Imazhet AI pretendojnë mashtrimin e NASA me misionin Artemis II

9

Pretendimi: Këto janë pamjet e realizimit në një skenë kinematografike të misionit hapësinor Artemis II

Vlerësimi: E pavërtetë, pamje AI

Barbara Halla

Një imazh i shpërndarë së fundmi në rrjetet sociale, përfshirë edhe në hapësirat shqiptare të Facebook-ut, pretendon të tregojë “prapaskenat” e misionit hënor Artemis II të NASA-s. Në këtë imazh, astronautët duken sikur po “fluturojnë” në një studio filmike të varur me litarë. Postimi sugjeron se kjo është provë që misioni Artemis II është i inskenuar. Megjithatë, verifikimet tregojnë se fotografia është e rreme dhe e krijuar me inteligjencë artificiale.

Imazhe të tilla qarkullojnë në rrjet qe nga fillimi i prillit, para se të mbërrinin edhe në faqet shqiptare. Kjo video përmban disa elemente tipike të përmbajtjeve të gjeneruara nga IA, siç e vënë në dukje dhe kolegët italianë të verifikimit të fakteve të Facta.news.

Një vështrim i kujdesshëm zbulon problemet në krijimin e një skene të tillë nga inteligjenca artificiale. Një detaj i tilla është përshembull dora e një tekniku në skenë, e cila nuk paraqitet në mënyrë realiste, një shenjë e zakonshme e manipulimeve digjitale. Verifikimi nëpërmjet SynthID Detector të Google konfirmoi gjithashtu se videoja nuk është autentike, por e krijuar artificialisht. 

Në të vërtetë, Artemis II është një mision i planifikuar i NASA-s për të dërguar astronautë në një fluturim rreth Hënës, pa ulje në sipërfaqe, si pjesë e programit më të gjerë Artemis që synon rikthimin e njerëzve në Hënë pas më shumë se pesë dekadash nga programi Apollo. Misioni është i dokumentuar gjerësisht dhe përfshin bashkëpunim ndërkombëtar, teknologji të avancuar dhe transparencë të lartë publike.Siç e ka treguar shpesh Faktoje në të shkruarën, teoritë konspirative për zbarkimin në Hënë kanë qarkulluar prej dekadash në mbarë botën, duke përfshirë edhe Shqipërinë, shpesh të ushqyera nga keqinterpretimi i materialeve vizuale ose nga mosbesimi ndaj institucioneve.