Ky operacion për hantavirusin jo i inskenuar qëllimisht

7

Pretendimi: Kjo video tregon një burrë që hyn aksidentalisht në skenë ndërsa po xhirojnë dhe po përgatisin një tjetër farsë me Hantavirusin

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————————

Në rrjetet konspiracionste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një video që duket se tregon një grup personash të veshur me kostume mbrojtëse nga biorreziqet në një pistë avionësh, ndërsa një burrë i veshur me rroba normale, kalon pranë një çast. 

Video pretendohet se tregon “një burrë që hyn aksidentalisht në skenë ndërsa po xhirojnë dhe po përgatisin një tjetër farsë me Hantavirusin.”

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet e mësipërme janë shkëputur nga një video më e gjatë nga 10 maji që tregon pasagjerë nga Hondius, anija turistike e prekur nga hantavirusi, në Aeroportin Jugor të Tenerife, Spanjë.

Sipas mediave vendase, 14 pasagjerët spanjollë me të mbërritur e tyre në pistën e aeroportit, u transferuan në Spitalin Gomez Ulla në Madrid.

Në versionin e plotë të videos, vërehet se burri që kalon në pistë, në fakt, mban një maskë mbrojtëse e cila nuk duket në klipin e mësipërm ku burri shfaqet me kurriz.

Një tjetër punonjës i aeroportit shfaqet në video, edhe ky pa kostum mbrojtës, por vetëm me një maskë.

A dëshmojnë këta dy punonjës pa kostume mbrojtës që hantavirusi është një farsë? Vështirë.

Me gjasa, dy personat me maskë janë staf i pistës së avionit, të cilëve nuk i duhej një kostum i plotë mbrojtës si ato të stafit mjekësor sepse ata nuk do të kishin kontakt të afërt me pacientët e infektuar.

Kontakti shumë i ngushtë dhe i zgjatur është i nevojshëm për transmetimin nga personi në person, si në raste kur njerëzit ndajnë hapësirat e jetesës ose mund të jenë ulur direkt pranë dikujt në një fluturim të gjatë.

Më tej, hantaviruset, dhe specifikisht hantavirusi i Andeve, nuk janë të panjohur për njerëzimin. 

Hantaviruset janë një grup virusesh që barten nga brejtësit dhe transmetohen me jashtëqitjet dhe urinën e tyre. Hantaviruset mund të shkaktojnë një sërë sëmundjesh, nga sëmundje të lehta, të ngjashme me gripin, deri te sëmundje të rënda të frymëmarrjes. Shumica e hantaviruseve nuk përhapen nga personi në person, megjithëse transmetimi midis njerëzve ka ndodhur me një lloj të virusit në raste të rralla.

Shpërthimi i parë i regjistruar i hantavirusit me transmetim nga njeriu te njeriu ndodhi në Argjentinë në vitin 1996. Studiuesit dokumentuan një tjetër shpërthim ku virusi u përhap midis njerëzve në vitin 2018. Të dy shpërthimet përfshinin variantin e virusit të Andeve (ANDV) të hantavirusit, i cili është varianti i vetëm i njohur që mund të përhapet nga personi në person.

Sipas autoriteteve shëndetësore të Afrikës së Jugut dhe OBSh, ky ishte i njëjti lloj hantavirusi që laboratorët gjetën në shpërthimin e MV Hondius që nga 6 maji.

Edhe pse hulumtimet sugjerojnë se një variant i hantavirusit mund të përhapet midis njerëzve, studimet dhe ekspertët bien dakord se është një ngjarje relativisht e pazakontë.

Një studim i shpërthimit të 2018 gjeti vetëm një infeksion nozokomial, që do të thotë një që ndodhi në një mjedis spitalor pas pranimit të një pacienti, midis më shumë se 80 punonjësve të kujdesit shëndetësor që kujdeseshin për pacientët me virusin në një spital, edhe pse ata përdornin pajisje të kufizuara mbrojtëse personale. Studimi gjeti dy infeksione të tilla në një spital më të vogël rural. Ai gjithashtu zbuloi se vetëizolimi dhe karantina ishin masa shumë efektive kundër përhapjes së virusit, duke përgjysmuar shkallën e përhapjes.

Studimi zbuloi se ata që ishin infektuar nga “super-përhapësit” kishin qenë përgjithësisht pranë tyre për periudha të gjata kohore në ngjarje shoqërore. Studiuesit zbuluan se një “super-përhapëse”, e cila ishte gruaja e një “super-përhapësi” tjetër të ndjerë, infektoi 10 persona në funeralin e burrit të saj, një ngjarje që zakonisht përfshin kontakt të ngushtë fizik midis shumë njerëzve për një periudhë të zgjatur kohore.

Në një studim të shpërthimit të 1996, njerëzit që u infektuan me ANDV nga një person tjetër kishin qenë gjithashtu përgjithësisht në kontakt të ngushtë me atë person, që përfshinte jetesën së bashku, punën në shtëpinë e një personi të infektuar ose udhëtimin me një person të infektuar në një makinë për një periudhë të zgjatur kohore.
Dr. Lucille Blumberg, ish-zëvendësdrejtoreshë në Institutin Kombëtar për Sëmundjet Ngjitëse të Afrikës së Jugut, tha për CNN: “Ky nuk është Covid. Ky nuk është vërtet Covid. Nuk është as grip. Është një ngjarje e pazakontë nga personi në person dhe mund të ketë ndodhur për shkak të, ndoshta, një mjedisi të mbyllur në një anije.”