Pretendimi: Që prej datës 24 gusht janë vënë re dukuri të aktivizimit të HAARP-it në Shqipëri
Verdikti: E pavërtetë
Një faqe shqipfolëse në Facebook pretendon se prej 24 gushtit 2026 është aktivizuar sistemi HAARP në Shqipëri. Si “shenja” të këtij aktivizimi, postimi rendit forma të ndryshme të reve, gjurmët e avionëve, tërmetet, temperaturat e larta, ndërprerjet e valëve telefonike dhe “irritimin e sistemit nervor apo nervit vagus”.

Postimi nuk sjell asnjë burim apo provë që lidh këto dukuri me HAARP.
HAARP (High-frequency Active Auroral Research Program) është një strukturë kërkimore në Alaska, SHBA, e përdorur për studimin e jonosferës, një pjesë e atmosferës së sipërme. Ai është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar në administrim Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.
Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.
Për shkak të funksionimit të tij, HAARP është bërë prej vitesh objekt i teorive konspirative që e lidhin me kontrollin e motit, tërmetet, përmbytjet dhe probleme të ndryshme shëndetësore. Por nuk ka prova shkencore që HAARP mund të kontrollojë motin apo të shkaktojë tërmete.
Temperaturat e larta dhe format e ndryshme të reve janë dukuri atmosferike që shpjegohen nga kushtet meteorologjike. Edhe gjurmët që lënë avionët në qiell, të njohura si contrails, krijohen nga kondensimi dhe ngrirja e avullit të ujit në lartësi të mëdha.
Asnjëra prej këtyre dukurive nuk është dëshmi se HAARP është aktivizuar. Po kështu, tërmetet shkaktohen nga çlirimi i energjisë së grumbulluar në koren e Tokës si pasojë e lëvizjes së pllakave tektonike. Nuk ka prova që HAARP ka aftësinë të shkaktojë tërmete.
Edhe pretendimet për ndërprerjet ose problemet me sinjalin telefonik mund të kenë shumë shkaqe teknike dhe nuk përbëjnë dëshmi për aktivitetin e HAARP. Po kështu, nuk ka prova që HAARP shkakton “irritim të nervit vagus” apo probleme të sistemit nervor.
Pretendime të ngjashme janë verifikuar disa herë nga Faktoje. Jo më larg se në muajin korrik, një tjetër pretendim e lidhte HAARP-in me valën e të nxehtit në Europë dhe një tërmet në Venezuelë. Edhe në atë rast, nuk u gjetën prova që HAARP kishte shkaktuar këto dukuri.






