Pretendimi: Kjo foto tregon përgjigjen ndaj shpërthimit të një virusi ngjitës në një anije
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————
Një imazh që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse, pak ditë pas raportit që lëshoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) për prekjen e një ekuipazhi anijeje nga hantavirusi, duket se tregon një numër personeli mjekësor të veshur me kostume mbrojtëse nga infektimi, ndërsa përkrah tyre duket një fotograf i veshur normalisht, pa maskë apo kostum mbrojtës.

Ky kontrast i çuditshëm përdoret për të krijuar idenë se veshjet mbrojtëse të punonjësve shëndetësorë janë pjesë e inskenimit për të krijuar frikë te publiku.
Është e vërtetë se virusi në foton e mësipërme nuk ishte i vërtetë, por kjo jo sepse kemi të bëjmë me një pandemi të rreme, por sepse foto tregon një çast nga një stërvitje e marinës spanjolle.
Me anë të motorrit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti se foto e mësipërme ishte postuar fillimisht në rrjet në një version më të plotë më 7 maj 2025.

Sipas faqes së Autoritetit Portual të qyteti spanjoll Almeria, foto tregon një një stërvitje që mat kapacitetin e reagimit ndaj mbërritjes së një anijeje me raste të mundshme të Ebolës, organizuar nga Forca Detare e Veprimit e Marinës Spanjolle, e koordinuar nga Nëndrejtoria e Përgjithshme e Shëndetit të Jashtëm (SGSE) e Ministrisë së Shëndetësisë. Qëllimi i ushtrimit është të koordinohen organizatat dhe kompanitë për të ofruar një përgjigje të menjëhershme shumësektoriale ndaj një rreziku global të shëndetit publik.






