Nga Jona Cenameri
“Certifikohen 77 oficerë sigurie…”, “112 oficerë i shtohen shkollave…”, “Rritet numri i oficerëve…” – janë tituj që janë bërë të zakonshëm në median shqiptare vitet e fundit. Njoftimet përsëriten, ndërsa procesi i shtimit dhe certifikimit të oficerëve të sigurisë në shkolla vijon prej disa vitesh.
Në maj të vitit 2025, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu deklaroi se numri i oficerëve të sigurisë në shkolla do të arrinte në 400.
Deri në mars 2026, sipas ministres aktuale Mirela Kumbaro, në sistem janë 329 oficerë sigurie aktivë.
Në të njëjtën kohë, sistemi parauniversitar numëron 1498 shkolla.
Ministrja Kumbaro deklaroi se zgjerimi i këtij rrjeti mbetet i lidhur me financimin publik, duke theksuar se: “në buxhetin e vitit 2026 kemi rritur numrin e vendeve të financuara dhe vijon procesi i rekrutimit të kandidatëve për oficerë sigurie”
Kuadri ligjor
Vendimi i Këshillit të Ministrave i prillit 2025 përcakton kriteret për shpërndarjen e oficerëve të sigurisë në shkolla, në varësi të madhësisë së institucionit.
Sipas kësaj VKM-je, shkollat e arsimit të mesëm dhe ato profesionale me mbi 80 nxënës duhet të kenë të paktën 1 oficer sigurie, ndërsa shkollat e arsimit bazë përfshihen kur kanë mbi 350 nxënës.
Për institucionet me mbi 900 nxënës parashikohet prania e 2 oficerëve, ndërsa për arsimin profesional ky prag vendoset në 700 nxënës.
Planifikimi VS realizimi
Sipas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, publikuar në vitin 2025, procesi i shtimit të oficerëve të sigurisë ka shfaqur një mospërputhje të vazhdueshme midis planifikimit dhe realizimit në terren.
Projekti nisi në vitin 2018 si pilot në 15 gjimnaze dhe u zgjerua në 150 shkolla brenda të njëjtit vit. Në vitet në vijim, numri i planifikuar i oficerëve është rritur, por nuk është arritur të plotësohet:
Në vitin shkollor 2021-2022 ishin planifikuar 150 oficerë, ndërsa në detyrë ishin 131.
Në vitin 2022-2023 plani u rrit në 222, ndërsa faktikë ishin 201.
Në vitin 2023-2024 mbetën 222 të planifikuar, por 202 në detyrë.
Deri në dhjetor 2024, plani arriti në 276, ndërsa në terren u regjistruan 212 oficerë.
Në fund të vitit 2024 rezultonin dhjetëra vende vakante të paplotësuara.
Certifikimet e vazhdueshme
Paralelisht me zgjerimin e skemës, janë zhvilluar cikle të njëpasnjëshme trajnimi dhe certifikimi për oficerët e sigurisë, me dhjetëra dhe qindra kandidatë të përfshirë çdo vit.
Vetëm në disa prej këtyre cikleve janë certifikuar:
-128 oficerë sigurie në dhjetor të vitit 2022
-114 oficerë sigurie në janar të vitit 2023
-77 oficerë sigurie në maj të vitit 2025
-112 oficerë sigurie në tetor të vitit 2025
KLSH
Sipas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rritja e numrit të të certifikuarve nuk është shoqëruar me një rritje të njëjtë të numrit të oficerëve të punësuar në shkolla.
Raporti evidenton se procesi i rekrutimit ka rezultuar joefektiv dhe shpesh nuk ka arritur të plotësojë vendet vakante.
Në raport theksohet se “të certifikuarit si oficerë sigurie nuk shfaqin interes të punësohen në këtë detyrë”.
Në disa procedura rekrutimi, për vende vakante nuk është paraqitur asnjë kandidat, ndërsa në raste të tjera numri i aplikantëve ka qenë dukshëm më i ulët se ai i të trajnuarve.
Auditimi e lidh këtë fenomen me faktorë si shpërndarja gjeografike e vendeve të punës, mungesa e stabilitetit në pozicion dhe niveli i pagës.
Zërat nga terreni
Dëshmitë nga terreni përputhen me gjetjet e raportit të KLSH. Në një artikull të mëparshëm, Faktoje.al ka evidentuar edhe presionin, mungesën e pavarësisë dhe kushtet e kufizuara të punës së oficerëve të sigurisë.
Një oficere sigurie në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë thotë se, për një numër të kufizuar vendesh pune, në trajnim futen shumë më tepër kandidatë sesa ka nevojë reale sistemi dhe, në fund, vetëm një pjesë e tyre punësohen, ndërsa të tjerët mbeten jashtë.
Sipas saj, kjo e zbeh interesin për këtë rol, sidomos kur paga nuk përputhet me ngarkesën dhe përgjegjësinë e detyrës.
Në të njëjtën linjë shprehet edhe ekspertja e trajnimeve të oficerëve, Erinda Bllaca, sipas së cilës janë trajnuar qindra kandidatë ndër vite, por jo të gjithë janë përthithur nga sistemi.
Ajo thotë se një pjesë mbeten në listë pritjeje për periudha të gjata, ndërsa ndërkohë hapen cikle të reja trajnimi, çka tregon se procesi i certifikimit nuk është shoqëruar me të njëjtin ritëm punësimi.
Dhuna në shkolla
Auditimi i KLSH për periudhën 2021-2024 e lidh drejtpërdrejt këtë politikë me nivelin e incidenteve në shkolla. Sipas raportit, në këtë interval janë evidentuar:
- 892 raste dhune fizike
- 333 raste dhune psikologjike
- 186 raste bullizmi
- 178 raste kërcënimi dhe shantazhi
- 133 raste përdorimi të substancave
Këto të dhëna bashkë me incidentet e dhunshme në shkolla të viteve të fundit, pasqyrojnë një problematikë të vazhdueshme të sigurisë në ambientet shkollore.
Rasti i Durrësit në dhjetor 2025, ku humbi jetën 15-vjeçari Erion Boba pas një konflikti mes të miturish, vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë nga një bashkëmoshatar, konflikti me pasoja të rënda në Kamëz pranë shkollës “Ibrahim Rugova”, apo incidente të tjera me përdorim të armëve të ftohta mes të miturve, e kanë rikthyer vazhdimisht në vëmendje çështjen e sigurisë në shkolla.
Përfundimi
Procesi i shtimit dhe certifikimit të oficerëve të sigurisë ka vijuar për disa vite, i mbështetur nga ndryshime ligjore dhe cikle të vazhdueshme trajnimi.
Të dhënat tregojnë se ndërsa numri i kandidatëve të certifikuar është rritur, angazhimi i tyre në terren ka mbetur i kufizuar, me një diferencë të dukshme midis vendeve të planifikuara dhe atyre të mbuluara në praktikë, duke e kategorizuar për pasojë një premtim pjesërisht të mbajtur.






