I rrezikshëm ky përdorim i Ivermectinës si kurë universale

11

Pretendimi: Antiparazitari Ivermectin përdoret te njerëzit për të trajtuar gjithfarë sëmundjesh, nga Covid-19 deri te kanceri.

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————————

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, vijon të qarkullojë keqinformim lidhur me antiparazitarin Ivermectin, i cili promovohet si një kurë mrekullibërëse, e cila shëron gjithfarë sëmundjesh, nga kanceri tek Covid-19, dhe për këtë është mbajtur e fshehtë. 

Ç’është veçanërisht shqetësuese është që postimet shoqërohen me foton e një versioni të injektueshëm të ivermektinës të destinuar për lopët dhe derrat, dhe këshillon marrjen e 3 mililitrave në një gotë lëng portokalli. Dozat me mililitra zakonisht përdoren për kafshët, ndërsa njerëzit e marrin antiparazitarin në formë tabletash me doza në miligram. Kjo mund t’i shtyjë lexuesit ta blejnë produktin në formulën e tij për kafshët, një ide e refuzuar në mënyrë të qartë nga farmacistët.

Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave miratoi përdorimin e ivermektinës “për të trajtuar disa krimba parazitarë”, ndërsa formulimet në formë pomade janë të disponueshme për morrat e kokës dhe rosacea, skuqjen e lëkurës.

Ivermectina është provuar të jetë “klinikisht efektive kundër infeksioneve të caktuara nga krimbat dhe zgjebja”, tha për AFP Akos Heinemann, drejtues i kërkimit në departamentin e farmakologjisë në Universitetin Mjekësor të Grazit.

“Çdo gjë tjetër është spekulim i bazuar në të dhëna shkencërisht të pambështetshme ose thjesht është i sajuar”, tha ai.

Ivermektina ka efekte anësore të mundshme serioze si skuqje të lëkurës, të vjella dhe dëmtim të mundshëm të mëlçisë.

Në vitin 2021, mes rritjes së numrit të rasteve drejtuar qendrave të helmimit, Departamenti kanadez i Shëndetit lëshoi ​​një paralajmërim kundër marrjes së ivermektinës jashtë etiketës ose në versione për bagëtinë. “Kanadezët nuk duhet të konsumojnë kurrë produkte shëndetësore të destinuara për kafshët për shkak të rreziqeve të mundshme serioze shëndetësore, duke përfshirë kriza, komë dhe madje edhe vdekje”, tha institucioni.

Heinemann tha se “dhënia ose marrja e ivermektinës jashtë indikacioneve të saj të miratuara është neglizhencë e rëndë.”

Monika Redlberger-Fritz, studiuese në Qendrën për Virologji në Universitetin Mjekësor të Vjenës, u pajtua. “Ivermektina duhet të përdoret vetëm siç është autorizuar; të gjitha përdorimet e tjera nuk janë të rekomanduara”, tha ajo për AFP.

Nuk ka prova të mjaftueshme për pretendimin se barnat antiparazitare si ivermectina janë efektive në trajtimin e kancerit te njerëzit.

Ndërsa antiparazitarë hidroksilklorina dhe ivermectina janë testuar në disa studime paraklinike për të përcaktuar efektin e tyre në qelizat kancerogjene, për momentin, këto studime nuk ofrojnë provat e nevojshme për të arritur në përfundimin se secili nga ilaçet trajton në mënyrë efektive kancerin te njerëzit.

Rezultatet e këtyre studimeve janë gjithashtu të përziera. Disa raportuan se klorokina, një ilaç që është shumë i ngjashëm me hidroksilklorinën, mund të ngadalësonte rritjen e tumorit te minjtë, por studime të tjera vëzhguan rritjen e përshpejtuar të tumorit.

Njësoj, studimet për efektin e ivermectin në kancer deri më tani janë të kufizuara në studimet paraklinike në kulturat qelizore (qelizat që rriten në laborator). Susanne Arnold, një drejtore e asociuar për përkthimin klinik në Qendrën e Kancerit Markey në Kentaki, tha për Associated Press se studime të tilla nuk janë të mjaftueshme për të provuar se ilaçi funksionon tek njerëzit, duke shtuar: “Unë nuk di asnjë raport të provave klinike që kanë dhënë rezultate të suksesshme te njerëzit me kancer”.

Peter Lee, kryetar i departamentit të imunonokologjisë në City of Hope, i cili kryen kërkime mbi efektin e ivermectin në kancerin e gjirit në kombinim me ilaçe të tjera, i tha AFP se “ivermectin është në gjendje të vrasë qelizat e kancerit”, por se kjo duhet të kombinohet me “aktivizimin imunitar” dhe “ne jemi në procesin e të zbuluarit.”

Ai gjithashtu theksoi se kombinimet e barnave funksionojnë vetëm me doza të caktuara të marra në kohë specifike: “Thjesht të thuash se dikush duhet të marrë pak ivermectin që mori nga një veteriner – kjo nuk do të shkonte aspak.”

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) i tha Deutsche Presse-Agentur në gusht 2025 se “aktualisht nuk ka prova që mbështesin përdorimin e ivermectinës si ilaç për kancerin.”