Ndërsa protesta masive qytetare në Shqipëri kundër projektit ndërtimor të planifikuar në zonën e Zvërnecit dhe lagunën e Nartës hyjnë në ditën e nëntë, narrativa të gjithëfarshme janë ngritur në media dhe rrjete sociale përreth këtyre protestave që kundërshtojnë projektin. Jehona e kësaj proteste paqësore që u shtri brenda dhe jashtë kufijve të vendit e që u transmetuar nga shumë media ndërkombëtare shpreh pakënaqësinë ndaj klasës politike.
Masiviteti i një marshimi spontan të dielën, më 31 maj, u pasua nga një deklaratë e gjatë publike e kryeministrit Edi Rama më 1 qershor në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
“Armiqtë e huaj” na kanë në grykë të pushkës
Në këtë fjalim mbi 1 orë të gjatë, u hodh fillimisht narrativa e “forcave të huaja” që nuk duan të zhvillohet Shqipëria dhe po përpiqen të sabotojnë projektin duke manipuluar opinionin publik si tek filmi”Wag the Dog”. (Ironikisht, Wag the Dog është një film i vitit 1987 në të cilin një propagandist i qeverisë amerikane shpik një luftë për të hequr vëmendjen nga një skandal politik)
Greqia fqinje u prezantua nga Rama si një palë e interesuar.
Ai pyeti në mënyrë retorike se pse mediat greke ishin kaq të shqetësuara për mjedisin shqiptar dhe u shpreh i habitur që Ministria e Jashtme greke u shpreh për dhunën e ushtruar ndaj një protestuesi në Zvërnec. Protestuesi i dhunuar kishte dy shtetësi, një shqiptare dhe një greke.
Në një intervistë të 3 qershorit për median ndërkombëtare CNN, Rama foli për “lufte hibride” të drejtuar nga “armiq që i njohim shumë mirë” dhe “konkurrenca shumë e fortë në pjesën tonë të Mesdheut”
Ndërsa kryeministri Rama denonconte “luftën hibride” kundër zhvillimit të Shqipërisë, po ditën kur ai nënkuptoi se Greqia kishte interesa në ndalimin e projektit të Zvërnecit, në media dhe rrjete sociale nisi të qarkullonte një imazh i gjeneruar me inteligjencën artificiale, ku shfaqej një radhë autobusësh pranë një pike kufitare.
Ky imazh u prezantua në ekranet shqiptare shoqëruar me pretendimin se bëhej fjalë për protestues grekë që po hynin në Shqipëri për të marrë pjesë në protestën e Tiranës kundër projektit turistik në Pishë Poro-Nartë.

E njëjta narrativë u përsërit nga Rama më 5 qershor, kur u pyet për protestat nga mediat ndërkombëtare përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor 2026 në Tivat.
Ai deklaroi se po ndodhte një “luftë hibride” kundër Shqipërisë, e orkestruar nga “armiqtë e vendit,” të cilët kësaj radhe i identifikoi si “iranianët”
Kryeministri i ka mëshuar kësaj narrative edhe në postimet e tij të shumta në rrjete sociale, ku u shpreh se protestuesit që shajnë “tradhëtarët e armiqtë imagjinarë të Shqipërisë” ndërsa ngulmoi se “të vetmet arsye të mbetura [për protestën] janë ato të të huajve që nuk e duan Shqipërinë në Ligën e Kampionëve të Turizmit dhe pompojnë rrjetet me ajrin toksik të luftës hibride, falë edhe naivitetit të tyre fatkeqësisht”
Narrativa të tilla u morën dhe u përhapën në studiot televizive shqiptare.
Analistë të ndryshëm, por edhe deputetë të dy partive të mëdha PD e PS e plotësuan narrativën e forcave të huaja duke pretenduar se vendeve të rajonit nuk u pëlqeu se familja e presidentit amerikan do të investonte në Vlorë dhe ata donin ta sabotonin këtë investim; se mediat greke kishin nisur një fushatë kundër Shqipërisë; se Greqia u mërzit për investimin që do bëhej në Zvërnec; se protestat ishin të nxitura “nga jashtë,” si për shembull “nga Greqia”; dhe se protestat mbështeteshin zyrtarisht nga Athina.
Deri më tani nga Athina zyrtare ka vetëm një deklaratë të Ministrise se Jashtme të datës 31 qershor për protestuesin e plagosur nga dhuna e ushtruar që kishte edhe nënshtetësi greke
Narrativa e anti-semitizmit
Narrativa e zaptimit të tokave nga Izraeli për të ndërtuar një enklavë izraelite në Zvërnec, e promovuar në rrjete sociale, është një tjetër debat që ka shpërthyer në rrjetet sociale. Nga ana tjetër kryeministri Rama në fjalimin e tij të 1 qershorit mohoi se shteti po ia fal atë tokë Izraelit për të sjellë palestinezë në Zvërnec.
Teza “Soros”
Në ekrane televizive e portale u tha, se protestuesit ishin paguar nga organizata të financuara nga Soros dhe nga Erjon Veliaj, kryebashkiaku socialist i Tiranës, i cili është në paraburgim nën akuza për korrupsion që nga Shkurti 2025, për të penguar zhvillimin e Shqipërisë.
Bashkimi i një numër aktivistesh feministe dhe të të drejtave LGBT në protestë u portretizua në rrjete sociale si një përballje epike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe miliarderit Soros, e ngjashme me atë mes Cezarit dhe Pompeut në brigjet e Karaburunit.
Grupi Feminist & LGBT
Më 31 maj, ditën pasi një protestues u dhunua nga roje private në Zvërnec, incident që u pasua me nisjen e protestave masive në kryeqytet, në media nisi të qarkullonte narrativa se ambjentalistët dhe OJF-të, të paguar nga miliarderi i shumëpërfolur hungarez George Soros, ngritën çështjen e Zvërnecit për të shpërqëndruar vëmendjen nga udhëzuesi për terapinë hormonale të transgjinorëve.
Megjithatë, organizata ambjentaliste PPNEA, e para që dha alarmin për punimet që nisën në peizazhin e mbrojtur, kishte denoncuar ndërhyrjen e makinerive të rënda dhe shkatërrimin e pyllit dhe dunave ranore që në 1 maj, gati një muaj përpara se lajmi për udhëzuesin e Ministrisë të dilte në media. Protesta e parë kundër kësaj ndërhyrje u thërrit më 16 maj në Zvërnec, ndërsa në 26 maj, dy ditë përpara lajmit të terapisë hormonale, u mbajt një protestë përpara Ministrisë së Mjedisit në kryeqytet.
Flamingo, një nga qindra speciet që popullojnë lagunën, i cili u adoptua herët nga protestuesit si simbol, u lidh nga mediat “me aktivizëm kulturor progresist dhe me narrativa të afërta me lëvizjet LGBT në Perëndim” Përdorimi i këtij simboli nga protestuesit u quajt “tentativë për të futur simbolikë ideologjike mbi simbolin kombëtar shqiptar”
Nëse protesta për Zvërnecin nisi si një reagim qytetar ndaj shkatërrimit të një ekosistemi të mbrojtur, shumë shpejt ajo u mbulua nga një “luftë hibride” e informacionit, ku narrativat politike dhe digjitale u përdorën për të deformuar kuptimin e saj. Nga imazhe të gjeneruara me inteligjencë artificiale, tek akuzat për ndërhyrje të huaja, deri tek teoritë e konspiracionit për Soros apo pushtimin izraelit, u krijua një terren ku e vërteta dhe propaganda u përplasën pa dallim. Ky bombardim narrativash nuk synon thjesht të shpjegojë protestën, por të minojë legjitimitetin e saj, duke e zhvendosur debatin nga mjedisi dhe të drejtat qytetare tek “armiqtë e jashtëm” dhe “komplotet globale”. Në këtë kuadër, “lufta hibride” nuk është vetëm një metaforë politike, por një realitet i prodhimit masiv të informacionit të manipuluar, ku qytetarët duhet të dallojnë mes faktit dhe fabulës. Dhe pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe: a do të arrijë shoqëria të mbrojë jo vetëm lagunën e Nartës, por edhe hapësirën e saj informative nga pushtimi i narrativave hibride?






