Më 6 qershor në bulevard kishte më shumë se 2 mijë protestues

76

Më 6 qershor, ditën e shtatë të protestave masive qytetare në Tiranë, kryeministri Edi Rama iu drejtua mediave ndërkombëtare në Twitter për të shprehur habinë e tij që protestat kishin tërhequr mbulimin e tyre paçka sasisë së protestuesve, që, sipas Ramës, ishte shumë e vogël për të merituar vëmendje. 

Ndër të tjera, ai tha se “protesta e sotme [6 qershor] ka mbledhur rreth 2,000 pjesëmarrës” 

Si ilustrim, ai përdori një video të kapur nga lart, që tregon një turmë të dendur që nis nga kryqëzimi i Bulevardit me rrugën “Ismail Qemali”, përpara Kryeministrisë, dhe vijon deri tek fundi i godinave të njohura si Kullat Binjake, duke filluar të rrallohet më prapa.

Duket se Rama ka zgjedhur të marrë për bazë një pamje nga orët e para të protestës, siç vërehet nga ndriçimi në video, duke anashkaluar faktin se protestës që vijon deri në orët e vona shumë qytetarë i bashkohen pas perëndimit, për të shmangur temperaturat e larta ose pasi mbarojnë punën.

Megjithatë, me anë të mjetit të numërimit të turmave, MapChecking, Faktoje gjeti se edhe në pamjet e përzgjedhura nga kryeministri, turma e qytetarëve i kalon dy mijë personat që pretendon ai. 

Në varësi të dendësisë të njerëzve, turma në video numëron nga afro 4 mijë persona, nëse supozojmë një dendësi prej 2 personash për metër katror, deri në afro 6700, nëse supozojmë një dendësi prej 3 personash për metër katror. Kjo, duke përllogaritur vetëm sipërfaqen e rrugës, pa përfshirë personat e grumbulluar në anët e saj, nëpër trotuare.

Përllogaritje e madhësisë së turmës nga Faktoje (permes tools-ave) të saj në videon nga nisja e protestës së 6 qershorit

Pamjet nga mbrëmja e 6 qershorit tregojnë se si në mbrëmje turma e ‘vogël’ në videon e përzgjedhur nga Rama është zmadhuar e dendësuar, duke arritur deri në kryqëzimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me Unazën.

Përllogaritje nga Faktoje e madhësisë së turmës në videon e mëvonshme nga protesta e 6 qershorit

Në pamjet e mësipërme, me anë të Mapchecking përllogaritëm se turma numëron nga afro 5700 persona, nëse llogarisim një dendësi prej 2 personash për metër katror, deri në mbi 8 mijë, nëse llogarisim një dendësi prej 3 personash për metër katror.

Më 9 qershor, Taulant Balla, në një replikë kundër senatorit amerikan demokrat Bernie Sanders, përsëriti të njëjtën shifër si Kryeministri kur pretendoi se, edhe më 8 qershor, kishte rreth 2 mijë protestues.

Megjithëse Balla nuk e shoqëroi pretendimin e tij me video apo foto nga protesta, mediat dhe rrjetet sociale tregojnë se pamjet nga 8 qershori janë të ngjashme me ato të ditëve të mëparshme, me një turmë të dendur qytetarësh që shtrihen që në orët e para të protestës nga kryqëzimi pranë Kryeministrisë deri tek lulishtja ku ndodhen bustet e tre vëllezërve Frashëri.

Përllogaritje nga Faktoje e madhësisë së turmës në pamje nga orët e para të protestës së 8 qershorit

Me mjetin Mapchecking, një sipërfaqe e tillë përllogaritet se do të përmbante nga rreth 4500, nëse supozojmë një dendësi prej 2 personash për metër katror, deri në 6 mijë, nëse supozojmë një dendësi prej 3 personash për metër katror.

Megjithëse gjithmonë ka një marzh gabimi me numërimin e turmave, veçanërisht kur dendësia ndryshon në turmë, në të gjitha rastet, si në datën 6 dhe në datën 8 qershor, sasia e protestuesve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit i tejkalonte ndjeshëm 2 mijët e pretenduar nga kryetari i grupit të PS Balla dhe kryeministri Rama. 

Si rrjedhim, këto deklarata i vlerësojmë si të pavërteta.

Ndërsa protestat hyjnë në ditën e 16-të, krahas thirrjeve për dorëheqjen e Ramës, dhe arrestimit të tij dhe kreut të PD, protestuesit kanë përshtatur dhe pankarta dhe thirrje që i përgjigjen përllogaritjeve të rreme të kryeministrit lidhur me sasinë e tyre.