Pretendimi: Kjo video tregon momentet kur banorët spanjollë nxjerrin me dhunë emigrantët e paligjshëm nga apartamentet që kanë zënë
Vlerësimi: E pavërtetë
Barbara Halla
Një video e ndarë në 14 prill në Facebook pretendon se tregon banuesit e një lagje në La Pampa të Spanjës, të cilët përzënë me dhunë emigrantët e paligjshëm nga një banesë. Pamjet janë ndarë gjerësisht në rrjet në kontekstin e kritikave për valët e emigracionit nga Afrika në Evropë.

Në fakt, videoja në fjalë nuk vjen nga Spanja, por Argjentina dhe tregon pamje të një konflikti mes fqinjëve.
Videoja e publikuar në shqip citon si burim një postim në platformën Twitter/X, postim i cili ka marrë mijëra reagime kundër emigrantëve në Evropë . Kjo video shoqërohet nga përshkrimi se banohët kanë hedhur nga ballkoni emigrantë që po qëndronin në ndërtesë në mënyrë të paligjshme, pa paguar qera. Pretendimi në fjalë është shpërndarë gjerësisht në mediat sociale në disa gjuhë, gjithmonë pa burime zyrtare për të vërtetuar origjinën e videos.

Në fakt, në Spanjë nuk ekziston një qytet apo rajon që quhet La Pampa. Vidoeja rezulton të jetë xhiruar në General Pico në rajonin La Pampa të Argjentinës dhe përshkruhet nga mediat vendase dhe spanjish-folëse si një konflikt i dhunshëm mes disa fqinjëve dhe nuk ka të bëj fare me pakënaqësitë ndaj emigrantëve.
Për gazetën Maldita, autoritet e rajonit kanë thënë se çështja është ende nën investigim, por mesa dihet fqinjët filluan të grindeshin në korridoret e jashtme të shtëpive të tyre. Grindja u përshkallëzua dhe sherri përfundoi me të paktën një person që u hodh nga ballkoni.
Ende nuk dihen aryset e grindjes, por në mediat dhe burimet zyrtare nuk përmendet në asnjë moment se zanafilla ishte në prejardhjen racore apo ndonjë problem me mospagimin e qerasë.






