Parlamenti Evropian kërkon moratorium në Vjosë–Nartë

Kryeministri theksoi rrëzimin e amendamentit që përmendte Jared Kushner dhe SPAK-un, por anashkaloi faktin se Parlamenti Evropian kërkon moratorium në Vjosë–Nartë dhe shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura

24

Nga Esmeralda Topi

Parlamenti Evropian miratoi këtë të mërkurë rezolutën mbi Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025, një dokument politik që vlerëson progresin e vendit në procesin e integrimit evropian, por që njëkohësisht nxjerr në pah problematika konkrete në disa fusha, përfshirë mbrojtjen e mjedisit.

Rezoluta e sapomiratur nga PE nuk krijon detyrime ligjore për qeverinë shqiptare dhe nuk mund të bllokojë drejtpërdrejt projekte apo vendime administrative. Megjithatë, dokumenti ka peshë politike, pasi pasqyron qëndrimin e institucionit të vetëm të Bashkimit Evropian të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët.

Kjo është arsyeja pse vëmendja publike u përqendrua tek pjesa e rezolutës që trajton zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë dhe ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.

Teksti

Në tekstin e miratuar, Parlamenti Evropian shpreh “shqetësim serioz” për zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë dhe argumenton se ato tregojnë pasojat praktike të ndryshimeve ligjore që lejojnë ndërhyrje në zona me vlerë të njohur ekologjike.

Më tej, rezoluta u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin “një moratorium të menjëhershëm për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura”, derisa të shfuqizohen dispozitat e ligjit të ndryshuar për zonat e mbrojtura që konsiderohen të papajtueshme me standardet evropiane dhe derisa të sigurohet përputhje e plotë me legjislacionin e BE-së për mbrojtjen e natyrës.

Po ashtu, në dokument kërkohet që çdo projekt në këtë zonë t’i nënshtrohet një Vlerësimi të plotë të Ndikimit në Mjedis dhe një procesi transparent konsultimi publik me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe organizatat e shoqërisë civile.

Organizatat mjedisore e cilësuan këtë rezolutë si një fitore të rëndësishme, duke e parë si konfirmim të kërkesave të tyre për mbrojtjen e Vjosë–Nartës. 

Rama

Megjithatë, kryeministri Edi Rama në një reagim në rrjetet sociale, e paraqiti rezultatin si një rrëzim të pretendimeve të kundërshtarëve të projektit.

“Ja edhe Parlamenti Europian e ndau ‘shapin’ e stuhisë digjitale të dezinformimit nga ‘sheqeri’ i zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë”, shkroi Rama.

Ai argumentoi se eurodeputetët kishin rrëzuar një amendament të propozuar nga përfaqësues të grupit të majtë, i cili përmendte drejtpërdrejt marrëveshjen e qeverisë shqiptare me Jared Kushner dhe kompaninë Affinity Partners për zhvillime turistike në Sazan dhe Vjosë–Nartë, si dhe hetimin e SPAK-ut në këtë kontekst.

Dokumentet e publikuara nga Parlamenti Evropian tregojnë se ky pretendim është pjesërisht i saktë.

Në të vërtetë, amendamenti që përmbante referenca të drejtpërdrejta ndaj Jared Kushner, Affinity Partners dhe SPAK-ut nuk u miratua. Kjo është pjesa ku mbështetet argumenti i Ramës.

Paralelisht, një amendament tjetër, i propozuar nga eurodeputetë të grupit të Gjelbërve dhe Aleancës së Lirë Evropiane, u miratua dhe u bë pjesë e tekstit final të rezolutës. Pikërisht ky amendament përmban gjuhën më të fortë të Parlamentit Evropian lidhur me Vjosë–Nartën: shqetësimin serioz për zhvillimet në zonë, kërkesën për moratorium të menjëhershëm dhe thirrjen për shfuqizimin e dispozitave problematike të ligjit për zonat e mbrojtura.

Përfundim

Parlamenti Evropian nuk miratoi paragrafet e propozuara paraprakisht që lidhen me Kushnerin apo SPAK-un, por miratoi kritikat ndaj kuadrit ligjor të ndryshuar që ka mundësuar zhvillime  në zona të mbrojtura.

Kjo është arsyeja pse organizatat mjedisore e konsideruan votimin një fitore të rëndësishme.

Përfaqësues të organizatës PPNEA dhe BirdLife Europe argumentuan se rezoluta përbën një sinjal të qartë se respektimi i Direktivave Evropiane për Habitatet dhe Shpendët mbetet një kusht i rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Ndërsa Rama në reagimin e tij, e vuri theksin vetëm tek rrëzimi i amendamentit që përmendte Kushnerin dhe e paraqiti këtë si provë se Parlamenti Evropian kishte refuzuar narrativën e protestuesve. Kryeministri anashkaloi amendamentin tjetër që kërkon masa konkrete dhe të menjëhershme për Vjosë–Nartën, përfshirë moratoriumin dhe rishikimin e legjislacionit ekzistues.