Java e 6-të, si po ndryshon protesta, nga flamingot tek lodhja që nuk dorëzohet

18

Në javën e gjashtë, protesta kundër projektit në Pishë Poro-Nartë hyn në një fazë më të lodhur, por më të ashpër: pjesëmarrja luhatet, kërkesat politike bëhen më të dukshme, çështja rikthehet në Parlamentin Europian, ndërsa tensionet me policinë dhe dilemat për mënyrën si duhet të vazhdojë lëvizja e bëjnë sheshin më të brishtë, por ende të pranishëm.

Nga Jona Cenameri

Në javën e gjashtë të protestës, dy të rinj që kanë qenë aty prej ditëve të para shihen rastësisht në sy dhe buzëqeshin.

Pa thënë shumë, si njerëz që e dinë se janë lodhur, por edhe se ende nuk janë dorëzuar.

Sepse pas 38 ditësh, protesta kundër planeve per nje resort turistik në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës nuk matet më vetëm me numrin e njerëzve në shesh. Matet edhe me ata që vijnë vonë pas pune, me ata që qëndrojnë vetëm disa minuta, me ata që pyesin njëri-tjetrin “ishe dje?”, me ata që janë larguar jashtë vendit, por vazhdojnë ta mbështesin nga rrjetet sociale.

Kur protesta nisi më 31 maj, askush nuk mund ta parashikonte se korriku, në vend që t’i gjente shqiptarët plazheve, do t’i gjente ende në shesh.

Por në javën e gjashtë të saj, ajo që nisi si kundërshtim ndaj një projekti ende te pamiratuar në Zvërnec është kthyer në një revoltë më të gjerë kundër mënyrës se si merret vendimi publik, si trajtohet prona e përbashkët, si sillet shteti me qytetarët dhe si përgjigjet pushteti kur sfidohet.

“Ka ndryshuar shumë”, thotë një burrë i moshës së mesme, që e përmbledh protestën me një fjali: “Nga rezistencë ndaj një projekti, në një protestë të bindur kundër një modeli të shtrembër qeverisjeje”

Në fillim ishte Zvërneci.

Ishin pamjet e gardhit dhe të buldozerëve, përplasjet me banorë e aktivistë, tërheqja zvarrë e një banori te Zvërnecit nga policia private, në sy të Policisë së Shtetit. 

FOTO NGA JONA CENAMERI

Tirana 

Ishte debati për zonën e mbrojtur, ndryshimet ligjore, mungesa e transparencës dhe frika se një prej ekosistemeve më të rëndësishme të vendit po i hapej rrugë betonizimit.

Revolta më pas u zhvendos në Tiranë.

Filloi me 31 Majin, ndërsa më 1 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, turma nisi e paqartë, e përzier me një protestë tjetër në Sheshin “Skënderbej”. 

Pak nga pak, përmes thirrjeve dhe megafonit, u nda drejtimi: për Nartën, drejt Ministrisë së Mjedisit.

Për atë që protestuesit e shihnin si një “projekt që po avanconte pa transparencë dhe në dëm të pasurisë publike”.

Nuk kishte një lider të vetëm, nuk kishte një podium që kontrollonte turmën dhe nuk kishte as një mesazh të vetëm. Njerëzit kishin dalë për Zvërnecin, por flisnin edhe për korrupsionin, largimin nga vendi, pensionet, shëndetësinë, mungesën e perspektivës, mediat, policinë, qeverinë, opozitën.

 Thirrja që e mbylli natën e parë ishte e thjeshtë:

“Nesër më shumë!”

Në ditët e para, protesta mori fytyrën e brezit Gen Z.

Në vend të pankartave tradicionale politike, në shesh u shfaqën meme, anime, batuta televizive, screenshot-e nga Spotify, ilustrime me inteligjencë artificiale dhe flamingo që u kthyen shpejt në simbol të lëvizjes.

Foto nga Jona Cenameri

TikTok-u, Instagram-i dhe protesta dukej sikur ishin shkrirë në një. 

Një video bëhej story, një pankartë kthehej në meme, një mik ftonte një mik tjetër, një repost mblidhte dhjetëra njerëz të rinj në shesh.

Në ato ditë, protesta kishte humor dhe ritëm

Ishte e ashpër në thirrje, por e lehtë në formë. Kishte zemërim, por edhe lojë. Kishte patriotizëm, por edhe ironi. Kishte flamuj, daulle, këngë, pankarta dhe fotografi të pafundme nga telefonat e të rinjve.

“Protesta ka qenë madhështore tre ditët e para”, thotë një student 20-vjeçar nga Tirana.

Por sipas tij, diçka ndryshoi kur protesta nisi të marrë më shumë formë.

“Në momentin që u vendos fonia, u kthye në miting partie. Mos flasim për nivelin që dalin dhe flasin. Hiqni foninë, kthejeni protestën e njerëzve, jo të hierarkisë”, thotë ai, pa dashur të identifikohet më emër.

Foto nga Jona Cenameri

Debati 

Ky është një nga debatet që vazhdon ta shoqërojë protestën nga brenda.

A duhet të vazhdojë të jetë një protestë që udhëheq vetveten? Apo duhet të ketë strukturë, kërkesa të artikuluara, folës dhe përfaqësim?

Në ditët e para, mungesa e një drejtuesi ishte forca e saj. Në javën e gjashtë, e njëjta mungesë është edhe dilemë.

Kërkesat 

Që në ditët e para, protesta pati pesë kërkesa të artikuluara.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, anulimin e paketës së ashtuquajtur të “maleve”, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore, të cilat sipas tyre rrezikojnë pasuritë natyrore dhe historike të vendit.

Në fillim, kërkesat ishin të lidhura me kauzën mjedisore, trashëgiminë kulturore dhe modelin e zhvillimit që protestuesit e shihnin si të orientuar drejt interesave private.

Por me kalimin e ditëve, ato u zgjeruan.

Foto nga Jona Cenameri

Platforma 

Në ditën e 23-të të protestës, grupi organizator doli me kërkesa më të gjera politike, ku përfshihej dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore jopartiake me mandat 12-mujor, ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore, ruajtja e kërkesave fillestare për ligjet e kontestuara, si dhe hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit.

Ishte momenti kur protesta tentoi të përkthehej në një platformë më të plotë politike.

Pak ditë më vonë, një grup prej 13 firmëtarësh publikoi një ultimatum në emër të “Grupit Koordinues”.

Pikëpyetja 

Por në shesh, kjo nuk e zgjidhi pyetjen e përfaqësimit.

Për shumë protestues, ultimatumi ekziston më shumë në rrjete sociale dhe në kronika mediatike sesa në përditshmërinë e protestës. Po t’i pyesësh në shesh, jo të gjithë e dinë që ekziston. Jo të gjithë dinë çfarë përmban. Jo të gjithë dinë kush e ka firmosur. Dhe jo të gjithë ndihen të përfaqësuar prej tij.

Në shesh, secili duket se vjen ende me hallin e vet.

Një banor flet për Zvërnecin, flet për frikën se një ditë mund të mos e njohë më vendin e tij.

Një aktivist flet për ligjin e zonave të mbrojtura, për ligje që ndryshojnë pa u dëgjuar qytetarët.

Një i ri kërkon dorëheqjen e Ramës, sepse nuk ndihet më i përfaqësuar.

Një qytetar përballë policisë flet për shtetin që duhet ta mbrojë, por që shumëkush në protestë e përjeton si mur.

Një tjetër kritikon mediat, sepse ndien se ajo që ndodh në shesh nuk tregohet siç shihet nga aty.

Një vajzë flet për motrën që nuk merr shërbimin shëndetësor që i duhet dhe për lodhjen e një familjeje.

Një prind flet për arsimin, për fëmijët dhe për pyetjen se çfarë vendi po u lihet pas.

Një pensionist flet për pamundësinë ekonomike dhe për një pleqëri pa dinjitet.

Prandaj edhe pse protesta ka tashmë kërkesa të shkruara, një platformë politike, një ultimatum dhe një grup firmëtarësh, ajo nuk është shndërruar ende në një trup të vetëm politik.

Organizatorët flasin në emër të protestës. Por sheshi vazhdon të flasë në shumë zëra.

Foto nga Jona Cenameri

Kërkesa që nuk ndryshon 

Në mbrëmje, megjithatë, kërkesa që dëgjohet më fort mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. 

Ajo përsëritet nga fonia, nga turma, nga pankartat dhe nga grupet që marshojnë çdo natë para Kryeministrisë.

Zvërneci ishte shkëndija.

Por nuk është më e vetmja arsye pse njerëzit dalin.

Një e re, emigrante në vendet e Bashkimit Europian, thotë se duhet të largohet sërish në javën e tretë të korrikut. Por që prej nisjes së protestës ka lënë punët e saj dhe ka qëndruar në shesh pa afat.

Thotë se do të kthehet prapë.

Një tjetër i ri, content creator që jeton në Londër, vijon ta mbështesë protestën nga Instagrami pasi iu desh të largohej nga Shqipëria.

Një 30 e ca vjeçar nga Tirana e quajti veten “dezertor” sepse kishte ikur disa ditë me pushime.

Të tjerë vijnë një ditë po, një ditë jo. Disa nuk arrijnë dot në fillim dhe bashkohen më vonë. Disa qëndrojnë vetëm pak minuta.

Diaspora 

Kulmi i pjesëmarrjes u ndie në fundjavën e 20 dhe 21 qershorit. Në ato ditë, sheshi ishte më i mbushur, energjia më e fortë dhe vëmendja ndërkombëtare më e dukshme. 

Njerëz nga diaspora por edhe Kosova e Maqedoni e Veriut ishin aty  për t’iu bashkuar protestës.

Eurodeputetët

Deputetë të Parlamentit Europian vizituan Shqipërinë, folën në protestë, takuan qytetarë dhe zhvilluan takime edhe me ministrin e Mjedisit. Në qershor, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë për Shqipërinë ku kërkohej moratorium i menjëhershëm në Vjosë-Nartë dhe rishikimi i ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura, duke shprehur shqetësim për zhvillimet në zonë.

Më 1 korrik, “Revolucioni i Flamingove” u rikthye sërish në Parlamentin Europian, këtë herë përmes një takimi diskutimi të organizuar nga eurodeputeti Pasquale Tridico, i grupit The Left, me titull “Demokracia, Shteti i së Drejtës dhe Pjesëmarrja qytetare në Shqipëri”. Në takim morën pjesë europarlamentarë, përfaqësues të partive të majta nga disa vende europiane dhe pjesëmarrës nga shqipëria. Çështja e Vjosë-Nartës u lidh aty me standardet demokratike, shtetin e së drejtës, pjesëmarrjen qytetare, emigrimin dhe raportin e Shqipërisë me procesin e integrimit europian.

Për disa ditë, dukej sikur Pishë Poro-Narta ishte kthyer në një test publik për raportin e Shqipërisë me mjedisin, demokracinë, Bashkimin Europian dhe interesin privat.

Luhajtjet 

Por pas kulmit, pjesëmarrja pati luhatje.

Ishte fund qershori. Pastaj korrik. Vapë, sezon plazhi, pushime të planifikuara prej kohësh dhe lodhje e akumuluar.

Protesta ka kaluar muajin dhe ka hyrë në të dytin.

Nuk ka më çdo mbrëmje të njëjtin vrull të fillimit. Nuk ka më aq shumë pankarta me humor. Nuk ka më aq shumë njerëz që vijnë vetëm nga kurioziteti.

“Është shtuar dhuna”, thotë një profesioniste e re në të 20-at, kur pyetet si ka ndryshuar protesta.

Dhe korriku e ndryshoi tonin.

Foto nga Jona Cenameri

Përplasjet në Kuvend  

Më 2 korrik, protesta e dytë pranë Kuvendit u shënua nga dhuna. Pas saj, pjesëmarrja u shtua sërish, këtë herë jo nga entuziazmi, por nga mllefi.

Për disa ditë, marshimi i protestuesve shkoi drejt Komisariatit nr. 3, ku mbaheshin protestuesit e ndaluar.

Në shesh, thirrjet ndaj policisë u ashpërsuan. Raporti mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit, problematik që prej nisjes së protestës, dukej se ishte thyer.

Në rrjete sociale u bë virale videoja e një qytetareje që qëndronte përballë një polici të rreshtuar pranë Kryeministrisë. 

Në duar mbante një pankartë ku shkruhej: “Jam e zhgënjyer nga ju”

Përfaqësues nga mazhoranca e përdorën dhunën e 2 korrikut si provë se protesta “paqësore” kishte nxjerrë kokën.

Protestuesit, nga ana tjetër, e panë këtë si përpjekje për ta delegjitimuar të gjithë lëvizjen përmes një momenti të vetëm.

Kryeministri Edi Rama, që në fillim kishte shtrirë dorën për një takim publik me një grup protestuesish, më pas e ka mbrojtur projektin dhe ka sulmuar shpesh protestën, figurat që e mbështesin dhe personazhe të veçantë të saj.

Protesta e Zvërnecit nuk është vetëm përballje me shumeçka në vend. Është edhe një moment matjeje publike.

Kush foli? Kush heshti? Kush u pozicionua? Kush u tërhoq?

Dhe kujt do t’i mbahet mend kjo?

Më 4 korrik, në ditëlindjen e kryeministrit, protesta mori sërish formën e satirës.

Në shesh u sollën torta me simbolika të ndryshme. U kënduan këngë. U artikulua sërish kërkesa e përditshme për dorëheqje. Aty u shfaq edhe një arkivol politik për Ramën, një simbolikë që u kritikua ashpër nga përfaqësues të mazhorancës.

Foto nga Jona Cenameri

Kontraditat 

Megjithatë, në javën e gjashtë, kontradiktat janë bërë më të dukshme.

Janë kundër dhunës, por një pjesë e tyre e thotë gjithnjë e më shpesh nën zë se thirrjet nuk po mjaftojnë. Në grupe të rinjsh dëgjon dilema që në fillim nuk artikuloheshin kaq hapur.

A po i vënë në gjumë thirrjet e përsëritura “Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg”? A duhet ndryshuar taktikë? A po pret qeveria thjesht verën, pushimet, lodhjen? A do të shuhet gjithçka pa prodhuar asgjë?

Në pankarta është kujtuar edhe 21 janari, protesta e Partisë Socialiste kur ishte në opozitë, përplasjet, makinat e djegura, Tirana në flakë dhe katër qytetarët e vrarë.

Për disa protestues, kjo kujtesë ngre pyetjen kryesore të lëvizjes: si prodhohet ndryshimi në një vend ku pushteti nuk tërhiqet nga thirrjet?

Në javën e gjashtë, protesta nuk është më ajo turma e parë që thërriste me entuziazëm “Nesër më shumë”.

Është diçka më e lodhur.

Por ende aty.