Parashutisti në Libi asnjë lidhje me rrëzimin e pilotit amerikan mbi Iran

8

Pretendimi: Kjo video tregon momentin kur piloti amerikan i avionit F 15 kapet peng nga fiset iraniane

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————

Video e zbarkimit të një parashutisti mbi një turmë njerëzish po qarkullon në rrjete sociale me pretendimin se tregon momentin kur “piloti amerikan i avionit F 15 kapet peng nga fiset iraniane.”

Zyrtarë nga ShBA dhe Irani thanë më 3 prill 2026 se Irani rrëzoi një avion amerikan F-15E me dy vende. Njëri nga pilotët u shpëtua po atë ditë, dhe i dyti u nxor më 5 prill, thanë zyrtarët amerikanë. Nuk ka raportime të besueshme se ndonjëri prej pilotëve është kapur rob.

Megjithatë, video e mësipërme është filmuar të paktën një muaj para se avioni amerikan të rrëzohej dhe tregon një stërvitje në Libinë lindore, mijëra kilometra larg Iranit.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar në internet më 2 mars 2026 nga media libiane Fawasel.

Sipas përshkrimi të videos, ajo tregon një ushtar që kryen një kërcim me parashutë pavarësisht se ka një këmbë të thyer, ndërsa të tjerët e presin atë teksa ulet.

Media të tjera publikuan gjithashtu video të uljes të filmuara nga një kënd tjetër.

Saiqa, “Vetëtima” në arabisht, një njësi elite e lidhur me Ushtrinë Kombëtare Libiane, tha në një postim në Facebook më 3 mars se kishte përfunduar një stërvitje parashutizmi që përfshinte pjesëmarrës nga pjesë të ndryshme të forcave të armatosura. 

Një version i videos së parashutistit u postua në TikTok më 1 mars, me përshkrimin se tregonte një “garë parashutizmi” me hashtagun D80, numri që i ishte dhënë stërvitjes në postimin e njësisë Saiqa.

AFP gjeti një video tjetër që tregonte skenën të postuar më 1 mars nga përdoruesi i Facebook Wisi Al-Tira, i cili tha në postim se kishte përfunduar me sukses një kurs parashutizmi.

Përdoruesi i tha AFP se është personi në video, duke e identifikuar veten si Issa Ali Issa al-Tira dhe një anëtar i ushtrisë libiane. Ai vazhdoi duke thënë se “pësoi një thyerje të këmbës gjatë stërvitjes me parashutë” dhe se ushtarët e tjerë e ndihmuan të ulej.

Qeverisja e Libisë është ndarë që nga viti 2014, me Qeverinë e Unitetit Kombëtar të njohur ndërkombëtarisht që kontrollon Tripolin dhe veriperëndimin e vendit, ndërsa lindja, përfshirë Bengazin, kontrollohet nga Ushtria Kombëtare Libiane e Khalifa Haftarit.