E gjeneruar kjo përballje e ushtrisë spanjolle me mish derri ndaj marokenëve

5

Pretendimi: Kjo video tregon ushtrinë spanjolle që lufton kundër emigrantëve marokenë duke u hedhur mish derri

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————————————-

Një video e pazakontë që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon personel dhe automjete ushtarake që hedhin proshutë derri drejt një turme. Ajo shoqërohet me pretendimin se tregon ushtrinë spanjolle që po lufton kundër emigrantëve marokenë. Mishi i derrit është i ndaluar në Islam, feja mbizotëruese në Marok dhe Ceuta, enklavën spanjolle që pa kalimin e kufirit të mbi 50 mijë emigrantëve marokenë në fund të korrikut.

Madridi dërgoi me shpejtësi trupa, dronë, zhytës dhe barka në enklavën që ndodhet në Afrikën veriore. Gazetarët e AFP në Ceuta vunë re një prani masive policore dhe ushtarake, dhe disa të rinj u panë duke u kthyer për në Marok pasi u thanë lamtumirë oficerëve.

Megjithatë, video e mësipërme dukshëm nuk është e vërtetë, por është gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është botuar fillimisht më 30 korrik 2026 dhe është etiketuar si “Bërë me AI.”

“E bëra këtë video me Seedance 2.0 në Yapper! Më pyet çfarë të duash,” shkruantë autori në një postim pasues po atë ditë. Yapper është një platformë krijimi përmbajtjeje që u lejon njerëzve të krijojnë video duke përdorur Seedance 2.0, një model AI nga gjigandi kinez i teknologjisë ByteDance.

Në fund të korrikut 2026, rreth 50 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Autoritetet spanjolle kanë numëruar të paktën 72 të vdekur, ndërsa Shoqata Marokene për të Drejtat e Njeriut thotë se numri i të vdekurve është afër “130 viktimave,” përveç “dhjetëra personave të zhdukur.” Rreth 1000 të mitur mbeten në Ceuta, duke qëndruar pa familjet e tyre në një vend të huaj.