Asnjë gjurmë e studimit që provon ndikimin e HAARP tek klima

19

Pretendimi: Një studim nga një universitet brazilian tronditi komunitetin shkencor, duke zbuluar një mundësi befasuese: HAARP, Programi i Kërkimit Auroral me Frekuencë të Lartë, mund të jetë i aftë të manipulojë motin e Tokës në mënyra të paprecedenta.

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se një studim i një universiteti brazilian ka konfirmuar çfarë konspiracionistët kanë pretenduar prej kohësh: që sistemi famëkeq HAARP “mund të jetë i aftë të manipulojë motin e Tokës në mënyra të paprecedentë.”

Megjithatë, si zakonisht, nuk sillet asnjë provë, burim apo referencë për ta mbështetur këtë pretendim. 

Megjithëse studimi i pretenduar do të provonte se konspiracionistët kanë patur të drejtë gjatë gjithë kohës, nuk jepet asnjë e dhënë identifikuese mbi të. Lexuesi nuk di as titullin, as autorët, as emrin e “universitetit brazilian” ku pretendohet se është kryer studimi dhe as emrin e revistës shkencore ku është botuar studimi.

Një kërkim në literaturën shkencorë me Google Scholar nuk jep ndonjë artikull apo studim që përputhet me përshkrimin e mësipërm.

Kështu, pretendimi se një studim brazilian ka zbuluar se “transmetuesi me frekuencë të lartë i përdorur në HAARP mund të shkaktojë ndryshime masive në mjedisin tonë,” mbetet i paprovuar.

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i krijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.

HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

Faktoje ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.