Pretendimi: Videoja tregon momentin kur një objekt i ndezur hidhet qëllimisht nga ajri dhe shkakton zjarr
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————————-
Në kulmin e zjarreve që kanë pushtuar vendin gjatë ditëve të fundit të gushtit, postimi i pamjeve të një zjarri të qëllimshëm shkakton normalisht interes në rrjetet sociale. Një video e tillë e një “topi zjarri”, i qëlluar në ajër dhe që zbret nga ajri drejt një masivi pyjor, u publikua në 5 shtator nga portale dhe profile shqipfolëse në Facebook. “E vërtet apo konspiracion?! Zjarri hidhet qëllimisht nga ajri”, shkruhet në postimin që shoqëron pamjet.

Postimet nuk tregojnë se ku dhe kur janë regjistruar pamjet apo cili është burimi i tyre dhe pothuaj të gjitha komentet që i shoqërojnë shprehin besimin se bëhet fjalë për zjarret në territorin shqiptar.
Verifikimi i Faktoje tregoi se videoja e shpërndarë bashkon tri materiale të ndryshme. Në fillim të videos shfaqet një kompleks fetar dhe, pas tij, një objekt i ndezur që zbret drejt një mali të mbuluar me pyje.
Faktoje bëri një kërkim me Google Lens. Rezultatet e identifikuan kompleksin si Manastiri Ulije, i njohur edhe si Manastiri i Shën Premtes, pranë Leposaviqit në veri të Kosovës.
Një version i videos ishte publikuar më 27 gusht 2026 në YouTube nga llogaria “Jugosloveni”, me titullin: “Incident i dyshimtë në Leposaviq – një top zjarri ra në pyll mes Shën Premtes dhe Kamiljes”.

Përshkrimi pretendon se objekti i ndezur ra në pyllin mes Manastirit të Shën Premtes dhe kodrës Kamilja, pranë një kryqi.
I njëjti material dhe përshkrim u shpërndanë edhe nga llogari të tjera në Facebook dhe Instagram.
Këto elemente tregojnë se fragmenti i parë nuk është nga Shqipëria, por nga Leposaviqi në Kosovë. Videoja përfundon pasi objekti i ndezur zbret dhe humbet mes pemëve.
Këto pamja janë publikuar nga mediat serbe nën dyshimin se zjarri hidhej nga territori i Kosovës për të djegur pyllin pranë manastirit serb, duke detyruar policinë e Kosovës që të përgënjeshtroi një sulm të tillë.
Më 24 gusht 2026, Policia e Kosovës reagoi ndaj këtyre raportimeve duke i mohuar pretendimet se pajisja ishte lëshuar nga territori i Kosovës drejt Serbisë. Sipas reagimit të Policisë së Kosovës, asnjë institucion i Kosovës nuk ka përdorur një armë të tillë dhe njësitë e Policisë së Kosovës nuk kanë evidentuar ndonjë rast ku një pajisje e tillë të jetë hedhur apo lëshuar nga territori i Kosovës.
Përtej keqinterpretimit që ngjallin këto pamje, në videon e ndarë në portalet shqiptare në shtator, janë shtuar fragmente të shpërthimit të një zjarri menjëherë pas pamjeve origjinale. Renditja krijon përshtypjen se objekti ra në pyll dhe shkaktoi flakët e shfaqura në vazhdim.
Faktoje kërkoi me Google Lens imazhin ku shfaqet një pemë e përfshirë nga flakët. Kërkimi çoi te një video nga zjarri në rezervatin natyror Deliblatska Peščara, në Serbi. Në videon e gjetur shënohet data 21 gusht 2026. Krahasimi pamor tregon të njëjtën pemë, bimësi, drejtim të flakëve dhe tym në sfond.

Në këtë periudhë, Deliblatska Peščara po përballej me një zjarr masiv që kishte përfshirë mijëra hektarë pyje. Më 22 gusht, Serbia kërkoi ndihmë përmes mekanizmit të mbrojtjes civile të BE. Helikopterë dhe ekipe zjarrfikëse nga vende të tjera u angazhuan në operacion.
Fragmenti tjetër i shtuar në videon e publikuar në Shqipëri tregon një zjarr të madh gjatë natës. Kërkimi i këtij imazhi me Google Lens dha rezultate vizualisht të ngjashme me pamje nga zjarret në zonën e Krujës gjatë natës së 9 gushtit.

Videoja e publikuar nuk dokumenton një ngjarje të vetme. Ajo bashkon pamjet e një objekti të ndezur të filmuar pranë Manastirit Ulije në Leposaviq, një fragment nga zjarri në Deliblatska Peščara të Serbisë dhe vijimin e zjarreve në Krujë gjatë natës.
Faktoje e kategorizon videon si manipulim.






