Kujdes nga kura popullore e specit djegës në çorape

47

Pretendimi: Vendosja e specit djegës në shputat e këmbëve shëron disa sëmundje

Verdikti: I pavërtetë

Barbara Halla

Pretendimi se vendosja e specit djegës brenda çorapeve mund të ndihmojë në shërimin e sëmundjeve ose të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin e gjakut është i pabazuar. Ky pretendim është rikthyer së fundmi në Facebook përmes një postimi që përdor pothuajse të njëjtën foto, të njëjtën gjuhë dhe të njëjtën narrativë si artikuj të publikuar vite më parë, të cilët janë verifikuar dhe hedhur poshtë nga Faktoje.

Edhe më herët, Faktoje ka analizuar këtë pretendim dhe ka konstatuar se ai bazohet në një interpretim të shtrembëruar të informacionit. Në versionin që po qarkullon aktualisht nuk paraqiten prova shkencore, nuk citohen studime dhe nuk specifikohen sëmundjet që pretendohet se mund të trajtohen, megjithëse titulli lë të kuptohet se bëhet fjalë për një metodë me efekte të gjera shëndetësore.

Në fakt, substanca aktive e specit djegës, kapsaicina, është studiuar për vetitë e saj biologjike dhe përdoret në disa produkte mjekësore, si kremra apo preparate për lehtësimin e disa llojeve të dhimbjes. Megjithatë, nuk ekzistojnë prova shkencore që vendosja e specit djegës të papërpunuar brenda çorapeve përmirëson qarkullimin e gjakut apo shëron sëmundje.

Studimet mbi kapsaicinën i referohen kryesisht konsumit të specit djegës ose përdorimit të përbërësit të përpunuar në produkte farmaceutike të testuara, jo aplikimit të specit të freskët në lëkurë. Përkundrazi, kontakti i drejtpërdrejtë i specit djegës me lëkurën mund të shkaktojë irritim, djegie dhe reaksione të padëshiruara, veçanërisht tek personat me lëkurë të ndjeshme.

Postimi që po qarkullon aktualisht nuk sjell asnjë informacion të ri, por riciklon një pretendim të vjetër, duke ripërdorur pothuajse të njëjtin tekst dhe të njëjtën figurë. Bazuar në verifikimin e mëparshëm të Faktoje dhe mungesën e provave shkencore që mbështesin këtë praktikë, pretendimi se vendosja e specit djegës në çorape ndihmon në shërimin e sëmundjeve është i rremë.