Më 29 maj, protesta e banorëve të Zvërnecit kundër projektit turistik “Zvërnec South Adriatic Development” u shoqërua me një ngjarje të paprecedent.
Pamjet filmike të shpërndara në rrjetet sociale treguan persona civilë pa uniformë që tërhiqnin zvarrë një protestues, ndërsa policia e Vlorës pranishme nuk lëvizi as gishtin.
Pamjet flisnin vetë se si një protestues duke negociuar me forca të Policisë, merret më pas me forcë nga persona të paidentifikuar brenda gardhit, tërhiqet zvarrë dhe më pas goditet edhe në gjoks nga nje person me maske i cili më vonë u procedua penalisht.
Protestuesi u raportua se nxirrte gjak dhe se për “lirimin” e tij kishte negociuar një drejtues policie.
Reagimi
Ajo që ndezi më pas shkrepsen ishte policia e Vlorës. Fillimisht Policia e Vlorës reagoi duke njoftuar shoqërimin e një qytetari (E.S.), procedimin penal të 15 protestuesve dhe dy punonjësve të sigurisë private.
Në komunikatën e saj, Policia e Vlorës deklaroi se protestuesi ishte futur me forcë në kantier, por ky version u përgënjeshtrua nga vetë Policia e Shtetit, e cila kërkoi ndjesë publike për raportimin e gabuar. Fillimisht Policia e Shtetit njoftoi se ishte pezulluar nga detyra drejtori e Policisë së Vlorës, Elidon Çela. Sot Drejtori i Përgjithshem i Policisë, Skënder Hitaj njoftoi shkarkimin e ketij të fundit.
“Sot prezantova drejtorin e komanduar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Drejtues Edvin Ndreu, i cili do ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave policore në qarkun e Vlorës, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve dhe zbatimit të ligjit”, tha Hitaj.
Policia e Shtetit
Që në fundjavë, frenat i mori policia e Shtetit. Përmes një njoftimi u raportua se ishin ndjekur penalisht gjithsej 17 persona, përfshirë protestues dhe roje private.
Vetë Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari tha se prona është private dhe se qeveria nuk kishte falur tokë, por njëkohësisht pranoi se rojet private nuk kishin të drejtë të përdornin forcë.
Ai kërkoi ndjekje penale për individët e përfshirë dhe hetim administrativ për kompaninë e sigurisë, ndërsa kritikoi indiferencën e policisë së pranishme.
Protesta
Pamjet e dhunës ndaj protestuesve, të lidhura me investimin ku përfshihet Jared Kushner e kthyen incidentin nga një çështje lokale në një skandal me jehonë ndërkombëtare.
Një ditë më pas në “lojë” u fut edhe Greqia. Më 31 maj, Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagoi pas një deklarate të Athinës, duke konfirmuar se ai që ishte tehrqur zvarrë ishte i minoritetit grek. Diplomacia shqiptare shprehu keqardhje për ngjarjen.
Takimi i kryetares se Bashkisë Vlorë në Athinë
Kathemerini shkruan se, rreth një javë para protestës në Zvërnec, në Athinë u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të komunitetit të Zvërnecit në Greqi dhe një delegacioni nga pala shqiptare, ku morën pjesë kryetarja e Bashkisë së Vlorës, një bashkëpunëtor i saj dhe dy avokatë që përfaqësonin investitorët e projektit turistik në zonë.
Takimi kishte për qëllim uljen e tensioneve dhe sqarimin e mosmarrëveshjeve lidhur me investimin e planifikuar, por sipas banorëve nuk solli asnjë rezultat konkret. Përfaqësuesit e komunitetit pretendojnë se pala tjetër kërkoi të shmangte protestën e paralajmëruar të shtunën përpara zonës së rrethuar me gardh.
Tirana
Ndërkohë të dielen në mbrëmje nisur nga disa njoftime të shpërndara vetëm në rrjetet sociale, mijëra qytetarë protestuan në Tiranë kundër dhunës në Zvërnec, duke u mbledhur fillimisht para Ministrisë së Brendshme dhe më tej drejt Kryeministrisë me thirrje si “Anuloni projektin” apo “Shqipëria nuk shitet”.
Ajo që ra në sy për herë të parë ishin edhe thirrje kundër dy forcave kryesore politike në vend më saktë kundër dy kryetarëve. “Rama në burg” “Berisha në burg” jehonte thirrja para kryeministrisë.
Kjo ishte protesta e tretë më e madhe në vend e nisur pa kokë dhe vetëm nga thirrjet në rrjetet sociale pas protestës së armeve kimike dhe asaj për studentët.
Ajo që ra në sy gjatë protestës në Tiranë ishte edhe mungesa e pranisë së forcave të policisë, ndryshe nga dy ditë më parë në Zvërnec ku ishin rreshtuar katër kordonë policie.
Protesta u mbizotërua nga të rinjtë dhe u njoftua se do të vijonte edhe ditën e sotme në orën 18.00
Procedimi
Të hënën e 1 qershorit, Policia e Shtetit njoftoi që me mëngjes heqjen e licencës për dy kompanitë private sigurie, Myrto Security 1.3A dhe Major Security, që ishin p-unësuar të mbronin punimet në kantier.
Sipas Policise, hetimet administrative zbuluan lejimin e personave të paidentifikuar që ushtruan dhunë dhe përdorimin e punonjësve të pa licencuar. Kompania investitore ndërkohë njoftoi një ditë më parë se kishte ndërprerë kontratën me shoqërinë e sigurisë. Paralelisht në rrjetet sociale u shpërndanë pamje ku shihej se kompania po hiqte telin me gjemba që i ishte mveshur rrethimit të kantierit.
Hetimet penale dhe administrative vijojnë, ndërsa incidenti ka nxitur protesta të gjera.
Në zonën e Zvërnecit dhe Pishë Poros parashikohet ndërtimi i një resorti gjigant turistik nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila lidhet me struktura investimi ndërkombëtare ku përfshihen Jared Kushner, Ivanka Trup si dhe Ramez e Mohamad Al-Khayyat nga Katari, sipas të dhënave të publikuara mbi projektin.
Si lindi konflikti
Dy vite më parë, mazhoranca socialiste miratoi ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, duke hapur rrugën për ndërtim në territore që më parë kishin mbrojtje të plotë. Ky vendim u kundërshtua ashpër atëkohë nga PD (tani jo më), shoqëria civile dhe ekspertët e mjedisit, të cilët paralajmëruan se pas ndryshimeve fshihej një interes i madh investimesh.
Agjencia Bloomberg raportoi paralelisht se Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, kishte planifikuar të investonte rreth 1 miliard dollarë në dy projekte turistike në Shqipëri: një në ishullin e Sazanit dhe një tjetër në zonën e Zvërnecit.
Po atë ditë, Kushner publikoi në rrjete sociale imazhet e projekteve, duke konfirmuar ambicien për zhvillime masive në këto zona.
Për ekspertët e mjedisit, këto projekte ishin qëllimi i vërtetë i ndryshimeve ligjore, duke ngritur alarmin se hapja e zonave të mbrojtura për ndërtim rrezikon biodiversitetin dhe pasuritë natyrore të vendit.
Megjithatë “korrigjimet” në ligj për të prekur zonat e mbrojtura kanë nisur shumë më herët.
Faktoje ka shkruar ndër vite për këtë fenomen ku zona të tjera të rëndësishme si zona urbane e Ksamilit, plazhi i Manastirit, i Pasqyrave, i Pulëbardhave, apo Gjiri i Hartës nuk do të kenë më statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur kështu rrugën investimeve të mundshme.
Aeroporti i Vlorës është gjithashtu një rast tipik ku me ndryshimet e reja të hartës së Zonave të mbrojtura iu hap rruga ndërtimeve. Territori pranë fshatit Akërni ku është ngritur aeroporti u shpall në vitin 2004 Zonë e Mbrojtur e kategorisë së pestë, “Peizazh i Mbrojtur”.






