Ekipi anglez nuk përdori Viagra para përballjes me Meksikën në Botëror

34

Pretendimi: Skuadra britanike u përgatit të përdorë Viagrën për të përballuar problemet shëndetësore kundër Meksikës në Botëror

Verdikti: Mungon Konteksti

Barbara Halla 

Pretendimi se kombëtarja e futbollit angleze do të përdorte Viagra për të përballuar efektet e lartësisë në ndeshjen kundër Meksikës në Kupën e Botës 2026 ka marrë dhenë si në mediat botërore dhe ato shqiptare. Edhe pse medikamenti sildenafil (i njohur me emrin tregtar Viagra) nuk është i ndaluar nga Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) dhe është studiuar për efektet e tij në lartësi të mëdha, nuk ka asnjë provë që Anglia planifikoi ta përdorte atë si pjesë të përgatitjeve për ndeshjen në stadiumin “Azteca.” 

Me datë 5 korrik, Anglia luajti kundër Meksikës në kryeqytetin e kësaj të fundit. Pak ditë para nisjes së ndeshjes, pretendimi u përhap në disa portale duke sugjeruar se mjekët e kombëtares angleze “me shumë mundësi do të përdorin viagrën” për të ndihmuar lojtarët të përballojnë mungesën e oksigjenit në Mexico City, që ndodhet rreth 2,240 metra mbi nivelin e detit. Megjithatë, këto pohime nuk mbështeten nga deklarata zyrtare apo prova konkrete. 

Lajmi ka zanafillën nga tabloid anglez “The Sun”, i njohur për lajme skandaloze. Në titullin e artikullit nuk thuhet që skuadra angleze do ta përdori Viagrën, por thjesht që ky medikament nuk është i regjistruar në listën e medikamenteve që ndalohen nga WADA. Vetë autori i artikullit nënvizon se pavarësisht kësaj hipoteze nuk kishte asnjë plan zyrtar nga federate britanike për t’iu drejtuar Viagrës. Megjithatw, titulli i “The Sun” ka mjaftuar qw lajmi tw shpwrndahet si i vwrtetw nw shumw media dhe portale sportive në botë.

I pyetur për raportimet, trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, i hodhi poshtë ato, duke deklaruar se informacioni nuk është i vërtetë. Edhe mesfushori Jordan Henderson i trajtoi me humor spekulimet gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes. 

Siç e shpjegon Yahoo News, është e vërtetë se sildenafil fillimisht u zhvillua për trajtimin e hipertensionit pulmonar dhe se disa studime kanë shqyrtuar nëse ai mund të përmirësojë qarkullimin e gjakut dhe furnizimin me oksigjen në kushte të lartësive të mëdha. Megjithatë, rezultatet shkencore janë të përziera dhe nuk provojnë se medikamenti përmirëson në mënyrë domethënëse performancën sportive te atletët e shëndetshëm. Për këtë arsye, ai nuk konsiderohet një substancë që rrit performancën në gara.

Edhe pse Viagra nuk figuron në listën e substancave të ndaluara të WADA-s, nuk ekziston asnjë provë publike që kombëtarja e Anglisë e përdori atë në ndeshjen kundër Meksikës.

Shënim: Data 20 korrik 2026 faqja radar.albania e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.