Home Faktometer Gjysmë e vërtetë 1,2 milionë euro për molin e ri në Shkodër

1,2 milionë euro për molin e ri në Shkodër

0
1,2 milionë euro për molin e ri në Shkodër

Në muaj e verës 2023 në hyrje të Shkodrës nisën punimet për rehabilitimin e molit. Sipas kontratës, moli i ri duhej të ishte gati në muajin tetor, por verifikimet e Faktoje tregojnë se afatet janë shkelur. Projekti 1.2 milionë euro është financuar nga Bashkimi Evropian dhe po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. FSHZH thotë se projekti do të përfundojë në fund të 2023-t.

Esmeralda Topi 

Në hyrje të të Shodrës këtë verë nisi puna për t’i dhënë jetë molit të ri të qytetit. Projekti me vlerë 1,2 milionë euro i finacuar nga Bashkimi Evropian parashikon rehabilitimin e molit si dhe ndërtimin e një platforme lundruese. 

Një muaj pasi kishte marrë zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut, Benet Beci ndau detaje nga projekti. 

Abonohu në newsletter

Merr lajmet më të fundit direkt në email.

“Në hyrje të qytetit, në afërsi të Urës së Vjetër të Bunës, po punohet për Molin e ri të Shkodrës. Ndërtimi i tij sjell për herë të parë një mundësi të re lundrimi, duke pasuruar ofertën turistike e duke nxitur biznesin në zonë.”, shprehej Beci pas një inspektimi të punimeve për Molin e ri më 28 korrik. 

Sipas tij, moli do të ketë përmasat 60 x 20 metra dhe një platformë lundruese 59 x 4 metra, që është shumë e përshtatshme për lidhjen e varkave.

Çfarë parashikon projekti?

Rehabilitimi i molit në Shkodër parashikon:

  • Ndërtimin e bazamentit betonarme të molit në formë trapezoidale (Ndërtimi i 78 Pilotave me gjatësi 10 ml dhe diametër 1000 mm, ndërtimi i traut b/a në kokën e pilotave dhe murit b/a mbi traun)
  • Ndërtimi i platformës lëvizëse të molit me konstruksion metalik (alumini)
  • Ndërtimi i kolektorit KUZ dhe pusetave të kontrollit në kolektor

Projekti është financuar nga Bashkimi Evropian dhe po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Vlera totale e financimit për Molin e ri është 1,287,511.93 Euro me T.V.SH.

Punimet jashtë afateve

Sipas kontratës, punimet për molin e ri në Shkdoër do të zgjasnin tre muaj. Por verifikimet e Faktoje tregojnë shkeljen e afateve. Përmes një kërkese për Informacion, Bashkia e heq përgjegjësinë nga vetja duke ia deleguar Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si njësi zbatuese e projektit. 

“Rehabilitimi i molit Shkodër është një projekt i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë investimi sipas preventivit 149,943,355.15 lekë. Bashkia Shkodër është institucioni përfitues i këtij investimi e cila ka miratuar lejen ndertimit nr.5328/3 prot ,datë 10.05.2023.’ , thuhet në përgjigjen e Bashkisë Shkodrës për Faktoje.

Nga ana tjetër, Fondi Shqiptar i Zhvillimit thotë se shkelja e afateve për projektin ka ardhur si pasojë e një shtese të kërkuar nga Bashkia e Shkodrës. 

“Kërkesa e Bashkisë Shkodër për shtimin e gjatësisë së kolektorit të KUZ dhe kryerjen e punimeve speciale brenda në lumin Shirokë ndikojnë në grafikun e realizimit të punimeve, të cilat pritet të përfundojnë brenda vitit 2023.”- pohon FSHZH për Faktoje. 

Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën me dije se është në proces realizimi i pilotave dhe ka filluar ndërtimi i traut dhe murit mbi pilota, që do të shërbejë si mur rrethues i molit. Po ashtu, janë drejt përfundimit punimet për kolektorin kryesor të shkarkimit të ujrave të ndotura dhe punimet për ndërtimin e pusetave të kontrollit. Punimet pritet të mbyllen në fund të këtij viti. sipas FSHZH-së. 

Një muaj përpara këtij afati të ri, Faktoje udhëtoi drejt Shkodrës për të parë nga afër ecurinë e projektit. 

Më 13 nëntor në hyrje të Shkodrës vijonte puna për rehabilitimin e molit. 

Kantieri pranë Urës së Bunës ishte i hapur dhe punohej me mjete të tonazhit të rëndë. 

Përfundim 

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për molin e ri në qytet, e vlerësojmë si pjesërisht të mbajtur.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.