteti. Sipas Couronne, ai duhet të jetë i mbrojtur nga udhëzimet e subjekteve publike apo private dhe të ketë kontroll mbi buxhetin e vet. E treta është koordinimi i kompetencave, në mënyrë që përgjegjësitë e institucioneve të mos mbivendosen. E katërta lidhet me mekanizmat konkretë të mbrojtjes së përdoruesve, përfshirë mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve jashtë gjykatës dhe krijimin e një kuadri kombëtar për certifikimin e “sinjalizuesve të besuar” (trusted flaggers). Dhe e fundit, transparenca e platformave.

Couronne iu referua Nenit 40 të DSA-së, që parashikon mundësi aksesi në të dhënat e platformave për kërkues të verifikuar. Sipas tij, kjo është e rëndësishme për të kuptuar mënyrën se si funksionojnë platformat dhe për t’i mbajtur ato të përgjegjshme.
Roli i institucioneve
Në këtë kuadër, Valbona Alikaj nga AKEP konfirmoi gatishmërinë e institucionit për të marrë rolin e Koordinatorit të Shërbimeve Digjitale në kuadër të DSA-së. AKEP, sipas saj, nuk do të monitorojë apo kontrollojë përmbajtjen online. Roli do të lidhet me koordinimin e institucioneve kompetente dhe komunikimin me platformat kur kërkohet ndërhyrje.

Zbatimi i DSA-së kërkon, sipas Alikajt, bashkëpunim mes institucioneve dhe shoqërisë civile. Qëllimi, theksoi ajo, nuk është kufizimi i lirisë së shprehjes, por krijimi i një kuadri të unifikuar për shërbimet digjitale dhe mbrojtjen e përdoruesve.
“Qëllimi përfundimtar është që qytetarët shqiptarë të konsumojnë informacion të sigurt dhe të marrin shërbime të mbrojtura në platformat digjitale”, tha Alikaj.
Nga ana tjetër, kryetarja e Këshillit të Ankesave në AMA Mirela Oktrova, e vendosi çështjen në një pikë tjetër të rëndësishme: si të ruhet ekuilibri mes lirisë së shprehjes dhe rregullimit.

“Roli i rregullatorit nuk është të përcaktojë një të vërtetë zyrtare, por të krijojë kushtet që informacioni të prodhohet me përgjegjësi, të verifikohet në mënyrë të pavarur dhe të vlerësohet në mënyrë kritike nga publiku”,tha ajo.
Sipas Oktrovës, sfidat lidhen me standardin demokratik, kufijtë e kompetencave dhe nevojën për ekspertizë e bashkëpunim ndërinstitucional. Një tjetër element, sipas saj, është edukimi i audiencës dhe zhvillimi i mendimit kritik.
Nga verifikimi i fakteve te gjurmimi i narrativave
Për Faktoje, e cila është pjesë e rrjetit të EFCSN, integriteti i informacionit nuk mund të mbrohet vetëm duke verifikuar një deklaratë pasi ajo është bërë publike. Drejtoresha ekzekutive e Faktoje.al, Klodiana Kapo, e vendosi theksin te nevoja që gazetaria të shkojë përtej verifikimit të një pretendimi dhe të analizojë origjinën, kontekstin dhe mënyrën e përhapjes së një narrative.
“Kush e përhap, si shpërndahet dhe kush përfiton prej saj”, janë, sipas saj, pyetje që duhet t’i shoqërojnë procesit të verifikimit.
Kapo paralajmëroi gjithashtu për përmbajtjet anonime në rrjetet sociale, ku shpesh mungojnë autorësia dhe përgjegjësia editoriale. “Gjysmë e vërteta është helmi që ka vrarë gazetarinë. Sot jemi të gjithë në një shesh lufte që mbizotërohet nga gjysmë të vërtetat, nga propaganda e brendshme dhe dizinformimi i huaj.

Në këtë panoramë, Kapo kërkoi edhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare kundër Dezinformimit, transparencë për reklamat politike në platformat digjitale dhe më shumë edukim mbi mënyrën se si funksionojnë algoritmet, manipulimi emocional dhe burimet anonime.
“Edukimi mediatik duhet të integrohet në shkolla,universitete, administratën publike dhe edukimin në komunitet. Duhet të përfshijë njohuri praktike mbi algoritmet, manipulimin emocional dhe burimet anonime”, tha Kapo.
Dezinformimi nuk ndalet në kufi
Nga Shqipëria në Kosovë, Shkëlzen Osmani, themelues dhe kryeredaktor i Hibrid.info, e vuri theksin te nevoja për reagim përpara se një narrativë manipuluese të arrijë te publiku. Inteligjenca artificiale e ka bërë prodhimin e përmbajtjeve manipuluese më të shpejtë dhe më të lirë, ndërsa reagimi vetëm pasi informacioni është përhapur mund të jetë i vonuar.
“Përvoja na ka treguar se identifikimi i aktorëve të dëmshëm dhe demaskimi i përmbajtjeve të tyre, megjithëse të domosdoshme si proces, nuk janë të mjaftueshme. Nëse reagojmë vetëm pasi një përmbajtje është publikuar, shpërndarë dhe të ketë arritur një numër të madh qytetarësh, vazhdimisht do të merremi vetëm me pasojat”,tha ai.

Për këtë arsye, Osmani kërkoi koordinim mes mediave, institucioneve, universiteteve, platformave dhe shoqërisë civile, përfshirë bashkëpunimin rajonal.
Rasti i Shqipërisë dhe Kosovës, sipas diskutimit, është tregues se narrativat manipuluese nuk ndalen në kufijtë shtetërorë, ndaj edhe përgjigjja ndaj tyre kërkon bashkëpunim përtej kufijve.
Kur informacioni i rremë vishet si lajm
Raste konkrete të manipulimit solli Iris Luarasi, kryetare e Nënkomisionit për Dezinformimin dhe Ndërhyrjen e Huaj. Sipas Luarasit, dezinformimi mund të përdoret për të ndikuar te reagimet e publikut dhe për të minuar besimin. Shqipërisë, tha ajo, i nevojitet një mekanizëm i qëndrueshëm për t’iu përgjigjur këtyre rreziqeve, ndërsa Nënkomisioni i ri parlamentar synon të ketë rolin e vet në këtë drejtim.
“Dua të jem e qartë se çfarë nuk është ky nënkomision: nuk është ministri e të vërtetës, nuk është censurë dhe nuk do ta bëjë kurrë nën kontroll mospajtimin legjitim, sepse në çastin që luftojmë dezinformimin duke u mbyllur gojën qytetarëve, ja kemi dhuruar me duar tona kundërshtarit fitoren”, tha Luarasi.

Ajo iu referua, ndër të tjera, imazheve të gjeneruara me AI për Zvërnecin dhe një rasti personal të përhapjes së një lajmi të rremë në rrjet.
Ku vendoset kufiri mes informimit dhe privatësisë?
Integriteti i informacionit lidhet edhe me mënyrën se si përdoren të dhënat personale. Besa Velaj nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit u ndal te raporti mes lirisë së shprehjes, të drejtës për informim dhe mbrojtjes së të dhënave personale, veçanërisht në punën e medias. Sipas saj, kuadri i ri për mbrojtjen e të dhënave personale kërkon një balancim rast pas rasti mes të drejtës së publikut për informim dhe privatësisë.
“Unë do të ftoja që ta shikonim mbrojtjen e të dhënave jo si pengesë dhe jo si barrë, por si një promovues të përgjegjshëm për një qasje etike në fushën e gazetarisë, jo si një barrë administrative, por si një kulturë që duhet promovuar edhe në ambientin mediatik”, tha ajo.

Velaj e lidhi këtë çështje edhe me rrezikun e profilizimit dhe përdorimit të të dhënave për të ndikuar te opinioni publik.
Edukimi mediatik si linja e fundit e mbrojtjes
Përtej rregullimit dhe përgjegjësisë së platformave, një pjesë e diskutimit u përqendrua te aftësia e qytetarëve për të dalluar informacionin e besueshëm nga manipulimi.
Mark Marku, dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, tha se teknologjia ka decentralizuar prodhimin e informacionit, duke bërë të mundur që një përmbajtje e manipuluar të arrijë miliona klikime përpara se të verifikohet.
“Unë mendoj që pikërisht sot ka nevojë për gazetari më shumë se kurrë. Agjencitë e informacionit dhe gazetarët duhet të kenë pikërisht këtë vetëdije: në qoftë se do të qëndrojnë në treg, nuk qëndrojnë duke konkurruar me platformat sociale për klikime, por për shkak të informacionit të saktë e të verifikueshëm”, tha ai.

Një hap konkret në këtë drejtim është ngritja e Laboratorit të Verifikimit të Fakteve pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, në bashkëpunim me Faktoje dhe GIZ. Laboratori pritet të nisë punën në javët e ardhshme dhe synon të përgatisë gazetarë për një mjedis informativ ku përmbajtja manipuluese prodhohet dhe shpërndahet më shpejt se kurrë.






