I gjeneruar imazhi i këtij pushimi me fruta i ekuipazhit të Artemis II

23

Pretendimi: Ky imazh tregon astronautët e misionit hapësinor Artemis II duke ngrënë fruta

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon astronautët e misionit hapësinor Artemis II të NASA duke ngrënë banane në mungesë graviteti. Imazhi ndahet si një moment pushimi njerëzor edhe në këto kushte të pazakonta.

Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai me gjasa është krijuar me programe të inteligjencës artificiale.

Një numër elementësh të imazhit na bëjnë të dyshojmë vërtetësinë e tij. 

Si fillim vëmë re kostumet portokalli të astronautëve. Këto kostume ngjyrë “Portokalli Ndërkombëtare” janë kostumet e fluturimit, që astronautët mbajtën veshur gjatë lëshimit hapësinor dhe zbritjes. Kostumet, të cilat funksionojnë si mini-sisteme mbështetëse për jetën (astronautët mund të jetojnë në to për 144 orë, nëse është e nevojshme), u prodhuan me porosi sipas fizikut të secilit astronautë nga inxhinierët e NASA.

Nuk ka arsye pse astronautët do të kishin veshur këto kostume për të ngrënë banane. Në fakt, pamjet e botuara nga NASA i tregojnë astronautët në kabinë të veshur me rroba shumë më të thjeshta: bluza me mëngë të shkurtra dhe pantallona.

Ekuipazhi Artemis II në një foto në grup, brenda anijes kozmike, gjatë rrugës për në shtëpi.

Gjithashtu dritarja panoramike dhe hapësira e bollshme për katër të rritur nuk përkojnë me realitetin e anijes hapësinore Integrity që çoi misionin deri në Hënë dhe mbrapsht.

Dritaret e vërteta të anijes hapësinore janë shumë më të vogla, siç vërehet në këtë video nga brenda kabinës së Integrity.

.

Astronauti Victor Glover krahas dritares së Integrity

Imazhe zyrtare të botuara në faqen e NASA gjithashtu tregojnë vogëlsinë e dritareve të Integrity.

Astronautja Christina Koch duke parë Tokën nga dritarja e Integrity

Hëna shihet në dritaren e anijes kozmike në një foto të bërë nga ekuipazhi i Artemis II, në fund të Ditës 5 të udhëtimit drejt hënës

Piloti i Artemis II Victor Glover, shikon nga njëra prej dritareve të anijes kozmike duke shikuar Tokën përpara fluturimit hënor të ekuipazhit.

Komandanti i Artemis II Reid Wiseman, shikon nga njëra prej dritareve kryesore të kabinës së anijes kozmike drejt Hënës përpara fluturimit hënor të ekuipazhit më 6 prill 2026.

Sipas NASA, për të vëzhguar Hënën si pjesë e misionit, “meqenëse hapësira në dritaret e [anijes kozmike] është e kufizuar, ekuipazhi do të ndahet në çifte, me dy anëtarë të ekuipazhit që do të vëzhgojnë për 55 deri në 85 minuta, ndërsa çifti tjetër do të ushtrohet ose do të punojë në detyra të tjera.”

Pra, imazhi që po qarkullon në rrjete sociale nuk mund të jetë i vërtetë, sepse nuk ekzistonte një dritare mjaftueshëm e gjerë apo një hapësirë mjaftueshëm e madhe në anijen kozmike të Artemis II. 

Më tej, imazhi nuk është botuar as në faqen zyrtare, as në rrjetet socialeNASA.