BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookGazetarja kanadeze nuk pati pasoja shëndetësore nga vaksina e Covid-19

Gazetarja kanadeze nuk pati pasoja shëndetësore nga vaksina e Covid-19

Problemet shëndetësore që shfaqi një gazetare kanadeze gjatë një transmetimi live nuk kanë lidhje me vaksinimin kundër Covid-19. Ky është rasti më i fundit kur grupet antivaksinë keqpërdorin problemet shëndetësore të personave publikë për të argumentuar rezistencën e tyre ndaj fushatave vaksinuese.

 

Një video e shkëputur gjatë një transmetimi të drejtëpërdrejtë në televizionin kanadez CTV News Edmonton që tregon një reportere që nuk ndihet mirë është shpërndarë nga qindra përdorues të mediave sociale në të gjithë botën, duke pretenduar se gazeterja Jessica Robb është ndjerë keq, për shkak të vaksinave kundër COVID-19.

Video është shpërndarë edhe në Shqipëri në rrjetin social Facebook duke e shoqëruar me një postim të shkurtër aludues: “2 dozat plus 3 busterat.”

Nga verifikimi i mëtejshëm i “Faktoje” rezulton se incidenti nuk ka lidhje me vaksinat kundër Covid -19.  Një ditë pas incidentit, reporterja Jessica Robb ka shkruar disa reagime në llogarinë e saj personale në Twitter.

Mbrëmjen e 8 janarit, gjatë transmetimit direkt në CTV News Edmonton, reporterja Jessica Robb dëgjohet duke i thënë spikeres Nahreman Issa: “Më fal Nahreman. Nuk po ndihem shumë mirë tani dhe jam gati…” përpara se të duket se humb ekuilibrin.

Më 9 janar, televizioni kanadez CTV Edmonton postoi në Twitter një reagim lidhur me shëndetin e reporteres Robb, duke shkruar se ajo “ndihet më mirë dhe tani po pushon.”

“Faleminderit të gjithëve që u interesuan për gazetaren tonë që u sëmur gjatë orës 18:00. Jessica Robb është duke u ndjerë më mirë dhe tani po pushon.”– shkruhet në Twitterin e televizionit kanadez.

Po ashtu, transmetuesi kanadez publikoi në Twitter edhe një deklaratë në emër të reporteres Robb, që hidhte poshtë pretendimet që lidhnin incidentin me vaksinat kundër COVID-19.

“Ndërsa nuk do të ndaj publikisht informacionin privat mjekësor, mund të them se nuk ka arsye për shqetësim dhe se të kuptuarit e historisë sime mjekësore ofron një shpjegim të arsyeshëm për atë që ndodhi. Sidoqoftë, mund të konfirmoj se situata nuk ishte në asnjë mënyrë e lidhur me vaksinën COVID-19,” – shkruhet në emër të Jessica Robb.

“Nuk do të jap detaje, por jam shumë mirë.” shkruan Robb më 9 janar duke shtuar gjithashtu : “Jam mirë. Mjekësisht dhe fizikisht. Dhe sinqerisht, kam në plan ta lë shpjegimin atje. Historia ime mjekësore është pikërisht ajo. E imja. E imja për të zgjedhur për të ndarë dhe e imja për të mbajtur për veten time.”

Edhe kolegët tanë të Reuters kanë bërë një verifikim faktesh lidhur me rastin në fjalë, të cilat ‘rrëzojnë’ pretendimet e ngritura nga njerezit në rrjetet sociale se gazetarja është ndjerë keq për shkak të tre vaksinave që ka bërë kundër Covid-19.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img