Hitleri që feston golat e Gjermanisë në Botëror, një krijim i inteligjencës artificiale

8

Pretendimi: Ky imazh tregon tifozë gjermanë, njëri prej të cilëve i ngjan shumë diktatorit nazist Adolf Hitler

Verdikti: E pavërtetë, Foto e manipuluar

————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një imazh që pretendohet se tregon tifozët gjermanë pas penalltisë së Kai Havertz, gjatë ndeshjes së Gjermanisë me Curaçao, më 14 qershor 2026 në Houston Texas, për Kupën e Botës 2026.

Çfarë spikat mes tifozëve është dikush që duket se i përngjan shumë diktatorit të Gjermanisë naziste Adolf Hitler.

Megjithatë, lexuesit nuk duhet të alarmohen. Imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai është manipuluar, me gjasa me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI), duke shtuar figurën që i ngjan Hitlerit në një pamje reale.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti një video të transmetimit origjinal të ndeshjes.

Në të, figura që i përngjan Hitlerit nuk shfaqet ndokund.

Fytyra e një tifozi real është zëvendësuar me fytyrën e ngjashme me Hitlerin.

Pamjet origjinale (majtas) janë manipuluar duke zëvendësuar fytyrën e një tifozi real me atë të Hitlerit në imazhin e manipuluar (djathtas)

Origjina e manipuluar e imazhit konfirmohet nga mjeti zyrtar i verifikimit i OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.