Në një orë e gjysmë fjalim, kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar socialist, prezantoi disa ndryshime që, sipas tij, synojnë të riformojnë marrëdhënien e shtetit me qytetarin.
Rama u kërkoi deputetëve dhe ministrave që të ndryshojnë mënyrën e komunikimit me qytetarët përmes disa mekanizmave që do të jenë udhërrëfyes për modelin e ri qeverisës: “Besa”, “Pasqyrë Albania”, “Prania Besnike”, “Shkalla e Meritës”, si dhe për një “Radar digjital” që do të monitorojë çështjet që marrin vëmendje në hapësirën publike.
Sipas Ramës, këto masa synojnë të adresojnë tre probleme të cilat ai i konsideroi si ‘plagët e shtetit’: administratën ‘labirint’, mungesën e memories institucionale dhe perceptimin se njohjet vlejnë më shumë se merita.
Pasqyrë Albania- ‘Qytetari do të shohë qeverinë siç është’
Një prej mekanizmave të prezantuar ishte “Pasqyrë Albania”, që Rama e përshkroi si një mundësi për t’i dhënë qytetarëve akses më të madh në informacionin publik.
Platforma pritet të tregojë nëse një shërbim ka ngecur, sa kohë duhet të zgjasë përgjigjja dhe në çfarë faze ndodhet një kërkesë apo aplikim.
Në rast vonese, sipas Ramës, kjo duhet të bëhet e ditur; nëse një çështje ka përfunduar, duhet të publikohet prova e përfundimit; nëse është pezulluar, duhet të jepet arsyeja, ndërsa në rast anulimi duhet të bëhet i aksesueshëm vendimi përkatës.
Rama gjithashtu tha se qytetarët do të mund të zgjedhin edhe fushat për të cilat dëshirojnë të marrin njoftime.
Për shembull, një sipërmarrës mund të informohet në kohë reale për vendime apo urdhra të rinj që lidhen me biznesin e tij.
“’Pasqyrë Albania’ nuk është një pasqyrë ku qeveria shfaqet bukur përpara qytetarit, por është një pasqyrë, ku qytetari e shikon qeverinë siç është dhe një qeveri që nuk i duket bukur qytetarit në pasqyrë duhet të përballet me testin e aftësisë së vet dhe duhet të përballet me sfidën që të përmirësojë pamjen e vetë, jo pasqyrën”, tha ai.
Platforma do të përdoret, sipas tij, edhe për njoftimet në raste emergjencash, si përmbytjet dhe zjarret, në mënyrë që qytetarët të informohen drejtpërdrejt për situatën në zonën e tyre.
Rama paralajmëroi se një nga komponentët e parë të “Pasqyrës Albania” do të jetë “Flamingo Mirror”, ku do të publikohen të dhënat dhe dokumentet që lidhen me çështjen e Sazanit dhe Nartë- Pishë Poro.
Sipas tij, aty do të bëhen të aksesueshme dokumentet përkatëse, procesverbalet, statusi i negociatave dhe, në vijim, edhe projekte, studime mjedisore dhe materiale të tjera.
Informacioni, tha ai, do të jetë i mundshëm në shqip dhe anglisht.

Prania Besnike- Deputetët do të takojnë qytetarët çdo të premte
Rama njoftoi edhe nisjen e “Pranisë Besnike”, një proces që sipas tij do të zhvillohet çdo të premte në orën 17:00, në zona të ndryshme të vendit, përgjatë gjithë kohës që ai do të jetë kryetar i Partisë Socialiste.
Rama tha se prania e deputetëve në territor nuk duhet të matet vetëm me numrin e takimeve apo kilometrat e përshkuara, por me mënyrën se sa dëgjohen shqetësimet e qytetarëve.
Sipas tij, vendi dhe ora e takimeve duhet të publikohen paraprakisht, në mënyrë që qytetarët të dinë ku mund të gjejnë përfaqësuesit e tyre.
Ai e përshkroi “Praninë Besnike” jo si një mbledhje politike, por si një proces dëgjimi ballë për ballë, ku qytetarët do të mund të paraqesin shqetësimet e tyre dhe deputetët do t’i mbajnë ato shënim për t’ua referuar institucioneve përgjegjëse.
“’Prania Besnike’ nuk është kalendar elektoral, nuk është as kalendar organizative madje nuk është në fakt, një kalendar thjesht partie. Është pjesë e një sistemi që e kthen dëgjimin në kusht dhe kushtin në detyrim për t’u përgjigjur”, tha ai.
Rama tha se në këto takime nuk do të lejohen kamerat, ndërsa fotografitë në fillim të takimit do të bëhen vetëm me miratimin e pjesëmarrësve dhe pa ekspozuar fytyrat e tyre.
Ai theksoi gjithashtu se qytetarëve nuk do t’u kërkohet numri i telefonit dhe nuk do t’u premtohet ndërhyrje jashtë rregullave.
Sipas Ramës, deputetët nuk duhet të telefonojnë më drejtpërdrejt drejtorë apo drejtues institucionesh për zgjidhjen e problemeve individuale. Çështjet duhet të referohen me shkrim te institucioni kompetent dhe deputeti duhet të ndjekë më pas ecurinë e rastit në emër të qytetarit.
Ai shtoi se kur një problem kërkon ekspertizë profesionale, si në rastin e shërbimeve shëndetësore, deputeti nuk duhet të zëvendësojë specialistin, por të drejtojë qytetarin drejt zërit profesional.
Deputetët do të maten me 100 pikë
Në kuadër të “Pranisë Besnike”, Rama njoftoi edhe një modul për matjen e performancës së deputetëve me 100 pikë.
Vlerësimi, sipas tij, do të lidhet me punën parlamentare, praninë në territor, cilësinë e dëgjimit dhe përgjigjes ndaj qytetarëve, punën me strukturat dhe vlerësimin nga njerëzit.
Rama e cilësoi humbjen e kontaktit me qytetarët si një “model fatal” për një shumicë qeverisëse.
“Radari digjital” për sinjalet në rrjet
Një tjetër komponent i paralajmëruar është “Radari digjital”, i cili sipas Ramës do të ndjekë dinamikat dhe çështjet që marrin vëmendje në hapësirën publike.
Ai tha se qëllimi është që qeveria të jetë në gjendje të dallojë shqetësimin real të qytetarëve nga lajmet e rreme, presionet dhe informacionet e pasakta që qarkullojnë online.
“Radari nuk merret me njerëzit, nuk ndjek njerëz por ndjek dinamika, ndjek lëvizjen e çështjeve në sferën e interesit publik. Ne nuk mund të jemi një elefant që e marrin për hunde të gjithë llojet e specieve të botës digjitale”, tha ai.
Rama: Ndërhyrja e deputetit për punësim të bëhet vepër penale
Një nga deklaratat më të forta të mbledhjes ishte propozimi i Ramës që ndërhyrjet e deputetëve për punësime në administratë të konsiderohen vepër penale.
“Unë do të propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti për të futur dikë në punë të quhet vepër penale. Do t’ju shoh të gjithëve në sy dhe do t’ju kërkoj ta votoni. Çdo mesazh i çuar: ‘Fute këtë’, ‘shife atë’, të konsiderohet vepër penale”.
Sipas tij, punësimi dhe ngritja në detyrë duhet të bazohen te merita dhe jo te lidhjet politike apo personale.

Shkalla e Meritës- Punësimet në administratë do të kalojnë përmes një sistemi digjital
Një tjetër mekanizëm i prezantuar nga kryeministri Edi Rama ishte “Shkalla e Meritës”, e cila sipas tij synon të ndryshojë mënyrën e identifikimit dhe përzgjedhjes së profesionistëve për vendet e punës në administratë.
Sipas modelit të prezantuar, “Shkalla e Meritës” do t’i japë mundësi qytetarëve që kërkojnë punë në administratë, në Shqipëri apo jashtë vendit, të regjistrohen me një “pasaportë merite”, ku do të paraqesin arsimin, eksperiencën dhe profilin e tyre profesional.
Rama tha se sistemi do të identifikojë edhe nevojat për profesionistë në institucionet publike dhe do të njoftojë kandidatët kur të hapet një pozicion që përputhet me profilin e tyre, duke e zhvendosur këtë proces nga ndërhyrja e deputetëve te sistemi.
Një element kryesor i “Shkallës së Meritës” do të jetë provimi digjital.
Ai tha se vlerësuesit nuk do të dinë se cilin kandidat po vlerësojnë, ndërsa procesi do të jetë i automatizuar për të kufizuar mundësinë e ndërhyrjeve apo favorizimeve.
“Provimi bëhet digjital, nuk është vetëm një ekran por një sistem qe nuk kontestohet. Vlerësuesit janë të verbër fare se nuk dinë kë po vleresojnë. Ata që hyjnë në shkallën e meritës do kenë një kod”, tha Rama.
Në përfundim, vendimi do të certifikohet nga një komision, shtoi ai, ndërsa tha se synimi është që sistemi të krijojë një proces përzgjedhjeje më të mbështetur te merita dhe më pak te lidhjet personale.
Rama theksoi se këto mekanizma nuk janë ende të gjitha funksionale.
Sipas tij, “Pasqyrë Albania” kërkon ende pak kohë për t’u ndërtuar, ndërsa “Besa” është në proces ndërtimi në Kryeministri dhe pritet të shtrihet edhe në ministri përmes një sistemi kontraktual.
“Prania Besnike” është i vetmi mekanizëm që do të nisë më shpejt, më 4 shtator.






