7 familje të një pallati të dëmtuar nga tërmeti në Lezhë kanë katër vite pa çati mbi krye. Pallati 71 në rrugën ‘Luigj Gurakuqi’ u shemb dy vite më pare, por ende nuk kanë nisur punimet për rindërtimin e tij. Procesi ka mbetur peng i zbatimit të marrëveshjes së rindërtimit nga Fondacioni Firdeus, pasi palët nuk kanë gjetur dakordësi. Bashkia e Lezhës i tha Faktojes se çështja është adresuar në qeveri, ndërkohë që familjet e prekura po trajtohen me bonus qiraje. 

Esmeralda Topi 

Bashkia e Lezhës ishte një nga zonat më të prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019. Në këtë bashki u raportuan 246 familje të pastreha, mes të cilave edhe banorët e një pallati tre katësh në qendër të Lezhës. Dëmtimi i pallatit 71 në rrugën ‘Luigj Gurakuqi’ la pa çati mbi krye shtatë familje lezhiane. 

Tre muaj pas tërmetit, gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak Lezhë, kryetari Pjerin Ndreu, premtoi rindërtimin e pallatit 71 në lagjen Besëlidhja. 

Katër vite pas këtij premtimi, familjet e pallatit vijojnë të jenë në udhëkryq. 

Rindërtimi s’ka nisur

Ky është viti i tretë që Faktoje verifikon ‘fatin’ e pallatit 71 në rrugën ‘Luigj Gurakuqi’. Rindërtimi ende s’ka nisur, ndonëse objekti u shemb dy vite më parë.

Edhe këtë nëntor, nga verifikimi ynë në terren rezultoi se asgjë nuk kishte ndryshuar pas shembjes së pallatit që pret ende të rindërtohet.    

Lezhë, 21 nëntor

Bashkia nuk është në gjendje të japë një afat mbi fillimin e punimeve edhe pse kanë kaluar katër vite nga tërmeti tragjik. Ngërçi sipas Bashkisë ka ardhur për shkak të  mungesës së financimit. Rindërtimi i pallatit 71 në Lezhë ka mbetur peng i zbatimit të marrëveshjes me Fondacionin Firdeus, që mori përsipër rindërtimin. Palët nuk kanë gjetur dakordësi. 

‘Bashkia Lezhë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Fondacionit “Firdeus” dhe Bashkisë Lezhë për “Ndërtimin e Seksionit 1, te pallati 71 (Ish BKT) në lagjen ‘Besëlidhja’, rruga ‘Luigj Gurakuqi’, të qytetit të Lezhës” dhe me Vendimin Nr.53, datë 31.05.2022 Këshilli Bashkiak Lezhë ka dhënë pëlqimin për lidhjen e kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi. Përsa i përket projektit për ndërtimin e pallatit në lagjen ‘Besëlidhja’ ju informojmë se aktualisht nuk është arritur një dakordësi për ndërtimin e tij.’, argumenton Bashkia. 

Për të mësuar më shumë mbi arsyet e këtij ngërçi, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Fondacionit Firdeus dhe drejtuesit Elvis Naçi. Deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë një përgjigje.

“Për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje Bashkia Lezhë ka vijuar komunikimin me ministrinë e linjës për vijimin e procedurave për ndërtimin e godinës.”, sqaron Bashkia Lezhë, teksa shton se familjet e prekura po trajtohen me bonus qiraje.

“Përsa i përket bonusit të qirasë, aktualisht vazhdon t’u shpërndahet familjeve të dëmtuara nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019, konkretisht, në pallatin Nr.71, trajtohen me bonus qiraje 7 (shtatë) familje, nga këto 2 (dy) familje në seksionin për përforcim dhe 5 (pesë) familje në seksionin për rindërtim.’

Ngjitur me objektin e shembur në rrugën “Luigj Gurakuqi”, ndodhet gjysma e një pallati tjetër të dëmtuar nga tërmeti katër vite më parë.  Mëngjesin e 21 nëntorit, vijonte puna për riforcimin e objektit. 

Lezhë, 21 nëntor

Riforcimi i pallatit ishte rekomanduar nga Instituti i Ndërtimit prej dhjetorit të 2020-s. Sipas tenderit të Bashkisë Lezhë, puna për riforcimin e këtij pallati duhet të kishte përfunduar në maj 2022. Por edhe ky proces u shoqërua me shkelje afatesh. 

“Punimet për ndërhyrjen përforcuese të gjysmës së pallatit të dëmtuar në rrugën ‘Luigj Gurakuqi’ janë në fazën përfundimtare.”, pohoi zyrtarisht Bashkia e Lezhës.

Pallati i pandërtuar në qendër të Lezhës është bërë objekt diskutimesh edhe në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Anëtarja e Partisë Demokratike, Alfrida Marku thotë se e ka ngritur disa herë si shqetësim çështjen.

“Disa herë kam kërkuar sqarime nga përfaqësuesit e Bashkisë Lezhë, por nga këta të fundit nuk ka patur transparencë. Gjjthashtu, me shkresë zyrtare kam kërkuar që kryetari i Bashkisë të raportojë në Këshillin e Bashkisë Lezhë mbi procesin e rindërtimit, dhe sërish ka patur refuzim për transparencë e dhënie llogarie.”, pohon ajo për Faktoje duke shtuar: 

“Kjo është shkresa që kam depozituar në bashki më datë 17 nëntor. Në mbledhjen e kryesisë së këshillit 23 nëntor kërkesa u refuzua që të përfshihet në rendin e ditës për mbledhjen e datës 30 nëntor.’

Shkresa drejtuar Kryetari të Këshillit të Bashkisë Lezhë

Përfundim

Bazuar në informacionet e mbledhura dhe verifikimet në terren, premtimin e kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, për rindërtimin e pallatit 71 në lagjen Besëlidhja, do ta kategorizojmë të pambajtur. 

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.