Pretendimi: Kjo video që tregon një pjatë ushqimi të mbushur me krimba që lëvizin duhet të na bëjë të shqetësohemi për standardet e higjienës në restorante
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————-
Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon një video që duket se tregon disa gjallesa të tejdukshme, të quajtura “krimba”, që lëvizin në një pjatë, shoqëruar me shqetësime për standardet e higjienës në restorante. I publikuar pak ditë pas helmimit nga ushqimi të 56 studentëve në mensën e Akademisë së Sigurisë në Tiranë, postimi ka marrë komente të shumta nga lexuesit.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në Instagram nga një blogere ushqimi koreane, e cila specializohet në “ushqimet sezonale dhe të rralla në të gjithë vendin me asgjë që nuk mund ta hajë.”

Në përshkrimin e videos nuk shprehet ndonjë shqetësim për higjenën e restoranteve, por vetëm entuziazëm për pjatën, e quajtur “sabaekgeo”, që serviret për herë të parë dhe të vetme në një restorant të qytetit Daegu në Korenë e Jugut.
Gjallesat në pjatë nuk janë krimba, por peshq të species Leucopsarion petersii të gatuar në stilin tradicional japonez Odorigui, konsumimi i ushqimeve të detit të gjalla ndërsa ato janë ende duke lëvizur.
Në Japoni, ky gatim quhet Shirouo no Odorigui dhe një mënyrë e konsumimit të këtyre peshqve të gjallë është me një frymë, nga një gotë tekeje, me vetëm disa pika salcë soje për shoqërim. Ngrënësit përjetojnë ndjesinë e çuditshme të peshkut që “kërcen” ose lëkundet rreth gojës, duke stimuluar gjuhën dhe receptorët e shijes në mënyra të pazakonta përpara se të gëlltitet ose përtypet.
Një sërëvideosh në rrjete sociale tregojnë njerëz që hanë dhe gatuajnëkëtë gatim të veçantë.






