Pretendimi: Baba Vanga ka bërë një profeci të frikshme për Kupën e Botës 2026
Verdikti: E paprovuar
————————————————————-
Megjithëse profecitë e ‘parashikueses’ bullgare Baba Vanga zakonisht qarkullojnë në rrjete sociale pranë fundit të një viti dhe nisjes së një tjetri, Kampionati Botëror i Futbollit 2026, i cili nis më 11 qershor, ka ringjallur këto profeci para kohe.
Kështu, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullojnë pretendime se “sipas atyre që deshifrojnë vizionet e saj, Baba Vanga la pas një mesazh të koduar: gjatë zhvillimit të një ngjarjeje të madhe sportive me përmasa globale, bota nuk do të shikojë vetëm fushën. Një “dritë e re në qiell” do të shfaqet nga asgjëja, duke qenë e dukshme për çdo sy në planet.”


Si zakonisht, për këtë pretendim nuk jepet ndonjë provë, burim apo referencë, qoftë dhe emërtimi i “atyre që deshifrojnë vizionet e saj.”
Siç Faktoje ka shpjeguar më parë, Baba Vanga ishte një grua e verbër dhe gjysëm analfabete nga Bullgaria. Ajo vdiq në 1996 pa i shkruar parashikimet e saj.
Duke qenë se nuk ka prova me shkrim për parashikimet e saj, zonjës Vanga mund t’i atribuohen lloj-lloj parashikimesh.
Në 2010, gazeta bullgare 24 Chasa botoi një artikull që përgënjeshtron një sërë parashikimesh që i atribuohen gabimisht Baba Vangës. Të afërm dhe miq të saj thanë për gazetën se Vanga njihej si parashikuese në komunitetin e saj për këshillat që ajo i jepte atyre që e vizitonin, por ajo nuk kishte parashikuar ndonjëherë katastrofa.
Sipas rrethit të afërt të Baba Vangës, parashikimet e saj sensacionaliste si ato për luftëra apo fatkeqësi natyrore janë shpikur ose ekzagjeruar pas vdekjes së saj. “Tani është e lehtë, Vanga nuk është më, kështuqë nuk mbrohet dot. Ata i venë lloj-lloj budallëqesh në gojë,” tha mikja e saj Boyka Kostadinova.
Sipas një raportimi nga Colitco, akademikja dhe ekspertja e Baba Vangas, Viktoria Vitanova-Kerber tha: “Ajo nuk ishte dikush që mbante ditarë ose regjistronte profecitë e saj. … Nuk ka pothuajse asnjë të dhënë të shkruar për atë që ajo tha në të vërtetë, duke e bërë të pamundur verifikimin e këtyre pretendimeve.”
Colitco vijon:
“Pra, nëse nuk ka të dhëna zyrtare, nga kanë ardhur këto parashikime? Vitanova-Kerber beson se shumë nga këto pretendime rrjedhin nga njerëzit që e vizituan Baba Vangën kur ajo ishte gjallë.
Vite më vonë, këta individë kujtojnë detaje të reja, duke thënë: “Oh, ajo më tha këtë dhe atë”, shpjegoi ajo. Për shembull, nëse Baba përmendi “një sëmundje të madhe” gjatë një leximi, njerëzit tani mund të supozojnë se ajo po parashikonte COVID-19.
Mbesa e Baba, e cila jetoi me mistiken, është një tjetër burim i këtyre parashikimeve. Sipas Vitanova-Kerber, mbesa pretendon se ka shkruar disa nga profecitë e Babës, por ende nuk ka dhënë ndonjë provë. Në një intervistë të vitit 2021, ajo madje sugjeroi që Baba e kishte parashikuar COVID-19 që në vitin 1988, por deklaroi se po pret “momentin e duhur” për të nxjerrë provat.”
Këto prova të pretenduara ende nuk janë bërë publike.
Vlen të përmendet, për lexuesit që mund të jenë ende nervozë, se parashikimet që i referohen Baba Vangës për vitin 2025 përfshijnë nisjen e Luftës së Tretë Botërore dhe zbritjen e alienëve në Tokë. Deri në botimin e këtij shkrimi, fatmirësisht, asnjë prej tyre nuk është përmbushur.






