Sebi Alla “Kërkesa rrëzohet”! Kjo qe fjala e fundit dhe e prerë e kryeministrit Edi Rama pas fjalimit të gjatë që mbajti për heqjen ose jo të imunitetit të ish-zëvendëses së tij, Belinda Balluku.
Në këtë mënyrë Partia Socialiste në seancën e 12 Marsit pritet t’i thotë një “jo” të fortë Prokurorisë Speciale (SPAK), e cila kërkonte nga Kuvendi lëshimin e autorizimit për arrestimin e Ballukut, kërkesë e mbërritur që më datë 16 dhjetor të vitit të kaluar, por vetëm ditën e sotme mori përgjigjen përfundimtare nga kryeministri dhe Grupi Parlamentar i PS-së.
Balluku akuzohet për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në ankande ose tendera publike, në nëntë raste”, për procedurat e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë dhe disa lote të ndërtimit të Unazës së Madhe në Tiranë.
SPAK kërkoi në muajt nëntor dhe dhjetor dy herë masë sigurie fillimisht “bllokim të pasaportës për të dalë jashtë vendit” dhe më pas “pezullim nga detyra”, ndërsa në fund më 16 dhjetor kërkesë për arrestimin e saj.
Raporti i PS
E përmbledhur në disa pika, raporti i përfaqësuesve të PS-së (që Faktoje e disponon të plotë) në Komisionin Parlamentar të Mandateve dhe Imuniteteve që u lexua nga Ulsi Manja thotë se ndaj Ballukut nuk ka akuzë për korrupsion por “shkelje e barazisë në tendera”, vepër për të cilën PS pretendon se në raste të tjera procesi ndaj të pandehurve është ndjekur në gjendje të lirë.
Gjithashtu grupi i PS këmbëngul se nuk ekziston rreziku i arratisjes apo i prishjes së provave.
Për PS-në, masa e sigurimit personal për pezullimin nga detyra si anëtare e Këshillit të Ministrave nuk prodhon më pasoja juridike reale, pasi Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive.
“Për rrjedhojë, masa e sigurimit personal e pezullimit nga detyra si anëtare e Këshillit të Ministrave nuk prodhon më asnjë pasojë juridike reale. Në të njëjtën linjë arsyetimi, edhe narrativa mbi të cilën Prokuroria e Posaçme ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda të sigurimit personal, si rreziku i prishjes së provave, i arratisjes apo i kryerjes së një vepre tjetër penale, mbetet thelbësisht hipotetike për sa kohë lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e funksioneve ekzekutive që deputetja në fjalë nuk i ushtron më”, thuhet në raport.
Qëndrimi i Ramës
Në rreth 90 minuta fjalim, kreu i qeverisë kundërshtoi kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, ndërsa bëri edhe një rezyme të gjatë të përballjes qeveri-SPAk deri në këto momente, duke marrë në analizë arrestimin në detyrë të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, apo të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja.
Ai i cilësoi “16 mijë faqet e prokurorisë”, si fjalë dhe jo prova bindëse. “…kur mendoj që vihet me këtë kollajllëk, në Kuvendin e Shqipërisë, për të kërkuar kokën e një të zgjedhuri, mbasi është bërë gjithçka për ta futur 7 pash jo nën dhe, por në llum. Po një njeri i thjeshtë, i pambrojtur e parafytyroni ju se si mund ta hajë fletë-arrestin surratit. E kur sheh këtë, aty e kupton konkretisht se si e hanë shumë njerëz në Shqipëri, se si për faqen e zezë të autorëve, të kësisoj përplasjesh turinjve të fletëve të arrestit, Shqipëria është bërë delja e zezë e arrestit, me shumë të burgosur në paraburgim”, tha Rama, duke ironizuar drejtësinë se: “jetojnë nën kurrizin e të tjerëve. Hajde ta fusim një herë, se na ka dalë një incizim, na kanë ardhur disa sms”.
Kryeministri e mbylli me kërkim falje ndaj Ballukut për mos pranimin e tre dorëheqjeve të dorëzuara prej saj, ndërsa i ka kujtuar se në betejën me drejtësinë, ish- ministrja, do të ketë në krah vetëm avokatët. “E falënderoj Ballukun për punën e bërë dhe i uroj fatin që meriton në betejën e saj ligjore, ku do të ketë në krahë vetëm avokatët e saj. I kërkoj ndjesë për refuzimin e tre dorëheqjeve”, tha ai.
Reagimi i Berishës
Menjëherë pas qëndrimit të PS-së dhe Ramës të cilët dolën me raport për të rrëzuar kërkesën e SPAK për imunitetin e Ballukut reagoi edhe kreu i PD-së Sali Berisha.
“Ai (Rama) iu tha shqiptarëve sot se Balluku është e paprekshme! Se SKAP-i (SPAK) është zero me bisht, se drejtësia nuk ekziston. Noterja apo regjistruesja e të gjitha vjedhjeve 25 vjeçare të këtij kryehajduti. Edi Rama, sot sfidoi çdo shqiptar, qytetarët shqiptarë! Nuk është kryesisht sulm ndaj SPAK, ndaj drejtësisë kjo që po bën, sepse në këtë drejtim drejtësia po përfaqësohet nga ju. Edi Rama ju thotë juve se qëndron mbi ligjin dhe si narko-diktator i vërtetë, vendos për gjithçka”, tha Berisha.






