Një muaj para zgjedhjeve lokale të majit 2023, kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu premtoi se të moshuarit dhe kategoritë në nevojë në Lezhë do të përfitonin rimbursimin e gjysmës së biletës së transportit urban.
“Në buxhetin e vitit 2024 do vlerësohet rimbursimi i gjysmës së biletës së transportit urban për moshën e tretë dhe kategoritë e tjera në nevojë”, deklaroi Ndreu gjatë një takimi me banorë në Shënkoll.
Në Lezhë nuk ka shërbim transporti publik brenda zonës urbane, por lëvizjet drejt dhe nga njësitë administrative mbulohen nga operatorë privatë të licensuar nga Bashkia.
Disa prej banorëve në zonat më të largëta të Lezhës, si Ishull-Shëngjini, shprehen se mungesa e transportit publik ua vështirëson lëvizjen, veçanërisht të moshuarit.
Ata thonë se do të mjaftonte edhe një linjë autobusi të paktën një herë në ditë, për t’u lidhur me qytetin dhe për të kryer nevojat bazë.

Skema e rimbursimit nuk është miratuar
Tre vite më vonë, premtimi ende nuk është zbatuar.
Në janar të këtij viti, pas verifikimeve të Faktoje, Bashkia Lezhë tha se situata kishte ndryshuar pjesërisht.
Sipas saj, kishte përfunduar projekti ndërkombëtar (SMART LAND 1) dhe kishte nisur zbatimi i projektit SMART LAND 2, në kuadër të të cilit ishte parashikuar blerja e një automjeti për transportin publik, ndërsa masa për rimbursimin e biletës do të përfshihej në Planin e Transportit që pritej të hartohej gjatë vitit 2026.
Për këtë arsye, premtimi u kategorizua atëherë nga Faktoje si “pjesërisht i mbajtur”.
Por në përgjigjen e fundit zyrtare për Faktoje.al Bashkia Lezhë pranon se nuk ka ende një Plan të Transportit Urban të miratuar.
Institucioni thotë se hartimi i tij është parashikuar të realizohet brenda vitit 2026.
Më tej, Bashkia sqaron se pa këtë plan si rrjedhojë nuk është miratuar as skema konkrete e rimbursimit të 50% të biletës për të moshuarit dhe kategoritë në nevojë.
Kjo do të thotë se, deri në shtator 2026 kur Faktoje.al kreu verifikimet, nuk ka një vendim për kategoritë përfituese, fondin që do të përdoret apo datën e nisjes së rimbursimit.
Bashkia Lezhë thotë se Plani i Transportit Urban do të shërbejë si bazë për organizimin e lëvizshmërisë në qytet dhe për lehtësimin e shërbimeve për qytetarët.
Por procedura për hartimin e dokumentit rezulton të jetë ende në proces.
“Për sa kohë nuk është miratuar akoma plani i transportit urban nuk parashikohen dot fonde për vënien në zbatim të skemës së rimbursimit”, thuhet në përgjigjen zyrtare për Faktoje.

Autobusi shtyhet për në vitin 2027…
Në përgjigjen e fundit, Bashkia sqaron se deri tani është realizuar vetëm studimi i nevojave për transportin në zonat rurale dhe urbane dhe hartat e stacioneve.
Blerja e autobusit nuk është kryer ende.
Sipas Bashkisë, ajo është planifikuar për një fazë tjetër të projektit, konkretisht në gjashtëmujorin e parë të vitit 2027.
SMART LAND 2 është pjesë e projektit të financuar nga Bashkimi Europian përmes programit Interreg IPA South Adriatic 2021–2027, që synon përmirësimin e mobilitetit dhe transportit publik në zonat rurale dhe periferike.
Nga premtimi për 2024 te pritja për 2027
Në tetor 2024, Faktoje konstatoi se në buxhetin e Bashkisë Lezhë nuk kishte fonde të planifikuara për rimbursimin e biletës dhe se bashkia nuk ofronte transport urban.
Në nëntor 2025, situata vijonte të ishte e pandryshuar: nuk kishte plan strategjik për transportin publik në zonën urbane dhe as fonde të parashikuara për rimbursimin. Në atë kohë, Bashkia tha se po punonte për një plan transporti.
Në janar 2026, Bashkia njoftoi nisjen e SMART LAND 2 dhe planifikimin e një autobusi për moshën e tretë, duke e bërë Faktoje ta kategorizonte premtimin si “pjesërisht të mbajtur”.
Por verifikimi i shtatorit 2026 tregon se as skema e rimbursimit nuk është miratuar, as plani i transportit nuk është miratuar dhe blerja e autobusit është shtyrë për vitin 2027.
Tre vite pas premtimit, përfituesit ende nuk kanë një skemë rimbursimi dhe as një afat të përcaktuar për nisjen e saj.
Përfundim
Edhe pse Bashkia ka ndërmarrë hapa në drejtim të hartimit të një plani transporti dhe përfshirjes së Lezhës në projektin SMART LAND 2, këto masa nuk kanë sjellë ende zbatimin e premtimit konkret për rimbursimin e biletës.
Premtimi i kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, për rimbursimin e gjysmës së biletës së transportit urban për të moshuarit dhe kategoritë në nevojë, mbetet i pambajtur.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët






