Nga Dr. Michael Day, drejtor i këshillimit në Universitetin Juglindor të Indianas
Kujdesi për shëndetin tonë fizik është diçka që të gjithë e dimë se duhet ta bëjmë, veçanërisht gjatë këtyre ditëve. Kujdesi për shëndetin tonë mendor është gjithashtu shumë i rëndësishëm dhe ka disa teknika për këtë. Ndryshimet që sjell distancimi social në rutinën tonë dhe mungesa e kontrollit që vjen bashkë me të, mund të ndikojnë në shëndetin mendor. Këtu përfshihet trishtimi, ankthi, humbja e gjumit, zemërimit, frika, frustrimi, madje edhe mërzia, të gjitha reagime të parashikueshme për situatën nëpër të cilën po kalojmë. Por ka gjithashtu gjëra që mund të menaxhohen nëpërmjet disa këshillave. Këto janë 5 këshillat e mia për t’ju ndihmuar në këtë kohë:
1. Mësoni të dalloni çfarë mund të kontrolloni nga ajo që s’mund të kontrolloni
Si qenie njerëzore, kontrolli është i rëndësishëm për ne dhe kjo është një kohë ku nuk e ndjejmë fuqinë për t’i pasur gjërat në kontroll. Ajo që ne mund të kontrollojmë është larja e duarve. Ju mund të distancoheni nga të tjerët. Mund të ndihmoni personat që jetojnë në zonën tuaj, dhe këto janë gjëra shumë të rëndësishme për t’u bërë. Këto gjëra ndihmojnë që të ulet shpërndarja e virusit. Edhe pse është e vështirë, ju po sillni ndryshimin në shoqëri duke i bërë ato. Ju mundeni gjithashtu të filloni një projekt të ri ose të rregulloni diçka, apo të mësoni diçka të re në këtë kohë të lirë që keni fituar. Mundeni edhe t’i riktheheni një pasioni që keni pasur.
Gjërat që nuk mund të kontrolloni janë ajo çfarë po ndodh në rang kombëtar dhe global. Duhet t’i lemë personat që po merren me to, të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre. Ju mund të kontrolloni përshembull informimin nga burime të sigurta. Ruhuni nga tendenca për ta parë në një aspekt katastrofik këtë situatë, shmangni shpërndarjen e thashethemeve apo informacioneve të paverifikuara. Duket sikur ju ndihmon, por në fakt kontribuon në shtimin e gjendjes së ankthit.
2. Bëni gjërat që ju ndihmojnë të ndiheni të sigurtë
Njerëz të ndryshëm kanë mënyra të ndryshme për t’u ndjerë të sigurtë. Mua p.sh., më pëlqen të bëj lista me gjëra që duhet të bëj dhe t’i realizoj ato. I frustron pak miqtë e mi sepse gjithmonë jam duke i hedhur ato në letër. Por më ndihmon që të menaxhoj ankthin. Kaloni kohë me kafshët tuaja shtëpiake, shihni një film që ju bën për të qeshur, gatuani diçka të veçantë, flisni me miqtë tuaj, praktikoni besimin fetar nëse kjo është e rëndësishme për ju, vizatoni diçka. Fokusohuni tek gjërat pozitive dhe gjithçka që ju ndihmon. Këto janë disa gjëra që mund të bëni për t’u ndjerë të sigurtë, ose gjithçka tjetër që e realizon këtë qëllim për ju.
3. Përpiquni të qëndroni në të tashmen
Ajo që dua të them me këtë është fakti se shpeshherë mund të shqetësohemi për të ardhmen, duke u përpjekur të parashikojmë çfarë do të ndodhë. Në këtë kohë, askush nga ne nuk mundet ta bëjë. Kjo mund t’ju çojë drejt ankthit dhe t’ju bëjë që të shqetësoheni edhe më shumë. Duke ndjerë pendesë për të shkuarën apo duke menduar se çfarë duhet të bëja apo mund të bëja shpeshherë mund të kontribuojnë në një gjendje depresive dhe të na trishtojnë edhe më shumë. Nëse e gjeni veten të ngecur në të kaluarën apo në të ardhmen, përpiquni të ktheni veten tuaj në të tashmen duke u fokusuar në çfarë mund të shihni, çfarë mund të dëgjoni, çfarë mund të nuhasni, çfarë mund të shijoni dhe çfarë mund të bëni tani.
4. Qëndroni të lidhur
Ne jemi të gjithë krijesa sociale dhe kemi nevojë për njëri-tjetrin. Edhe në mungesë të pranisë fizike, ne mund të kemi ndikim të thellë tek njëri-tjetri dhe të influencohemi gjtihashtu nga të tjerët duke ndarë ndjenjat tona mbi situatën që po ndodh. Ne mund ta bëjmë këtë nëpërmjet rrjeteve sociale, telefonatave, dhe gjithë platformave që na mundëson teknologjia. Jini krijues, ndoshta mund të bëni disa festa në distancim social ose të luani lojëra në distancë. Në këtë mënyrë të kaloni pak kohë me miqtë dhe familjen tuaj.
5. Ruani një axhendë të rregullt për veten
Njerëzit kanë nevojë për axhenda dhe rutina. Puna jonë apo shkolla shpeshherë e sigurojnë këtë gjë për ne, por kur nuk e kemi këtë dalim nga natyrshmëria jonë. Kështu që mund të mendoni se si të vendosni një rutinë tek vetja juaj. Mund të bëni një axhendë ditore ose të mendoni për gjërat që mund të bëni që koha të mos ju rrëshqasë nga duart. Sigurohuni që t’i kushtoni vëmendje kohës suaj të gjumit. Kohën kur zgjoheni, kohën kur bini për të fjetur, vaktet dhe detyrat që mund të bëni gjatë ditës. Ndoshta edhe të vendosni disa qëllime për veten tuaj për çdo ditë. Mund të rekuperoni kohën e humbur për të rregulluar dollapin tuaj ose një projekt, apo diçka të tillë.
Këshillë shtesë: Kontrolloni llambën tuaj të “motorrit”
Ashtu siç makinat tona kanë atë llambën ose dritën e vogël të mërzitshme që tregon se është shumë vonë, duhet të keni në vëmendje dhe “dritën” tuaj. Nëse e gjeni veten duke u nxehur më shumë apo duke u bërë më të hidhur, më të depresionuar apo duke u vetizoluar më shumë emocionalisht sigurohuni që të flisni me dikë dhe t’i tregoni si ndiheni. Mund të telefonosh një qendër këshillimi si dhe mund të përdorësh burime që janë të disponueshme online.
Ju inkurajoj që të mendoni për këto gjëra dhe shpresoj që t’ju ndihmojnë. Kujtohuni që personat rreth e rrotull jush, familja juaj, miqtë tuaj, shokët e shkollës, kolegët e punës, të gjithë interesohen për ju dhe jemi të gjithë bashkë në këtë situatë. Gjeni mënyrën për t’i praktikuar këto këshilla dhe gjeni mënyra të reja krijuese për t’u kujdesur për shëndetin tuaj mendor.