Pavarësisht interesit, Ivanka Trump nuk i kaloi Pashkët në Vlorë

15

Pretendimi: E bija e presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump, vizitoi Vlorën më 11 prill 2026

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————————-

Fundjavën e kaluar, në rrjete sociale dhe mediat shqipfolëse qarkulloi lajmi se Ivanka Trump, e bija e presidentit amerikan Donald Trump, mbërriti në Vlorën më 11 prill 2026 ku u prit nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kaloi natën në vilat qeveritare.

Megjithatë, ky lajm ishte i pavërtetë.

Më 11 prill, Ivanka Trump ishte në Miami, Florida, ku u fotografua bashkë me anëtarë të familjes së saj, përfshi presidentin Trump, në eventin e arteve marciale të përziera UFC 327.

Tiffany Trump, e motra Ivanka Trump dhe Arabella Kushner, vajza e Ivankës. 11 prill 2026. Kaseya Center, Miami, Florida, ShBA.

Donald Trump me vajzat e tij Ivanka dhe Tiffany. 11 prill 2026. Kaseya Center, Miami, Florida, ShBA.

Ivanka Trump me vajzën e saj Arabella Kushner. 11 prill 2026. Kaseya Center, Miami, Florida, ShBA.

Më 13 prill, në një takim në Vlorë, Rama gjithashtu konfirmoi se Ivanka Trump nuk ishte në Vlorë këtë fundjavë. “Dje isha në Dhërmi me disa miq, jo me Ivankën kuptohet se e bënë sikur vjen në Vlorë çdo dy muaj, do vijë ajo çdo dy muaj në Vlorëm, por nuk jemi akoma në këtë fazë,” tha Rama.

Pavarësisht këtyre konfirmimeve, lajmi i pasaktë për vizitën e Ivankës në vilën qeveritare në Vlorë vijon të jetë i publikuar në portalet shqiptare. 

Kujtojmë se Ivanka Trump vizitoi vërtet Vlorën në fund të janarit, bashkë më bashkëshortin e saj Jared Kushner. Kompania e këtij të fundit ka marrë statusin e investitorit strategjik nga qeveria shqiptare për zhvillimin e një kompleksi turistik luksoz në ishullin e Sazanit. Në atë kohë, një grup prej 41 organizatash mjedisore nga 28 vende të ndryshme iu drejtuan kryeministrit Rama me një deklaratë publike për të pezulluar çdo nismë ndërtimi në ishullin e Sazanit, i cili rrethohet nga Parku Kombëtar Detar, i klasifikuar si Park Kombëtar e po ashtu si Zonë Veçanërisht e Mbrojtur me Rëndësi për Mesdheun.