E gjeneruar autokolona nga diaspora në mbështetje të protestave në Tiranë

10

Pretendimi: Kjo video tregon një autokolonë të nisur nga diaspora për t’iu bashkuar protestave qytetare në Tiranë

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————————————————————-

Ndërsa protestat kundër projektit që planifikohet të ndërtohet në peisazhin e mbrojtur Zvërnec-Nartë hyjnë në ditën e 18-të, në rrjete sociale po qarkullon një video që pretendohet se tregon një autokolonë të nisur nga diaspora për t’iu bashkuar protestave në Tiranë më 16 qershor 2026.

Megjithëse diaspora është solidarizuar me protestuesit në Shqipëri, duke mbajtur protesta paralele në shumë qytete jashtë vendit, video e mësipërme nuk është e vërtetë.

Me gjasa ajo është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Tregues i dukshëm i origjinës artificiale të videos janë flamujt e montuar në makina, të cilët valëviten në mënyrë të panatyrshme, në drejtime të kundërta, siç vërehet më poshtë.

Më tej, në cepin e sipërm, majtas, së videos shfaqet logo e CapCut AI, një gjenerues falas videosh me inteligjencë artificiale (AI).

Një tjetër tregues është shkurtësia e videos 7-sekondëshe. Shumica e programeve AI i kufizojnë videot në një skenë të vetme që zgjat rrethe 8-10 sekonda. Kjo sepse, krahasuar me gjenerimin e imazheve, gjenerimi i videove është më i shtrenjtë, më kompleks dhe shumë më i vështirë për të vijuar krijimin e detajeve.

Ndërsa protestat në Tiranë vijojnë, duke tërhequr vëmendje dhe nga mediat ndërkombëtare, kryeministri Edi Rama ka tentuar të minimizojë shkallën dhe rëndësinë e tyre duke folur për një “histeri digjitale,” të nxitur nga pamje të manipuluara si pjesë e një lufte hibride të drejtuar nga forca të huaja që nuk duan zhvillimin e Shqipërisë. Shpërndarja e videove të rreme si të ishin nga protesta nuk ndihmon imazhin e saj, por përforcon këtë narrativë, të ngritur nga Rama qe në ditën e dytë të protestave.