E pasaktë kjo foto e viktimës së mitur të aksidentit në Durrës

18

Pretendimi: Kjo foto tregon njërin prej fëmijëve që humbën jetën nga një aksident në Durrës më 3 maj 2026 dhe babain e tij.

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————

Një aksident që i mori jetën dy fëmijëve në Durrës më 3 maj 2026 tronditi opinionin publik shqiptar dhe u shoqërua me një vëmendje të gjerë mediatike. Nganjëherë, kjo vëmendje është shndërruar në dramë familjare për dikë të pafajshëm dhe keqinformim për publikun.

Kështu, vetëm një ditë pas aksidentit tragjik, një numër mediash dhe portalesh shqipfolëse botuan një foto mallëngjyese ku pretendohej se shfaqej njëri prej fëmijëve të vrarë, 9-vjeçari Klersi Nikolli, me babin e tij Petrit Nikolli. 

Çka e bënte më prekëse foton ishte se, sipas mediave, “pak orë para aksidentit, babai i Klesit, Petrit Nikolli, kishte ndryshuar fotografinë e profilit në Facebook, duke vendosur një imazh ku shfaqet së bashku me djalin e tij, në një moment përqafimi mes tyre.”

Megjithatë, ky lajm është i pavërtetë.

Burri në foto, megjithëse ndan të njejtin emër dhe mbiemër, nuk është babai i fëmijës së ndjerë. 

Ai është një qytetar me origjinë nga Lezha, i cili më 6 maj është shfaqur në emisionin Fiks Fare për të denoncuar pikërisht përdorimin e fotos së tij dhe të djalit të tij 8-vjeçar nga portalet.

“E kanë përhapur foton time dhe të djalit në të gjitha portalet. Kanë ngatërruar portretin tim me familjen Nikolli në Durrës. Na kanë sjellë një shqetësim të madh, më kanë marrë të gjithë në telefon se çfarë na ka ndodhur. Fotot i kanë marrë nga rrjetet sociale dhe janë tani në të gjitha portalet. Kam bërë denoncim në polici”, tha Petriti i përlotur.

Megjitëse kjo ngatërresë është bërë publike dhe kanë kaluar 48 orë nga publikimi, artikulli dhe fotoja vijon të jetë aktive në disa portale informuese. Në kërkim të klikimeve, këto media sërish kanë raportuar pa verifikuar, duke shkaktuar kështu dhimbje jo vetëm në familjen e fëmijës së ndjerë, por edhe të qytetarëve të tjerë që nuk kanë aspak lidhje me ngjarjen.