Pretendimi: Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vdekur
Verdikti: E pavërtetë, Clickbait
———————————————————————
Më 11 qershor, në rrjetet sociale shqipfolëse nisi të qarkullojë një postim me titullin “Ka vdekur Sali Berisha”, i cili i ftonte lexuesit për të klikuar në një lidhje për të mësuar më shumë për fatin e kreut të Partisë Demokratike.

Megjithatë, lexuesit nuk duhet të alarmohen. Ky lajm është i rremë.
Në lidhjen e referuar nga postimi, askush nuk citohet të ketë thënë se “ka vdekur Sali Berisha.” Artikulli i referuar citon gazetarin Berat Buzhala, i cili ka folur për heqjen e sanksionit ‘non grata’ nga ShBA për Berishën.
“E kam thënë edhe më herët, Berishën llogariteni të vdekur politikisht, veç nëse ka vdekur edhe biologjikisht”, citohet të ketë thënë Buzhala.
Më 10 qershor, Sali Berisha u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin njoftuar zyrtarisht për heqjen e sanksionit të njohur si ‘non grata”, pesë vite pas shpalljes së saj nga administrata e ish-presidentit Joe Biden me motivin e përfshirjes në “korrupsion madhor”.
Titulli i artikullit keqinformon në mënyrë jo etike me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve. Konstatohet se disa prej këtyre faqeve në Facebook kanë ndarë edhe më parë lajme të rreme për ndarjen nga jeta të personazheve të tjera publike, duke tentuar të mbledhim sa më shumë ndërveprim nga komentuesit. Sa më shumë komente të shkruajnë lexuesit, qoftë edhe negative ndaj artikujve, ky veprim ndikon në një shpërndarje edhe më të madhe të postimeve të rreme tek miqtë e komentuesve.
Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë pretendime mbi gjendjen shëndetësore të Berishës.






