Nga Jona Cenameri
Rasti i gazetarit nga Bulqiza, Sami Curri, të cilit iu dogj makina në një ngjarje të dyshuar si zjarrvënie e qëllimshme për shkak të detyrës, riktheu në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë së gazetarëve në Shqipëri.
Sulmi, që vetë Curri dhe aktorët mediatikë në vend e lidhën me punën e tij, u pa si një mesazh intimidues ndaj raportimit lokal dhe një tregues i rrezikut real që hasin gazetarët në terren.
Takimi
Në jehonën e kësaj ngjarje, gazetarë, deputetë, pedagogë, drejtues mediash, përfaqësues institucionesh dhe organizatash mediatike, së bashku me përfaqësues të Policisë së Shtetit, u mblodhën më 29 prill në aktivitetin e radhës së Platfomës për Dialog, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ku diskutimi u dominua nga ky rast dhe nga problematikat më të gjera të sigurisë në profesionin e gazetarit.

Takimi u hap nga dekani i fakultetit, profesor Mark Marku, i cili theksoi rëndësinë e këtij dialogu si një hapësirë ku përfaqësues të policisë dhe medias takohen drejtpërdrejt, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe garantimin e sigurisë së gazetarëve në praktikë.
Raportimi në polici
Përfaqësuesi i Policisë së Shtetit, Ardit Bita, e nisi fjalën duke folur për Udhëzuesin për Sigurinë e Gazetarëve, i cili ka hyrë në fuqi që prej majit 2025, dhe qarkoren e prokurorisë “Për hetimin e çështjeve që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe të mediave”.
Në vijim, ai solli shifra që tregojnë rritje të rasteve të raportuara: nga 2-3 raste në vit në secilin nga vitet 2020-2024, në 21 raste gjatë vitit 2025 dhe 8 raste deri tani për vitin 2026.
I pyetur për rastin e Currit nga drejtuesja e Faktoje.al, Klodiana Kapo, ai bëri me dije se policia e qarkut Dibër ka vendosur kontakt të menjëhershëm me gazetarin, ndërsa hetimet vijojnë pa dhënë detaje për të mos dëmtuar procesin.
Bita theksoi gjithashtu se gazetarët duhet të raportojnë rastet në polici dhe të mos ndalen vetëm te postimet në rrjete sociale. Nga pala e policisë u theksua se një nga problemet kryesore mbetet fakti që udhëzuesi nuk është njohur mjaftueshëm nga gazetarët.
Deputetja, dhe nënkryetarja e komisionit të Medias, Iris Luarasi, bëri thirrje për përhapjen më të gjerë të këtij udhëzuesi, në mënyrë që gazetarët të njohin të drejtat e tyre dhe të kërkojnë zbatimin real të tyre. Zonja Luarasi tha se rasti i gazetarit Curri duhet të zbardhet sa më shpejt.
Gjatë diskutimit, gazetarët theksuan nevojën për transparencë të vazhdueshme nga institucionet, duke kërkuar që hetimi të mos përdoret si argument për mungesë informacioni.
Problemi më i gjerë
Diskutimi u orientua drejtpërdrejt te rasti “Curri”, i cili u cilësua si një ndër më flagrantët e kohëve të fundit, duke nxitur nevojën për reagim institucional proporcional dhe hetim të shpejtë dhe transparent.
Konflikti
Gazetari Roden Hoxha nga ACQJ ngriti shqetësimin për një konflikt të mundshëm interesi, duke vënë në dukje se roli i njëkohshëm i Gentian Mullajt si zëdhënës i policisë, koordinator për të drejtën e informimit dhe pikë kontakti për gazetarët mund të krijojë efekt frikësues (“chilling effect”) dhe të dekurajojë raportimin e rasteve.
Sipas tij, këto funksione duhet të ndahen për të garantuar integritetin e procesit dhe besimin e gazetarëve.
Standardet
Ekspertja e së drejtës kushtetuese Migena Leskoviku theksoi se, sipas raportit të fundit të BE-së në tetor 2025, nga tre kritere kryesore vetëm një është përmbushur. Dy kriteret e papërmbushura, siguria e gazetarëve dhe transparenca e pronësisë së medias, mbeten problematike.
Ajo nënvizoi se këto standarde duhet të përmbushen realisht dhe jo vetëm formalisht, ndërsa një vlerësim i ri nga BE pritet në qershor 2026.
Juristja Irena Dule nga Res Publica kërkoi më shumë fokus te monitorimi i zbatimit dhe ndjekja e kallëzimeve për shkelje, duke theksuar se udhëzuesi është zbatuar pjesërisht dhe në disa raste nuk është ndjekur siç duhet.
Gazetarët në rrethe
Përfaqësuesja e Këshillit të Europës ngriti shqetësimin për gazetarët që punojnë në qytete të vogla, si në rastin e Currit, duke theksuar se ata janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve, një pikë që u nënvizua edhe nga Klodiana Kapo.
Nga BIRN Albania, drejtuesja Kristina Voko theksoi se gazetarët operojnë në një terren kompleks, ku në disa raste strukturat e rendit apo drejtësisë mund të jenë të ndikuara nga krimi, duke e bërë të vështirë marrjen e mbrojtjes së duhur. Sipas saj, gazetari shpesh detyrohet të kërkojë mbrojtje nga i njëjti institucion që kritikon.
Nga delegacioni i BE-së në tryezë u kërkua rishikimi i protokolleve dhe përfshirja e gazetarëve në hartimin e tyre, në mënyrë që ato të reflektojnë nevojat reale të profesionit dhe standardet evropiane.
Siguria
Në përfundim, diskutimi i tryezës evidentoi faktin se përtej kuadrit ligjor, sfida kryesore mbetet zbatimi në praktikë dhe ndërtimi i besimit mes gazetarëve dhe institucioneve, që duhet t’i mbrojnë.






