Një fantazi artikulli që zbuloi mikroçipat në vaksina në 1989

8

Pretendimi: Më 1 gusht 1989, “Revista e Vatikanit” botoi një artikull që zbulonte një plan sekret për të mikroçipuar njerëzit duke shpikur gripin e derrit dhe një vaksinë kundër tij.

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një imazh që pretendohet se tregon një artikull që zbulonte një plan sekret për të mikroçipuar njerëzit duke shpikur gripin e derrit dhe një vaksinë kundër tij, të botuar më 1 gusht 1989 në “Revistën e Vatikanit”.

Artikulli në imazh përshkruan se si mjekët, pa vetëdije, u kishin injektuar mikroçipa njerëzve pa leje përmes Programit Kombëtar të Vaksinimit. Sipas postimit, gazetari shkruante se e tëra çfarë u nevojitej autoriteteve për ta bërë këtë ishte të shpiknin një virus të ngjashëm me gripin e derrit dhe të krijonin një vaksinë. Autori pretendonte se çipat e koduar mund të lidhnin këdo me një kompjuter qendror, nga i cili mund të monitoroheshin në çdo kohë.

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim, nuk ofrohet asnjë provë, burim apo referencë. Imazhi i artikullit nuk tregon titullin ose numrin e botimit, kështu që është e pamundur të konfirmohet se cila gazetë e ka botuar artikullin.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm shfaqet në faqen 443 të librit të Milton William Cooper, botuar në 1991, “Behold a Pale Horse”, i cili ka frymëzuar teori të shumta konspirative.

Libri përfshin të njëjtën fotografi të artikullit, pa asnjë citim. Në hyrje, autori thekson se mendimet dhe dyshimet e përmbajtura në libër janë vetëm të tijat dhe se ai mund të jetë gabim.
Një botim i quajtur “Revista e Vatikanit” nuk duket se ekziston, dhe nuk është pjesë e listës së gazetave zyrtare të Vatikanit.