Anticikloni dhe jo HAARP po bllokojnë shiun mbi Spanjë

11

Pretendimi: Ky imazh tregon se retë e shiut nuk po hyjnë në Spanjë për shkak të HAARP

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, projektit studimor HAARP po i vishet faji për ndalimin e kalimit të reve të shiut mbi Spanjë në qershor 2026, shoqëruar me imazhin e një harte meteorologjike të rajonit.

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.

Harta meteorologjike e mësipërme, e cila nuk është e datuar, tregon një boshllëk në mbulesën e reve mbi zonën e gadishullit iberik. 

Megjithatë, nuk ka prova se ky boshllëk është shkaktuar nga famëkeqi HAARP.

Në fakt, një numër përdoruesish spanjollë në rrjete sociale kanë shpjeguar se fenomeni i treguar në imazhin e mësipërm quhet anticiklon, dhe është prodhim i ndryshimit në trysninë atmosferike mes zonave të ndryshme, jo i ndonjë projekti dashakeq.

Anticikloni, ose sistemi me presion të lartë, është një zonë pranë sipërfaqes së planetit ku presioni atmosferik është më i madh se presioni në zonat përreth. Zbritja dhe ngrohja e ajrit në një anticiklon mund të pritet të çojë në shpërbërjen e reve dhe mungesën e shiut. Pranë qendrës së anticiklonit, erërat janë të lehta dhe ajri mund të bëhet i ndenjur. Si rezultat, ndotja e ajrit mund të grumbullohet.

Spanja ka qenë e ndikuar nga ky fenomen që në maj të këtij viti. Fajtori nuk është HAARP, por një sistem me presion të lartë që shtrihet nga Afrika e Veriut deri në Ishujt Britanikë.

Ky anticiklon vepron si një kapak që parandalon ripërtëritjen e ajrit, e detyron atë të ulet dhe, ndërsa kompresohet, e ngroh atë edhe më tej. Rezultati është një atmosferë mbytëse që nuk lirohet për ditë të tëra. Në disa vende, nxehtësia që normalisht do të pritej në korrik ose gusht ka mbërritur dy muaj më herët.

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.

HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick ëest, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në Alaskë dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhej për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë pretendime lidhur me sistemin HAARP.