I gjeneruar ky ushtar maroken që qëllon emigrantët që kthehen nga Ceuta

7

Pretendimi: Ky imazh tregon një ushtar maroken duke goditur me gur një emigrant që po përpiqej të kthehej nga Ceuta në Marok

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

———————————————————-

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një ushtar maroken duke goditur me gur një emigrant që po përpiqej të kthehej nga Ceuta në Marok. Ky imazh publikohet si pjesë e dyshimeve për një organizim të qëllimshëm të Marokut të fluksin të emigrantëve që pushtuan enklavën spanjolle. 

Në fund të korrikut 2026, rreth 50 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Autoritetet spanjolle kanë numëruar të paktën 72 të vdekur, ndërsa Shoqata Marokene për të Drejtat e Njeriut thotë se numri i të vdekurve është afër “130 viktimave,” përveç “dhjetëra personave të zhdukur.” Rreth njëmijë të mitur mbeten në Ceuta, duke qëndruar pa familjet e tyre në një vend të huaj.

Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk tregon zbrapsjen e emigrantëve marokenë që po ktheheshin nga Ceuta. Ai është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Imazhi përmban të meta që zakonisht tregojnë përmbajtjet e gjeneruara si tekstura të shtrembëruara në shkëmbinj, përzierje jonormale e detajeve në veshje dhe pozicioni anatomikisht i pasaktë i duarve të oficerit të policisë dhe struktura e fytyrës dhe helmetës së tij.

Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.

Edhe pse imazhi mund të mos jetë autentik, disa video të filmuara nga kënde të ndryshme tregojnë një incident të ngjashëm pranë Fnideq, qytetit maroken në kufi me Ceutën.

Agjencia e lajmeve AFP raportoi përleshje me emigrantët e paligjshëm që përfshinin forcat marokene të sigurisë në zonë dhe publikoi imazhe që tregonin oficerë të pajisur me pajisje për trazira të krahasueshme me ato që shihen në imazhin e gjeneruar nga inteligjenca artificiale.