Pretendimi: Turistet e huaja po ngrenë akuza të rreme për dhunë seksuale kundër shqiptarëve me qëllim marrjen e pagesave deri në 30 mijë euro nga siguracioni në vendet e tyre me paraqitjen e një denoncimi policor.
Verdikti: E paprovuar
————————————————————————
Në gusht 2026, në rrjetet sociale dhe mediat shqipfolëse nisi të qarkullonte pretendimi se turiste të huaja që vijnë në Shqipëri kanë bërë denoncime të rreme për përdhunim kundër vendasve, me qëllim vjeljen e dëmshpërblimeve deri në 30 mijë euro nga siguracioni në vendet e tyre me paraqitjen e një denoncimi policor.

Në disa raste, postimet i referohen disa rasteve që pretendohet se janë raportuar në Vlorë dhe në Himarë.
Megjithatë, në një përgjigje zyrtare për Faktoje, Policia e Shtetit sqaron se gjatë periudhës së verës janë regjistruar 3 kallëzime nga shtetase të huaja për ngacmime seksuale, nga të cilët dy janë tërhequr, ndërsa për vetëm një rast jane referuar materialet në prokurori dhe vijojnë hetimet. Policia mohoi të kishte evidentuar ndonjë skemë të tillë mashtrimi.
“Nga verifikimet dhe hetimet e kryera nga shërbimet e DVP Vlorë dhe komisariatet e Policisë Vlorë dhe Himarë për këto raste, nuk është evidentuar ose provuar ekzistenca e një skeme të organizuar ose e ndonjë kallëzimi të bërë me qëllim përfitimin e pagesave nga kompanitë e sigurimeve në vendet përkatëse. Gjithashtu, nuk disponohen të dhëna që të provojnë se tërheqja nga kallëzimet është bërë si pasojë e zbulimit të një skeme të tillë,” deklaroi Policia.
Më tej, pretendimi që po qarkullon në rrjete sociale duket keqkupton se si funksionojnë paketat e sigurimit.
Mimoza Hajdarmataj nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë tha për Faktoje se nuk ishte në dijeni se ekzistonte një paketë sigurimi që parashikon një pagesë të tillë vetëm me paraqitjen e një raporti policor.
Sigurimi bazë shëndetësor për udhëtarët drejt vendeve Schengen mbulon shpenzime mjekësor deri në 30 mijë euro.
Megjithatë, siç sqaroi zonja Hajdarmataj, në politikat e sigurimit asnjë shumë nuk i paguhet automatikisht të siguruarit pa dorëzuar dokumentacione të plota mbi shpenzimet që janë kryer për rikuperim. Në rast të një sulmi seksual, këto mund të përfshijnë trajtimin e dëmtimeve fizike, hospitalizimin, analizat, barnat, riatdhesimin dhe, në disa polica, këshillimin psikologjik.
Raporti policor mund të jetë një nga dokumentet që kërkohen për verifikimin e rrethanave, por nuk është i mjaftueshëm për të përfituar automatikisht pagesë. Kërkesa do të shqyrtohet nga njëherë nga siguruesi dhe duhet të mbështetet me dokumentacion mjekësor dhe fatura që provojnë shpenzimet.
Deklarimet e rreme, simulimi i ngjarjes dhe veprimet e qëllimshme për përfitim nga sigurimi e pëjashtojnë të siguruarin nga mbulimi dhe mund të sjellin përgjegjësi ligjore për mashtrim në sigurime.
“Meqenëse turistet mund t’i kenë blerë policat në vende të ndryshme, ekzistenca e ndonjë mbulimi specifik duhet verifikuar në kontratën konkrete, duke identifikuar siguruesin dhe shtetin ku është lëshuar polica, megjithatë, edhe një mbulim i tillë nuk do ta kthente raportin policor, në vetvete, në të drejtë automatike për një pagesë prej 30,000 eurosh,” tha zonja Hajdarmataj.
Një pretendim i tillë për denoncime të rreme nga turistet e huaja qarkulloi disa vite më parë edhe në ishujt grekë apo Qipro, por në të dyja këto vende organizatat e viktimave raportojnë se problemi kryesor është nën-raportimi, jo denoncimet e rreme. Nuk ka asnjë rast të dokumentuar ku një turiste ka marrë para nga siguracioni për një denoncim përdhunimi.






