Erjon Abule
Kuvendi i Shqipërisë rikthehet sot në aktivitet parlamentar me seancën e parë plenare të sesionit të ri, e cila pritet të nisë pasditen e kësaj të hëne në orën 17:00.
Mbledhja e parë pritet të ketë një karakter kryesisht ceremonial, ndërsa në fokus do të jetë edhe betimi i Klodiana Spahiut si ministre e re e Shëndetësisë, pas firmës së Presidentit, Bajram Begaj
Por seanca e sotme do të zhvillohet në një situatë të ngarkuar politikisht.
Mungesat
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të mungojë në sallën e Kuvendit, pasi ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në Konventën e Republikanëve.
Pavarësisht karakterit ceremonial të seancës së parë, sesioni i ri parlamentar pritet të shoqërohet me debate të forta politike.
Një prej çështjeve që pritet të rikthehet në qendër të diskutimeve, është edhe propozimi i Partisë Socialiste për një riorganizim të ndarjes administrative-territoriale, i cili parashikon ndryshime të rëndësishme në strukturën e pushtetit vendor, përfshirë edhe “shkrirjen” e 15 bashkive.
Pjesë tjetër e rëndësishme e këtij sesioni pritet të jetë edhe reforma zgjedhore e cila, sipas afateve të shtyra sesionin e kaluar, pritet të përfundojë në muajin nëntor
Protestat
Në të njëjtën kohë, vëmendja do të jetë edhe jashtë ambienteve të Parlamentit.
Pas rreth 100 ditësh protestë përpara kryeministrisë, protestuesit kanë njoftuar zhvillimin e një tubimi edhe përpara Kuvendit.
Prej më shumë se 100 ditësh, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e të gjithë klasës politike, duke argumentuar se nuk ndihen të përfaqësuar nga institucionet dhe forcat politike aktuale.
Për shkak të protestës dhe zhvillimit të seancës plenare, pritet që Policia e Shtetit të marrë masa të shtuara sigurie në zonën përreth Kuvendit.
Masat do të synojnë menaxhimin e tubimit, ruajtjen e rendit publik dhe garantimin e lëvizjes së deputetëve dhe zyrtarëve drejt ambienteve të Parlamentit.
Rikthimi i Kuvendit në punimet parlamentare, pritet kështu të shënojë nisjen e një sesioni të ngarkuar, ku përballja politike mes mazhorancës dhe opozitës mund të shtrihet përtej sallës së Parlamentit, ndërsa protestat qytetare do të mbeten një tjetër element i rëndësishëm i zhvillimeve politike.






