Azili i gazetarëve shqiptarë, rrëfimet ekskluzive

Ky artikull sjell dëshmi rrëqethëse mbi rreziqet e profesionit dhe hendekun institucional në mbrojtjen e gazetarëve në Shqipëri

156
Foto ilustrim e gjeneruar me AI

Nga Anila Hoxha dhe Pandi Gjata

Pas 13 vitesh në vijën e parë të gazetarisë së përditshme, si reporter i rendit dhe kriminalitetit në Shqipëri, ai u ndje seriozisht i rrezikuar për jetën një ditë.

Ishte 17 qershori i vitit 2014.

Ai u fut për të raportuar në Lazarat të Gjirokastrës, zonë që atëbotë njihej si “fshati i kanabisit”, ku prej vitesh nuk shkelte këmba e njerëzve të shtetit. 

Ndonëse mjeti kishte logon e dallueshme të A1 Report, (medias për të cilën punonte) ai u qëllua me armë zjarri, ndërsa makinës së punës iu vu flaka.

Për Gerti Xhajën, ngjarja e Lazaratit ishte momenti më kritik dhe më i rëndë për të si gazetar.

”Ishte hera e parë që u ndjeva realisht i frikësuar. Ndoshta sepse tashmë nuk isha më vetëm gazetar, por edhe prind e kryefamiljar. Përgjegjësia ishte shumë më e madhe dhe nuk mund të përballeshe më njësoj me njerëz që kishin specialitet dhunën dhe krimin”, e nis rrëfimin e tij për ”Faktoje”.

Gjatë karrierës së tij si gazetar, Gerti Xhaja u bë i njohur për investigimin e trajtimit diskriminues të pagave të misioneve ushtarake shqiptare në zonat e luftës, si dhe, për ekspozimin e një rrjeti trafikantësh të vajzave drejt Greqisë. 

Gjithashtu, ai raportoi dhunimin e tij nga policia lokale në Lushnjë, një çështje që atë kohë nxiti debate të forta edhe në Parlament.

Por, Gerti nuk hoqi dorë deri ditën kur, duke raportuar aksionin e parë anti-kanabis të policisë në Lazarat, ai u gjend përballë një kërcënimi serioz.

”Ishte dita e tretë e përplasjes mes policisë dhe personave të armatosur në Lazarat. Në atë kohë flitej për tentativa negociatash për nxjerrjen e parave dhe largimin e personave të kërkuar (përpara hyrjes së policisë në fshat). Ne vendosëm të futeshim për të raportuar nga afër. Pa hyrë ende në brendësi të fshatit, automjeti ynë u godit me armë, u ndalua dhe më pas u dogj. Na nxorën nga makina ndërsa qëllonin mbi kokat tona. Ishte e pabesueshme që kishim dalë gjallë, pasi plumbat kishin përshkuar mjetin ku ndodheshim. Në një moment na vendosën të katërt përballë një muri për të na ekzekutuar. Ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime. Ndihesha përgjegjës për tre kolegët e mi dhe në të njëjtën kohë, mendoja për djalin tim, që mund të mbetej jetim”, rrëfen Gerti.

Ne foto: Makina e djegur e AiReport ne Lazarat ne vitin 2014

Edhe sot, pas 12 vitesh, nga Suedia ku jeton, ai kujton me mirënjohje ndërhyrjen e disa banorëve të zonës, që i shpëtuan jetën.

“Ata argumentuan se vrasja e gazetarëve do ta përshkallëzonte situatën në një konflikt të përgjakshëm me policinë. Pas rreth një ore pengmarrjeje dhe kërcënimesh, na lanë të lirë”, tregon ai.

Duke u kthyer pas në kohë, Gerti kujton se atëkohë policia përcolli një njoftim zyrtar për ngjarjen.

“Por më vonë nuk kam pasur asnjë informacion tjetër. Përveç deklarimeve që dhashë atë ditë, nuk jam kontaktuar më as nga policia dhe as nga prokuroria”,  thotë Gerti Xhaja.

“Ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime. Ndihesha përgjegjës për tre kolegët e mi dhe në të njëjtën kohë, mendoja për djalin tim, që mund të mbetej jetim” – Gerti Xhaja

Tani, pas më shumë se një dekade që nga marrja e azilit me familjen e tij, Xhaja ka ndryshuar profesion. 

Ai vijon të ketë bindjen se rreziku që i kanosej për shkak të raportimeve, ka prekur drejtpërdrejt edhe bashkëshorten e tij, Mirjeta Ngjela gjithashtu gazetare, si dhe, të birin.

Shifrat kokëforta

Në një përgjigje zyrtare për “Faktoje”, Kostaq Beluri, Drejtor i Koordinimit Institucional në Prokurorinë e Përgjithshme, konfirmon se përgjatë vitit 2026 janë regjistruar pesë kallëzime të reja penale, nga të cilat një nuk ka filluar, një tjetër është në proçes verfikimi, ndërsa për tre të tjera janë regjistruar procedime penale.

“Sa i takon të dhënave për procedimet penale që lidhen me sulme dhe kërcënime të gazetarëve dhe punonjësve të medias, për periudhën e viteve 2023- 2025 referuar të dhënave statistikore rezultojnë pesë procedime penale të dërguara për gjykim dhe pesë procedime penale që vijojnë në fazë hetimit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme.

Ndërkohë, Blerjana Bino sjell shifra të tjera, duke theksuar se Prokuroria nuk ka një sistem të unifikuar të mbledhjes  dhe ruajtjes të të dhënave mbi këto sulme.

“Të dhënat që kemi janë 22 raste për sulme direkte për 2024 dhe 2025, por asnjë vendim fajësie” – Blerjana Bino

“Të dhënat që kemi janë 22 raste për sulme direkte për 2024 dhe 2025, por asnjë vendim fajësie”, deklaroi për “Faktoje” Drejtoresha Ekzekutive e SCiDEV, Blerjana Bino.

Hezitimi

Gjatë këtij investigimi, disa gazetarë që janë larguar nga vendi për shkak të kërcënimeve gjatë ushtrimit të detyrës dhe që kanë fituar azilin, zgjodhën të mos i bëjnë publike historitë e tyre.

Dashamir Biçaku, gazetar me një karrierë të gjatë në Shqipëri, i cili u largua befas nga vendi, insiston se nuk ka kërkuar azil. 

Megjithatë, arsyet e largimit të tij nga profesioni, ku spikatej si një ndër zërat më premtues të gazetarisë investigative, mbeten ende enigmë.

“Sfida e ardhjes në Francë dhe instalimi këtu për ne nuk lidhen me subjektin, me kërcënimet dhe me frikën. Nëse ika unë, dikush tjetër duhet të më ketë zëvendësuar po aq denjësisht, kështu që frika s’mund të ketë rol kur jemi të zëvendësueshëm. Padrinot janë të pazëvendësueshëm”, thotë Biçaku për “Faktoje”, i cili e vazhdon gazetarinë nga shteti ku aktualisht jeton bashkë me familjen.

Vendimi  

Për Ledia Canaj, kërkimi i azilit dhe jeta në kampet e emigrantëve ishte bileta e saj e shpëtimit. 

Me një karrierë të nisur në 2004, ajo e ndjeu rrezikun për jetën gjatë vitit 2015.

“Gjatë raportimeve për korrupsion zgjedhor dhe shit-blerje vote në Tiranë ne siguruam dëshmi dhe filmime konkrete. Pas publikimit, presionet u bënë më të forta dhe kaluan përtej kufijve normalë të profesionit. Në atë moment kuptova se rreziku për një gazetar nuk është gjithmonë vetëm fizik. 

Vrasja e një gazetari mund të ndodhë edhe duke i mbyllur gojën, duke e izoluar, duke e kërcënuar, duke e bërë të ndihet i pambrojtur, i vetëm dhe i panevojshëm për sistemin”, tregon për “Faktoje”, Ledia.

“Kampi është një vend ku njeriu humbet kontrollin mbi jetën e vet. Pret. Hesht. Vëzhgon. Por unë nuk pushova së menduari si gazetare” – Ledia Canaj

Ky ishte pikërisht momenti kur ajo vendosi. 

Mori vajzën e vogël dhe kërkoi azil në Belgjikë, “për sigurinë e saj dhe të familjes”.

Si fillim provoi jetën në kampe.

“Periudha si azilkërkuese ishte shumë e vështirë. Kampi është një vend ku njeriu humbet kontrollin mbi jetën e vet. Pret. Hesht. Vëzhgon. Por unë nuk pushova së menduari si gazetare. Fillova të studioj ligjin europian, sistemet e migracionit dhe historitë e njerëzve që, si unë, kërkonin mbrojtje”, thotë Ledia.

Në Belgjikë, rrëfen ajo, rasti u trajtua brenda një kuptimi më të gjerë të rrezikut ndaj gazetarëve.

“Për mua, kjo ishte shumë e rëndësishme: sepse tregonte se kërcënimi ndaj gazetarit nuk matet vetëm me plagë në trup, por edhe me presion sistemik, me frikë të organizuar dhe me sabotim të fjalës së lirë”

Arsyet

“Tregu multimedial në Shqipëri numëron mbi 5,200 punonjës, nga të cilët mbi 2,170 ushtrojnë detyrën e gazetarit apo redaktorit” – Aleksandër Çipa.

Duke theksuar pasigurinë ekonomike dhe mungesën e garancive në median shqiptare, kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, vëren se numri i punonjësve të medias dhe gazetarëve që kanë kërkuar azil ndër vite mbetet i lartë.

“Në dijeninë tonë mbi 30 punonjës mediash kanë kërkuar azil ekonomik dhe social. Disa raste për arsye hakmarrjeje dhe disa për arsye kërcënimesh nga struktura kriminale dhe persona me pushtet. Ka edhe raste që e kërkojnë azilin për arsye të përndjekjes gjinore të tyre”, thotë Çipa për “Faktoje”.

Sipas studimeve të Unionit, tregu multimedial në Shqipëri numëron mbi 5,200 punonjës, nga të cilët mbi 2,170 ushtrojnë detyrën e gazetarit apo redaktorit.

Të dhënat që disponon Unioni i Gazetarëve tregojnë se në rastet e gazetarëve të kërcënuar janë ndeshur me dy kategori hetimesh.

Kategoria e parë përfshin hetimet e kryera nga vendet pritëse, ku kanë mbërritur gazetarët dhe punonjësit e medias shqiptare, si Franca, Suedia apo Holanda.

“Ndërsa nga organet shqiptare ka pasur interesim përmes kontaktesh dhe kërkesash informuese prej organizatave të gazetarëve, edhe pranë UGSH” , argumenton Çipa, i cili e ka një shpjegim për largimin e njerëzve të medias.

“Presioni i grupeve kriminale mbi raportues të tillë që vijojnë të këmbëngulin në çështje kriminale, që kanë tronditur opinionin publik, që implikojnë persona me pushtet dhe që zotërojnë asete të shumta financiare prej jetës dhe botës kriminale, janë arsye që disa reporterë të tillë të zgjedhin emigrimin, duke kryer procedura të azilit”, deklaron kreu i Unionit të Gazetarëve.  

Azili politik i gazetarëve nga Ballkani

Ndërkohë që në Shqipëri largimi i gazetarëve për të kërkuar azil politik në vendet e Bashkimit Europian apo në SHBA është një dukuri e njohur, në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut organizatat e gazetarëve atje nuk raportojnë statistika apo raste të ngjashme.

Në Kosovë rasti më i njohur dhe publik është ai i gazetares së njohur Arbana Xharra, që prej vitesh jeton në SHBA për shkak të kërcënimeve për jetën gjatë ushtrimit të detyrës së saj. 

Maqedonia e Veriut

I kontaktuar nga “Faktoje”, Mlladen Cadikovski nga Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut e vlerësoi temën si shumë të rëndësishme dhe me interes.

“Do të kontrolloj se çfarë të dhënash mund të kemi në lidhje me rastet e gazetarëve nga Maqedonia e Veriut që kanë kërkuar azil politik jashtë vendit. Megjithatë, duhet të theksoj se nuk jam i sigurt nëse ka statistika të konsoliduara ose zyrtare që ndjekin posaçërisht gazetarët në këtë kontekst, pasi raste të tilla zakonisht nuk regjistrohen sistematikisht si një kategori e veçantë.

Do ta shqyrtoj më tej këtë dhe do t’ju kontaktoj nëse gjej ndonjë informacion ose shembull përkatës që mund të jetë i dobishëm për artikullin tuaj”, ishte përgjigja e Mlladen Cadikovskit për “Faktoje”.

Por deri në publikimin e këtij artikulli kolegu nga Shkupi nuk gjeti një shembull apo informacion në lidhje me kërkesat e gazetarëve në RMV që kanë ikur dhe kanë kërkuar azil politik jashtë vendit.

Mali i Zi

Pavarësisht se Mali i Zi është shteti më i vogël në Ballkan, aty veprojnë disa shoqata dhe organizata të gazetarëve.

Marijana Camoviq Velickoviq, e cila ka mbajtur postin e kryetares së Sindikatës së Gazetarëve të Malit të Zi deri në vitin 2022, aktualisht shërben si nënkryetare.

Ajo kërkoi ndjesë për vonesën në përgjigje, duke shpjeguar se u desh kohë për t’u konsultuar me kolegët mbi tematikën e ndjeshme që po trajtonim.

“Kërkoj ndjesë për përgjigjen e vonuar por meqenëse nuk isha në dijeni se kishte pasur ose se ka raste që gazetarët në Mal të Zi kanë kërkuar azil politik, pyeta kolegët e mi. Askush nuk është në dijeni të diçkaje të ngjashme që i ka ndodhur dikujt”, thotë Marijana Camoviq Velickoviq për “Faktoje”.

Kosova

Xhemajl Rexha i Asosacionit të Gazetarëve të Kosovës tregon se organizata që ai drejton ka të regjistruar në databazën e vetë aktualisht 720 anëtarë, ku përfshihen gazetarë, kameramanë dhe fotografë. 

Por në Kosovë ka më shumë se aq, pasi anëtarësimi është vullnetar dhe jo të gjithë gazetarët duan të bëhen pjesë.

“Këtë shifër e kemi ndryshuar para më shumë se një 1 viti kur kemi bërë përditësimin kur kishim pak më shumë se 900 anëtarë. Ne dimë për një numër të vogël të gazetarëve që kanë ikur jashtë vendit duke kërkuar azil, me rastin më të njohur Arbana Xharra, që jeton në SHBA tash e disa vjet si pasojë e kërcënimeve për jetën për shkak të raportimeve të saj”, thotë për “Faktoje”, Rexha.

Në informacionet që ka Asosacioni, një numër i identifikueshëm i gazetarëve nga Kosova “kanë shkuar në vende të BE-së për perspektivë më të mirë ekonomike, kurse të tjerë për arsye krejtësisht private dhe familjare”.

“Rënia e numrit të anëtarëve lidhet edhe me faktin që ndër vite gazetarët e kanë lënë profesionin për t’iu bashkuar ekipeve të politikanëve, Qeverisë dhe institucioneve të tjera”, thotë Rexha.

Qarkorja e Prokurorisë 

Nga tetori 2024 vazhdon të jetë në fuqi një qarkore e firmosur nga Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela “Për hetimin e çështjeve që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe të mediave”.

Ajo doli garant se do të mundësonte koordinimin e veprimtarisë mes institucioneve për mbrojtjen e  gazetarëve nga çdo akt kërcënimi, dhune apo çdo veprim i paligjshëm që synon pengimin e tyre në ushtrimin e profesionit.

Në këtë qarkore premtohet se prokurorët do të ndjekin me përparësi çështjet, që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe mediave dhe do të mbikëqyrin punën e oficerëve të policisë gjyqësore që i hetojnë këto çështje për të siguruar shpejtësi hetimore.

Blerjana Bino thotë se qarkorja ka dhënë një puls për vëmendje më të madhe ndaj sigurisë.

”Ndërkohë të dhënat e pyetësorëve me gazetarët tregojnë se nuk ka ende shumë njohuri nga gazetarët për protokollin e policisë dhe prokurorisë dhe niveli i kallëzimeve vazhdon të jetë më i ulët se rastet e raportuara”, deklaron Bino.

Skënder Hita: Policia në krah të gazetarëve

Por Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, thekson se protokolli i sigurisë për gazetarët është plotësisht funksional, duke ofruar pika kontakti për adresimin e menjëhershëm të çdo kërcënimi apo rreziku gjatë ushtrimit të detyrës.

“Bashkëpunimi me median është një element kyç për rritjen e besimit të qytetarëve te Policia dhe për forcimin e sigurisë në shoqëri. Në çdo rast kur një gazetar ndihet i kërcënuar, shantazhuar apo kur dëmtohet prona e tij ose e familjarëve të tij, Policia e Shtetit reagon me përgjegjësi dhe profesionalizëm, duke e trajtuar çdo rast me përparësi. Çdo rast ndiqet nga grupe të posaçme hetimore, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, me angazhim maksimal dhe profesional për zbardhjen e ngjarjeve, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve” thotë për “Faktoje”, kryepolici Skënder Hita.

Gazetarit që iu dogj makina në derën e shtëpisë

Qysh prej 26 prillit të këtij viti, kur automjeti iu dogj në derë të shtëpisë në Bulqizë, gazetari Sami Curri nuk ka marrë asnjë informacion lidhur me hetimet që po ndiqen nga prokuroria lokale.

Për Currin, i cili nisi të raportonte dhe të investigonte mbi minierat dhe prokurimet publike që kur ishte në vitin e dytë të Fakultetit të Gazetarisë, çështja e tij vështirë të duket se po trajtohet me përparësi.

“Ndihem i rrezikuar, besoj se do ketë një tentativë për shkatërrim prone prapë për të më dhënë mesazh dhe për të më përcjellë klime frike” – Sami Curri

“Ndihem i rrezikuar, besoj se do ketë një tentativë për shkatërrim prone prapë për të më dhënë mesazh dhe për të më përcjellë klime frike. Unë kam pasur mundësi të largohem nga Shqipëria dhe nga Bulqiza, po ndjesia ime është se duhet tu shërbej energji dhe forcë qytetarëve” nis rrëfimin e tij për “Faktoje” gazetari Curri.

Thotë se pas ngjarjes, pati mbështetje deklarative, por hetimet nuk kanë ecur.  “Nuk jam thirrur asnjëherë mbas ngjarjes për të më dhënë sqarime, nuk kam pasur asnjëherë ftesë. Hetimi është i vakët, e kam thënë që në momentin e parë që ata s’kanë kapacitete” shton gazetari Curri.

Në këtë situatë, ai është detyruar të ulet dhe të shkruajë një memo për prokurorin e çështjes për ta pyetur se çfarë po ndodh mbi hetimet.

Pista e gazetarit është vetëm një, sulmi për shkak të detyrës.

“Unë besoj që ka qenë e lidhur me një hulumtim mbi një tenderim, dhe duke qenë se nuk ia dolën, ata zgjodhën gjënë më të lehtë, i vunë flakën automjetit. Unë denoncova, i kam nisur letër prokurorit të çështjes se ku janë hetimet”, vijon Curri. 

“Problem nuk është ligji”

Kur sigurimi i provave bëhet i vështirë dhe gazetarët mbeten në pritje të organit të akuzës për zyrtarizimin e procedimeve gjyqësore, kreu i Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj, thekson se problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e ligjeve, por te zbatimi i tyre.

“Vetëm hetime të shpejta, të pavarura dhe me rezultate konkrete mund të rikthejnë besimin e gazetarëve se shteti është në gjendje t’u garantojë sigurinë dhe lirinë” – Isa Myzyraj

“Në shumë raste hetimet ecin me ritme të ngadalta, nuk ka transparencë mbi ecurinë e tyre dhe gazetarët mbeten pa informacion për atë që po bëhet. 

Kjo krijon mosbesim dhe perceptimin se autorët mund të mbeten të pandëshkuar. 

Ne kemi kërkuar vazhdimisht që çdo kërcënim ndaj një gazetari të trajtohet me prioritet, të hetohet në mënyrë profesionale dhe të ketë komunikim të rregullt me viktimën. Vetëm hetime të shpejta, të pavarura dhe me rezultate konkrete mund të rikthejnë besimin e gazetarëve se shteti është në gjendje t’u garantojë sigurinë dhe lirinë për të ushtruar profesionin” thotë për “Faktoje”, Myzyraj.

Epilog

Në këto 36 vite në Shqipëri, kemi parë një plejadë gazetarësh të talentuar, të cilët, përmes integritetit dhe përkushtimit të tyre, kanë zbuluar të vërtetën dhe skandalet, kanë denoncuar korrupsionin dhe ekspozuar rrjetet kriminale. 

Sot, një pjesë e tyre vazhdon ta përmbushë këtë mision me ndershmëri. 

Shumë të tjerë e kanë braktisur profesionin ose e kanë parë si një “trampolinë” karriere. 

Të tjerë janë detyruar të largohen jashtë vendit në kërkim të azilit ose një jetese më të mirë.

Breza të tërë kanë kaluar përmes këtij profesioni, por pasioni i patundur për të kërkuar të vërtetën dhe refuzimi për të bërë kompromise, edhe kur kërcënimi të troket në derën e shtëpisë ka mbetur jo për shumicën.