Pretendimi: Ky imazh tregon një pilot amerikan të kapur nga Garda Revolucionare iraniane në prill 2026
Verdikti: E pavërtetë, Foto e manipuluar
———————————————————————-
Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një pilot amerikan të kapur nga Garda Revolucionare iraniane në prill 2026.

Zyrtarë nga ShBA dhe Irani thanë më 3 prill 2026 se Irani rrëzoi një avion amerikan F-15E me dy vende. Njëri nga pilotët u shpëtua po atë ditë, dhe i dyti u nxor më 5 prill, thanë zyrtarët amerikanë. Nuk ka raportime të besueshme se ndonjëri prej pilotëve është kapur rob.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Tineye, Faktoje gjeti një imazh shumë të ngjashëm me atë të mësipërmin, që qarkullonte në rrjet nga viti 2025, kur ishte botuar në një numër mediash kineze.

Ky imazh shfaqet në raportin e një hetimi të policisë së Xichong të publikuar në korrik 2025 në WeChat. “Pas 15 vitesh, një rast i pazbuluar më në fund është zgjidhur”, deklaronte policia. Ata shpjeguan se autoritetet më në fund kishin zgjidhur vrasjen e një “shoferi taksie në rrugën unazore të distriktit Xichong më 4 nëntor 2009”, “falë përpjekjeve të kombinuara të disa brezave të hetuesve”.
Elementet që ndryshojnë midis dy imazheve me gjasa janë shtuar mbi foton origjinale duke modifikuar imazhin, siç tregohet në krahasimin e mëposhtëm.
Siç vërehet, imazhet janë identike përveçse në detajet që e identifikojnë atë si të shkrepur në Kinë, si personazhet kinezë që janë zëvendësuar me personazhe që duken si iranianë dhe shenjat në alfabetin kinez që zhduken për t’u zëvendësuar me një flamur gjigand iranian që gjendet në dhomë pa ndonjë arsye logjike. Piloti i pretenduar amerikan duket se është shtuar gjithashtu në imazh, duke zëvendësuar një të burgosur me jelek të kuq, fytyra e të cilit është sfumuar.






