Nga Esmeralda Topi
Kur një grup aktivistësh mjedisi u mblodhën në Zvërnec më 16 maj për të kundërshtuar punimet në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë, pak kush do të kishte parashikuar se disa javë më vonë protesta do të mbushte sheshet e Tiranës, do të përhapej në qytete të tjera brenda dhe jashtë vendit, dhe do të detyronte kryeministrin të thyente heshtjen me reagime të vazhdueshme.
Sot, në ditën e saj të 19-të, protesta është kthyer në një nga lëvizjet qytetare më të qëndrueshme të viteve të fundit. Por çfarë e ka mbajtur gjallë dhe cilat janë kufijtë e saj?
Për analistin Andi Bushati, përgjigjja nuk gjendet vetëm te mbrojtja e një zone të mbrojtur.
“Kjo protestë ka shumë mangësi”, thotë ai, duke renditur mungesën e liderëve, përbërjen heterogjene dhe mesazhet shpesh kontradiktore.
Megjithatë, sipas Bushatit, pikërisht ajo që duket si dobësi është bërë forca kryesore e lëvizjes.
“Ata kanë si qëllim t’i japin fund autokracisë, për të rikthyer demokracinë. Prandaj sloganet kryesore janë ‘Rama dorëhiqu’, ‘Rama ka maru’ dhe thirrjet kundër kryeministrit dhe shefit të opozitës që ngritën së bashku këtë sistem me ndryshimet radikale kushtetuese të vitit 2008. Pikërisht kjo është forca që e bën bashkë atë larushi individësh aq të ndryshëm, pasja e objektivave të thjeshta, si rikthimi i demokracisë dhe fundi i pushtetit personal,” pohon Bushati për “Faktoje”.
Në këtë këndvështrim, revolta që nisi për Zvërnecin shkon përtej një shqetësimi mjedisor. Ajo po interpretohet si simbol i një pakënaqësie më të gjerë ndaj mënyrës se si merren vendimet publike dhe funksionojnë institucionet në Shqipëri.
Bushati argumenton se shumë protestues ndjenë se nuk kishin më asnjë kundërpeshë institucionale ku të mbështeteshin.
“Jo vetëm pushteti që kish ngritur telat me gjëmba dhe po bëhej gati për një investim jo transparent, por edhe opozita ishte pushtuar nga një heshtje varri edhe pjesa dërrmuese e mediave tradicionale e censuruan ngjarjen. Edhe diplomatët e huaj luajtën rolin sikur asgjë nuk po ndodhte”
Pikërisht kjo ndjenjë izolimi, sipas tij, shpjegon energjinë e protestës. “Dhe ky rebelim është forca reale e këtij revolucioni”, thekson Andi Bushati.
Edhe për analistin Lutfi Dervishi, elementi më interesant i ‘Revolucionit të flamingove’ nuk është numri i protestuesve.
“Në ditën e 19-të, avantazhi më i madh i ‘revolucionit të flamingove’ nuk është numri i njerëzve në shesh, por rezistenca dhe fakti që ka mbijetuar më gjatë se sa parashikonin kundërshtarët dhe skeptikët e tij e ndoshta edhe vetë nismëtarët/organizatorët”
Në një vend ku protestat shpesh shuhen brenda pak ditësh, vazhdimësia është bërë lajm në vetvete. Dervishi sheh si avantazh të madh faktin që protesta nuk është perceptuar si pronë e një partie politike.
“Kjo e ka bërë më të vështirë diskreditimin/kapjen e saj dhe më të lehtë identifikimin e qytetarëve me të“
Ai vëren gjithashtu se vetë reagimi i qeverisë tregon se protesta ka prodhuar efekt.
“Fakti që kryeministri po jep shpjegime, po ndryshon narrativën dhe thotë se qeveria do të nxjerrë mësime, do të thotë se protesta po jep rezultat”
Por Dervishi paralajmëron se sfida më e madhe ende nuk ka ardhur.
“Rreziku me të cilën ndeshet protesta është konsumimi. Pushteti pret që protestuesit të lodhen dhe të përçahen dhe koha është aleati natyror i çdo qeverie dhe armiku natyror i çdo proteste”, argumenton Lutfi Dervishi për Faktoje.
Një analizë të ngjashme ofron edhe Erion Tase nga Akademia e Studimeve Politike.
Sipas tij, vlera më e madhe e protestës është se ka treguar se shoqëria shqiptare nuk ka rënë në apati.
“Në sheshe kanë dalë të rinj që nuk kanë votuar kurrë, profesionistë që nuk kanë qenë pjesë e protestave dhe qytetarë që nuk identifikohen me asnjë parti”
Kjo e bën lëvizjen më autentike dhe më të besueshme.
Kërkesat që janë artikuluar deri tani – transparencë, llogaridhënie, mbrojtje e pasurisë publike dhe e mjedisit – sipas Tases nuk janë as të majta dhe as të djathta.
“Ato janë kërkesa të një shoqërie që kërkon normalitet”
Megjithatë, ai sheh edhe dobësinë kryesore.
“Mungesa e strukturës organizative”
Sipas Tases, pa një grup organizator, pa objektiva të qarta dhe pa aleanca me shoqërinë civile, sindikatat apo grupet profesionale, protesta rrezikon të konsumojë energjinë e saj pa prodhuar ndryshim afatgjatë.
Një tjetër element i rëndësishëm është komunikimi me faktorin ndërkombëtar. Tase sjell në vëmendje rastin e studentëve serbë, të cilët ndërtuan kanale të qëndrueshme komunikimi me partnerët ndërkombëtarë për të dokumentuar dhe shpjeguar pretendimet e tyre.
Për pedagogun Ermal Hasimja, paradoksi i protestës është se pika e saj më e fortë dhe më e dobët është e njëjta.
“Protesta nuk ka përfaqësues dhe kjo mundëson që kushdo të identifikohet me të”
Por mungesa e përfaqësimit e bën të vështirë përkthimin e energjisë qytetare në rezultat politik.
“Në protestë ka shumë zhgënjim, shpresë, arsye, populizëm dhe dëshirë për ndryshim pozitiv. Ka gjithçka nga pak”
Ndoshta pikërisht kjo përzierje emocionesh shpjegon pse lëvizja vazhdon të tërheqë njerëz kaq të ndryshëm.
Ndërkohë, pas 19 ditësh, protesta nuk ka arritur ende objektivat e vetshpallura; nga dorëheqja e kryeministrit e deri tek anullimi i ndryshimeve të ligjit për zonat e mbrojtura.
Kryeministri Rama vijon ta mbrojë investimin e planifikuar në Zvërnec si një mundësi historike zhvillimi dhe ka përsëritur se nuk largohet duke kujtuar votat që e kanë sjellë në pushtet për të qeverisur vendin.
Por, siç vëren Dervishi, suksesi i një proteste nuk matet vetëm me rrëzimin e një qeverie apo me anulimin e një projekti.
“Ndonjëherë fitorja nis kur ndryshon klimën politike”
Dhe nëse ka një gjë për të cilën bien dakord të katër analistët, është se kjo protestë e ka prodhuar një ndryshim të tillë: ka thyer ndjenjën e pafuqisë, ka rikthyer pjesëmarrjen qytetare në qendër të debatit publik dhe ka treguar se edhe në një shoqëri të lodhur nga zhgënjimet, aftësia për t’u mobilizuar nuk është zhdukur.
Pyetja që mbetet është nëse kjo energji do të arrijë të organizohet dhe të mbijetojë përtej momentit që e solli në rrugë.






